POLITIKAT E SHKËMBIMIT TË INFORMACIONEVE NË LUFTËN E NATO-S KUNDËR TERRORIZMIT DHE EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM

“Anëtarësimi në NATO e përmirësoi bashkëpunimin tonë në fushën e antiterrorizmit me anëtarët e tjerë. Besimi që NATO-ja e ka te ne si anëtar fuqiplotë është i ndryshëm nga koha kur ishim vetëm shtet partner”, thotë Presidenti Stevo Pendarovski, duke shtuar se, aktualisht, përveç anëtarësimit në Aleancë, nuk ka asnjë mekanizëm tjetër më të mirë për të mbrojtur interesat tona strategjike të sigurisë si shtet.
Si anëtare e fuqiplote e Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake, që nga marsi i këtij viti, Republika e Maqedonisë së Veriut, përmes mekanizmave koordinues të NATO-s, ka mundësi të marrë pjesë në përcaktimin e interesave strategjikë të sigurisë së Aleancës, duke mbrojtur kështu edhe interesat e brendshme, thotë Presidenti aktual Stevo Pendarovski. Presidenti, i cili gjithashtu shërbeu si koordinator kombëtar për NATO, beson se anëtarësimi në Aleancë është investimi më i rëndësishëm strategjik i vendit dhe është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga sulmet terroriste.
“Një nga kërkesat themelore të NATO-s ndaj anëtarëve të saj është të investojnë në zhvillimin dhe modernizimin e forcave të armatosura dhe në kapacitetet e sigurisë. Si pjesë e NATO-s, ne jemi pjesë e sistemit më të mirë për shkëmbimin e informacioneve të sigurisë që, gjithashtu, na ndihmon në luftën kundër terrorizmit. Si anëtare fuqiplote, Maqedonia e Veriut merr pjesë në punën e organeve të ndryshme të Aleancës, si ato ushtarake, civile dhe të sigurisë. Po ashtu, anëtarësimi do të thotë që ne i plotësojmë kriteret e veçanta të sigurisë. Kjo rrit besimin e NATO-s në vendin tonë, në kuptimin e mënyrës se si i përdorim dhe si i shfrytëzojmë informacionet që i shkëmbejmë”, thotë Presidenti Pendarovski.
Në të njëjtën linjë janë edhe nga Ministria e Mbrojtjes. Ata thonë se politika e shkëmbimit të informacioneve nënkupton ndërtim dhe mirëmbajtje të kapaciteteve, me çka përmirësohet rezistenca e përgjithshme të NATO-s ndaj kërcënimeve nga terrorizmi.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është pjesë e Koalicionit Global për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, kështu që në atë drejtim po avancohen edhe politikat për zhvillimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e informacioneve me partnerët e tjerë nga Aleanca. Dhe, gjatë kësaj do të përmendim sulmin e fundit terrorist në Vjenë, në të cilin sulmuesi dhe njëra nga viktimat ishin nga vendi ynë. Shërbimet tona të sigurisë krijuan një komunikim urgjent me shërbimet përkatëse nga Austria dhe Aleanca, duke shkëmbyer informacione relevante në lidhje me aktin e përmendur të dhunshëm”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Qëndrimi i shteteve-anëtare të Aleancës është se ato duhet, me forca të përbashkëta, të luftojnë kundër këtij problemi global. Profesori nga Fakulteti i Sigurisë, Zllate Dimovski, në atë kontekst, shpjegon se grupet e organizuara që praktikojnë terrorizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm nuk janë nga një juridiksion dhe nuk veprojnë në territorin e një vendi, kështu që nuk mund të supozohet se ku mund të etablohen dhe të sulmojnë. Prandaj, thotë Dimovski, janë formuar organe ndërkombëtare dhe kombëtare që ndajnë informacione për aktivitetet e këtyre grupeve.
“Sipas praktikave dhe përvojave aktuale, çdo vend që në çfarëdo mënyre merr informacion mbi përgatitjen e një akti terrorist apo veprimi tjetër nga grupe të dhunshme ekstremiste, është i detyruar ta shpërndajë atë informacion, të kërkojë plotësim, konfirmim dhe precizim shtesë nga shtetet-anëtare të NATO-s, nëse një shtet i caktuar nuk mund ta bëjë këtë, apo ndoshta informacioni në atë moment nuk është në nivelin e një produkti të përfunduar të analizuar. E, nga ana tjetër, nëse është një produkt i përfunduar analitik, atëherë ai dorëzohet përmes kanaleve të standardizuara në selinë e NATO-s, dhe prej atje informohen të gjitha shtetet-anëtare dhe përcaktohet nevoja se çfarë aktiviteti duhet të ndërmerret”, thotë Dimovski. Ky kurs veprimi, konsideron profesori, solli në hapjen e shërbimeve të zbulimit, kundërzbulimit dhe të sigurisë dhe shmangu ruajtjen e informacionit në sirtar.
Përveç kësaj, për t’u ballafaquar në mënyrë më efektive me këtë lloj të kërcënimeve, nevojitet edhe përforcimi i kapaciteteve kombëtare civile-ushtarake, thonë njohësit e këtyre çështjeve. Qëndrimin e bazojnë në faktin se infrastruktura kritike nuk është plotësisht në pronësi të shtetit, kështu që forcat e armatosura, veçanërisht ato të përfshira drejtpërdrejt gjatë krizave dhe veprimeve luftarake, për të kryer punën e tyre varen edhe nga sektori civil, siç janë: transporti, komunikimet, furnizimi me ushqim dhe ujë. Prandaj, sipas ekspertëve, bashkëpunimi midis sektorëve civilë dhe ushtarakë duhet të intensifikohet.
Neni pesë i Kartës së NATO-s është një nga shtyllat më të rëndësishme të Aleancës. Ai parashikon që sulmi ndaj një shteti-anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithë të tjerëve.
“Terrorizmi paraqet një kërcënim për përdorimin ose përdorimin real të dhunës (terrorit) për të arritur qëllimet politike”, thotë profesoresha Tanja Milloshevska nga Instituti për Mbrojtje, Siguri dhe Paqe. Ndërsa, nga ana tjetër, thotë profesoresha, ekstremizmi i dhunshëm është një lloj i dhunshëm mobilizimi që synon të rrisë statusin e një grupi, ndërsa përjashton ose dominon mbi “të tjerët” bazuar në karakteristika të tilla, si: gjinia, religjioni, kultura dhe përkatësia etnike. Gjatë kësaj, organizatat ekstremiste të dhunshme i shkatërrojnë institucionet ekzistuese politike dhe kulturore dhe i zëvendësojnë ato me struktura alternative të qeverisjes që veprojnë në përputhje me parimet e ideologjisë totalitare dhe jo-tolerante.
“Nevojitet që shtetet të ndajnë rezultatet e tyre kërkimore empirike në rrugët e radikalizimit, trendet dhe rreziqet, si dhe të shkëmbejnë informacione në lidhje me kthimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe ekstremistëve të dhunshëm në korniza nacionale”, vlerëson Milloshevska.
Më 27 mars të vitit 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s. Aderimi në Aleancë e hapi çështjen nëse vendi ynë tani mund të jetë më i ekspozuar ndaj kërcënimeve terroriste. Nga Ministria e Mbrojtjes japin sinjale qetësuese. Ata thonë se frika është e pajustifikuar.
“Atraktiviteti” për kryerjen e sulmeve terroriste nuk mund të përcaktohet vetëm nga anëtarësimi i një shteti në një Aleancë të caktuar. Kjo varet nga qëllimet dhe synimet e atyre që përdorin mjete të këtilla. Si konfirmim mund të shërbejnë aktet individuale terroriste, si: sulmet kundër ish-kryeministrit suedez Ulof Palme në vitin 1986 dhe ndaj ministres Ana Lind në vitin 2003, si dhe sulmi i fundit në Vjenë. As Suedia dhe as Austria nuk janë anëtare të NATO-s. Nga ana tjetër, ne kishim atentatin ndaj ish- Presidentit Kiro Gligorov në vitin 1995 dhe aktin terrorist në Kumanovë në vitin 2015, kur Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ende anëtare e Aleancës. Prandaj, ne mund të vendosim tezën e kundërt – anëtarësimi në NATO, në mase të madhe, i forcon shumë kapacitetet tona dhe na bën më të fortë në parandalimin dhe luftën e kërcënimit nga terrorizmi”, thonë Ministria e Mbrojtjes.
Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, profesor Nano Ruzhin, thotë se Maqedonia e Veriut është tërheqës për sulme terroriste po aq sa Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe shtetet baltike. Por, nga përvojat e mëparshme në asnjë nga këto vende nuk ka pasur sulm terrorist në kuptimin klasik të fjalës, siç është rasti me Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën, Spanjën dhe Gjermaninë.
“Vendi ynë nuk është aq atraktiv për sulme terroriste për shumë arsye. U sulmuan ish-fuqitë koloniale ose shtetet që luftuan drejtpërdrejt me i ashtuquajturi Shtetin Islamik. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka diasporë arabe, kurse vendi ynë nuk është një fuqi e madhe ushtarake. Përveç kësaj, ne jemi një shoqëri multietnike, kurse xhihadistët ballkanas që shkuan në luftë në Irak dhe Siri, nuk u larguan të udhëhequr nga një doktrinë ekstreme, por për shkak të problemeve ekonomike dhe sociale në Ballkanin aktual dhe të varfëruar”, analizon Ruzhin për autorët e këtij teksti.
NATO-ja, si organizatë e cila përpos me çështje ushtarake merret edhe me çështje të tjera të rëndësishme për vetë organizatën, i kushton vëmendje edhe krizës me COVID-19. Në këtë drejtim, Presidenti Pendarovski beson se pikërisht përshtatja ndaj sfidave të reja të sigurisë është një nga karakteristikat më të forta të Aleancës.
“Sot po përballemi me një sfidë të papritur, dhe kjo është pandemia globale e COVID-19. Kjo situatë na tregoi se sistemin e menaxhimit të krizave në vend duhet ta përshtatim me sfidat e reja të shkaktuara nga virusi dhe vlerësoj se në periudhën e ardhshme kjo duhet të jetë përparësia kryesore e vendit”, është decid kreu i shtetit.
Sipas të dhënave të Europol, rreziku nga terrorizmi mbeti i pandryshuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, që tregon se, të paktën në periudhë afatshkurtër, COVID-19 kishte ndikim minimal në nivelin e kërcënimit terrorist në Evropë.
“Numri i sulmeve të frymëzuara nga xhihadistët mbetet i lartë (të paktën gjashtë sulme në gjysmën e parë të vitit 2020, krahasuar me shtatë sulme gjatë gjithë vitit 2019) dhe të gjitha u kryen nga “ujqër të vetmuar” të cilët kanë shfrytëzuar armë rudimentare, siç janë thikat ose automjete”, thotë profesoresha Milloshevska.
Autorë të storjes: Anita Dimitrijevska Vellkovska , Stojne Miteva ,Aleksandar Gjorgjievski
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.