Pista e emigrantëve: Urë midis frikës, vdekjes dhe shpresës për një të nesërme më të mirë

Binarët e hekurudhave, për dikë një hekur zakonisht i ftohtë mbi të cilin kalon treni, për dikë tjetër shtrat mbi të cilin ëndërrohet për një shtëpi të ngrohtë, për të tjerë urë që lidhë të kaluarën dhe jetën nga e cila kanë ikur dhe të ardhmen dhe dëshirën për një të nesërme më të mirë. Duke lëvizur në vende të panjohura dhe vende të reja, udhëtregues më i mirë për emigrantët janë binarët e trenit. Duke ecur mbi to ata kanë njëfarë sigurie se nuk do të humbasin në vend, ashtu siç kanë humbur shtëpinë, familjet, identitetin …
Nga njëra anë, ata janë viktima të kontrabandistëve që përfitojnë në kurriz të gjendjes së tyre dhe, nga ana tjetër, disa prej tyre janë refugjatë agresivë të cilët ua mësyjnë edhe vjedhjeve. Kam pasur mundësinë t’i shoh nga afër, në hekurudhën afër Lisiçes. Ishte një ditë e nxehtë pranvere, kurse ata po shkelnin mbi gurët e hekurudhës me hapa të ftohtë. Hijet e tyre ishin gërshetuar me diellin, por ata nuk e vërenin as pasqyrimin e tyre të dritës as diellin … Disa të rritur dy fëmijë që po i mbanin në krahë (sipas vlerësimeve, nuk kishin më shumë se 5 vjet) dhe pas tyre një burrë më i moshuar invalid, i cili duke ecur me paterica përpiqej t’i mbërrijë ata. Ata kishin vetëm një qëllim, të arrinin më shpejt destinacionin përfundimtar në vendet e BE-së. Ikin nga varfëria ose lufta …
“Nuk arritën të më kuptonin shumë. Unë u përpoqa t’u afrohem, por po aq sa kisha frikë prej tyre, edhe ata ishin të frikësuar nga unë. Provova me gjeste, ua bëra me dorë, por ata e kthyen shpinën dhe vazhduan me një ritëm të përshpejtuar. Vetëm njëri prej tyre më bëri me dorë, duke treguar drejtimin drejt binareve të trenit. Nuk kishte asnjë tabelë mbi binaret e trenit, nuk kishte asnjë shenjë që mund t’i paralajmëronte ata se ecja nëpër binare mund të ishte e rrezikshme, madje edhe fatale”, sipas një qytetari që shpesh ka hasur në emigrantë.
Nuk arrita t’i dëgjoj se në çfarë gjuhe flisnin, as nuk mund të përpiqesha t’i pyes nga vinin dhe ku ishin drejtuar në një gjuhë që ata mund ta kuptonin. Më të moshuarit kishin trishtim dhe shpresë në sytë e tyre në të njëjtën kohë. Vetëm sytë e fëmijëve ishin të mbyllur. Ata flinin në krahët e tyre, ku ndiheshin më të sigurt. Edhe në gjumë ata i kishin shtrënguar fortë të rriturit, të cilët, nga ana tjetër, mbanin çanta në shpinë në të cilat ndoshta kishin paketuar tërë jetën.
Për disa nga këta njerëz, hekurudhat janë shpresë për një drejtim të ri dhe një jetë më të mirë, disa prej tyre ecin në hekurudha nga frika e humbjes, të tjerët, të lodhur nga ecja, i merr gjumi në hekurin e ftohtë dhe, duke ëndërruar një jastëk të butë, e humbin jetën në gjumë duke fjetur.

Duke filluar nga fundi i vitit 2014 deri në fund të shtatorit të vitit 2020, gjithsej 39 migrantë kanë humbur jetën në territorin e Maqedonisë.
Sipas vendit të origjinës, shtatë persona janë nga Siria, pesë nga Afganistani, tre nga Bangladeshi, dy nga Pakistani dhe një nga Maroku, kurse të tjerët nuk janë identifikuar.
Shumica e migrantëve të vdekur vdiqën në aksidente treni, madje 30. Pastaj, pesë migrantë e kanë humbur jetën në aksidente trafiku të shkaktuara nga kontrabandistë, tre u mbytën derisa kanë tentuar të kalonin lumin Suva Reka, në afërsi të fshatit Moin të Gjevgjelisë, dhe një person pa shenja jete u gjet në humnerë përgjatë autostradës Udovo – Demir Kapia.
Në prill të vitit 2015, në afërsi të Velesit treni vrau 14 emigrantë, kurse midis tyre kishte edhe të mitur. Edhe një tjetër emigrant i mitur humbi jetën në maj, në shinat e trenit afër Demir Kapisë. Këta njerëz janë gjithashtu viktima të trafikimit me njerëz, por shpesh nuk janë as të vetëdijshëm për ndjeshmërinë dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e trafikimit njerëzor.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) shpjegon se në rastet e veprave penale të zbuluara me kontrabandë të migrantëve, ajo vepron në përputhje me udhëzimet e Prokurorisë Publike dhe legjislacionit kombëtar. Për vendndodhjen ku do të akomodohet i huaji gjatë procedurës (Qendra e Pranimit për të Huajt, qendrat e përkohshme të tranzitit, shtëpitë e sigurta, trajtimi spitalor, nëse është e nevojshme etj.) vendoset për çdo rast veçmas, bazuar në shumë faktorë (rrethanat në të cilën zbulohet personi, mosha, gjendja shëndetësore dhe psiko-fizike, statusi familjar, nëse personi është nga një kategoria e ndjeshme etj.).
Kontrabanda e emigrantëve është fenomen i zakonshëm në vendin tonë. Në periudhën prej 1 janarit të vitit 2018 deri më 18 nëntor të vitit 2020, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup janë zgjidhur lëndë për 184 të akuzuar për kontrabandë me migrantë. Nga këto, aktgjykimet për 117 persona janë të plotfuqishme, nga të cilat për 70 persona aktgjykimi është sjellë në bazë të pranimit të fajësisë.
Aksioni i fundit i madh i MPB-së, në të cilin kontrabandistët e emigrantëve u arrestuan pas kërkimeve në objekte në rajonet e Gjevgjelisë, Shkupit, Shtipit dhe Kumanovës, ndodhi muajin e kaluar. Grupi, në periudhën nga dhjetori i vitit të kaluar deri në muajin e kaluar, ka “qarkulluar” më shumë se 100 migrantë, kurse për shërbimet ka marrë të holla nga 500 në 700 euro për person.
Në nenin 29 të Kushtetutës së RM-së është përcaktuar se të huajt gëzojnë liri dhe të drejta të garantuara me Kushtetutë, nën kushtet e përcaktuara me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Nazmi Maliqi, profesor i sigurisë, shpjegon se personat e zhvendosur janë qytetarë të cilët, për shkak të krizës në vendin e tyre, respektivisht nga frika se mos përndiqen për racën, fenë, grupin shoqëror ose bindjet e tyre politike, kërkojnë strehim në një vend tjetër dhe në masë e lëshojnë vendin e tyre.
“Dihet që qytetarët e vendit tonë gjithmonë kanë pasur një tipar – humanizmin. Kjo është dëshmuar gjatë gjithë kohës në hapësirat e vendit tonë. Në fatkeqësi dhe telashe, në katastrofa të ndryshme, pavarësisht nga rregullimet dhe sistemet, qytetarët e kanë pasur këtë tipar, për të ndihmuar njerëzit. Konfirmim më i madh i kësaj ishte pranimi, akomodimi dhe kujdesi për personat e zhvendosur, të cilët, pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së, për të shpëtuar jetën e tyre, erdhën dhe gjetën siguri dhe strehim pikërisht këtu. Qendra për Menaxhim me Kriza dhe raportet që ky organ i publikon për punën e tij luajnë rol të rëndësishëm për emigrantët. Gjithashtu, një burim i dytë dhe shumë i rëndësishëm janë raportet mujore dhe periodike të zyrës së UNHCR-së në Shkup në lidhje me evolucionin dhe respektimin e Konventës nga shtetet nënshkruese të Konventës. Shtetet që e kanë ratifikuar Konventën e Refugjatëve janë të detyruar të mbrojnë refugjatët në territoret e tyre, në varësi të kushteve të përfshira në të. Ndryshimi më i rëndësishëm në legjislacion, qëllimi i vetëm i të cilit ishte të zbuste ndikimin e krizës së refugjatëve dhe migrantëve, është Ligji për azil dhe mbrojtje të përkohshme, i dt. 18 qershor 2015. Ky ndryshim mundësoi “legalizimin” e statusit të refugjatëve dhe emigrantëve që tranzitojnë nëpër vendin tonë, duke siguruar bazë ligjore për praninë e tyre në territorin e vet, si dhe përdorimin e transportit publik dhe ndihmës humanitare. Para se të hyjë në fuqi ky ndryshim në kornizën ligjore, emigrantët që hynin në territorin e Republikës së Maqedonisë (veçanërisht ata që e bënë këtë jashtë pikave kufitare legale ndërkombëtare) kishin vetëm një mundësi ligjore, respektivisht të aplikonin për azil në territorin e Republikës së Maqedonisë,” thotë profesor Maliqi.
Se si ndikon transporti ilegal i emigrantëve dhe cili do të ishte dëmi për shtetin dhe qytetarët, profesori shton se zbatimi dhe respektimi i të drejtave të refugjatëve që janë tranzit në vendin tonë, respektimi dhe ndërmarrja e të gjitha masave për zbatimin e vendimeve të konventave dhe marrëveshjeve për të drejtat dhe përfitimet e refugjatëve janë format kryesore rreth të cilave do të zhvillohet kjo çështje, që në formë është pasqyrim i shkurtër, por real i të gjitha zhvillimeve nga 1991 në 2016.
Lidhur me “Rutën ballkanike” dhe nëse vendi ynë është i gatshëm të pranojë emigrantë, profesor Maliqi shton se shumica dërrmuese e refugjatëve dhe emigrantëve që kanë hyrë në territorin tonë e kanë vazhduar udhëtimin e tyre përmes të ashtuquajturës “Rutë e Ballkanit Perëndimor” në vendet e zgjedhura në Evropën Veriore dhe Perëndimore.
“Nga numri i përgjithshëm i 477,876 refugjatëve dhe emigrantëve të regjistruar, që janë gjetur në territorin e vendit tonë, në periudhën midis 19 qershor 2015 dhe 7 mars 2016, vetëm 115 persona vendosën të aplikojnë për azil. Përveç ndryshimeve ligjore të përshkruara, ne zbatojmë një numër masash politike, të mundësuara nga legjislacioni ekzistues, kryesisht në kontekstin e mekanizmave të menaxhimit të krizave. Në këtë drejtim, më 19 gusht të vitit 2015, Qeveria miratoi vendim për gjendje krize përgjatë kufirit jugor dhe verior. Në përputhje me këtë vendim, Qendra për Menaxhim me Kriza e aktivizoi selinë e saj kryesore dhe miratoi Plan Veprimi për parandalim dhe menaxhim me hyrjen dhe tranzitimin e emigrantëve nëpër territorin e vendit tonë. Për më tepër, ky vendim i mundësoi Ushtrisë të sigurojë ndihmë adekuate për forcat policore në përpjekjet e tyre për të siguruar kufijtë dhe për të kontrolluar hyrjen e refugjatëve dhe emigrantëve në territorin e Republikës së Maqedonisë. Ky vendim i Qeverisë u miratua më vonë nga Kuvendi, në përputhje me procedurën e vendosur në legjislacionin për menaxhimin e krizave. Sipas vendimit të Kuvendit, kohëzgjatja e gjendjes së krizës është zgjatur deri më 15 qershor 2016. Më vonë, ajo u zgjat më tej deri më 31 dhjetor të vitit 2016”, thotë profesori i sigurisë.
Maliqi shton se shpallja e gjendjes së krizës, krahas sigurimit të bazës për Ushtrinë për të ndihmuar forcat e policisë në procesin e sigurisë kufitare, ka mundësuar edhe mobilizimin e burimeve shtesë njerëzore dhe teknike në përpjekjet për të menaxhuar me tranzitimin e refugjatëve.
Një mobilizim i tillë mundësoi krijimin e kampeve të refugjatëve tranzit përgjatë kufirit jugor dhe verior, ku emigrantëve dhe refugjatëve u ofrohet ndihma e nevojshme humanitare dhe u mundësua ndërtimi i një barriere fizike të përkohshme (gardh me dy shtresa) përgjatë kufirit jugor, që i zvogëloi ndjeshëm mundësitë për kalim të pakontrolluar dhe të paregjistruar të kufirit midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë.
Sipas statistikave të MPB-së, në vitin 2016 janë regjistruar 127.358 emigrantë të paligjshëm. Në vitin 2017 numër është 4,129, kurse në vitin 2018 rritet pothuajse trefish – në 16,895. Në vitin 2019 ky numër është 24,601, ndërsa në dy muajt e parë të këtij viti numri i emigrantëve të kapur në mënyrë të paligjshme është 5,383.
Përfundimisht me dt. 25 tetor 2020, në Qendrën e Përkohshme të Tranzitit “Vinojug” në Gjevgjeli janë strehuar 12 migrantë (katër nga Bangladeshi, nga tre nga Pakistani dhe Siria dhe dy nga Afganistani), kurse në Qendrën e Përkohshme “Tabanovc” janë strehuar 17 persona (nga India – nëntë, Pakistani – katër, Afganistani – tre dhe një nga Tunizi).
Autorët e tekstit: Katerina Dodevska, Emine Ismaili, Kristian Trajçov, Verçe Kostovska
Autori i fotove: Robert Atanasovski
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.