Përkushtim i përbashkët për mbrojtjen e gazetarëve si parakusht për siguri më të madhe të punonjësve mediatikë

Shkëmbimi i rreziqeve kryesore me të cilat përballen gazetarët dhe punonjësit mediatikë, si dhe mekanizmat që institucionet i zbatojnë për mbrojtjen e tyre, ishin në fokusin e diskutimit profesional të mbajtur sot në Shkup. Pjesëmarrësit ndanë përvoja për trendet e kërcënimeve fizike dhe online, për efektet e zgjidhjeve të reja ligjore, si dhe për procedurat policore dhe gjyqësore që aktivizohen në rast të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
Theks i veçantë iu dha rolit të redaksive dhe të rregullatorit në krijimin e një mjedisi më të sigurt pune, si dhe nevojës për koordinim më të fortë ndërsektorial dhe reagim institucional më të shpejtë e më efikas.
Në fjalën e tij, drejtori i SHGM-së, Dragan Sekullovski, theksoi se pavarësisht uljes së numrit të sulmeve fizike në vitin 2025, puna e gazetarëve nuk bëhet më e lehtë: “Presionet online rriten çdo ditë. Prioriteti ynë është që çdo kërcënim – nga një koment në internet deri te një sulm fizik – të njihet dhe të trajtohet seriozisht dhe institucionalisht.”

Përfaqësuesi i Fondacionit Friedrich Ebert, Valon Sadiki, theksoi se siguria nuk është vetëm çështje teknike, por edhe shoqërore: “Gazetarët mund të punojnë të lirë vetëm në një mjedis që i mbron. Prandaj puna e përbashkët e të gjithë aktorëve është me rëndësi të veçantë.”
Fjalim para pjesëmarrësve mbajti edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Riccardo Gutiérrez, i cili paralajmëroi se problemi me pandëshkueshmërinë mbetet kyç: “Kur nuk ka reagim dhe përgjegjësi të duhur, krijohet hapësirë për kërcënime dhe sulme të reja. Ky është sfidë evropiane, jo vetëm lokale.”

Në ngjarje foli edhe udhëheqësi i departamentit për politika audio-vizuale në Ministrinë për Transformim Digjital, Mishko Taleski, i cili diskutoi për transformimin digjital dhe sigurinë mediatike, si dhe për rëndësinë e mjeteve digjitale dhe sistemeve mbështetëse në mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë.

Fjalim mbajti edhe gazetari i TV Telma, Ognen Çançareviq, i cili ndau përvojën e tij personale nga terreni: “Gjithmonë nevojitet planifikim i detajuar — ndonjëherë një sekondë vlerësimi i kujdesshëm është më i rëndësishëm se i gjithë reportazhi. Kur je në vendngjarje, rreziqet janë shumë reale.”

Redaktori i TV Alsat, Adrian Kerimi, rikujtoi rëndësinë e mbështetjes redaksionale: “Redaktori duhet të sigurojë plan, protokoll dhe mbështetje. Reporteri nuk duhet të lihet të përballet vetëm.”

Në kuadër të ngjarjes, përfaqësuesit e MPB-së, Prokurorisë Publike dhe ASHMAAV-it theksuan përcaktimin e përbashkët për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve mediatikë. Përfaqësuesja e ASHMAAV, Ivana Stojanovska, dha një pasqyrë të rolit të rregullatorit në ndërtimin e një ambienti më të sigurt dhe mbështetës në media. Më pas foli Ndihmës-ministri për marrëdhënie me publikun dhe çështje strategjike në MPB, Muhamed Ismaili, i cili prezantoi protokollet dhe procedurat aktuale policore për veprimin në raste sulmesh ndaj gazetarëve, duke theksuar se zbatimi i tyre tashmë sjell një reagim më të dukshëm institucional.

Nga segmenti i drejtësisë, prokurori Dejan Petrevski nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup dha një përmbledhje të sfidave aktuale në procedimin e rasteve që lidhen me kërcënimet dhe dhunën kundër gazetarëve, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm ndërmjet të gjitha institucioneve kompetente.
Ngjarja përfundoi me mesazhin e përbashkët se përmirësimi i sigurisë së gazetarëve kërkon punë të vazhdueshme, besim të ndërsjellë dhe përgjigje funksionale institucionale. SHGM mbetet e përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe ndaj partneritetit aktiv me institucionet relevante dhe organizatat ndërkombëtare.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert (FES) në Shkup, ishin organizatorët e këtij eventi, i cili u mbajt më 19 nëntor në Shkup.
