Përgjigje publike në korrespondencën nga AD Termocentralet e Maqedonisë së Veriut (ESM)

Sot është pranuar letra nga ESM me temë: “ESM për të gjitha mediat” në të cilën ju e informoni Shoqatën dhe mediat lidhur me lajmin e publikuar paraprakisht nga Laboratori i Raportimit Investigativ (IRL) për temat që kanë të bëjnë me furnizimin me mazut për nevojat e ESM.
Në informacionin që ia keni përcjellë SHGM-së dhe të gjitha mediave, përveç shkrimeve tuaja brenda letrës, dhe që kanë të bëjnë me tekstin e lartpërmendur të IRL-së, ESM gjithashtu bën edhe përpjekje për të vlerësuar punën e këtij mediumi. Në informacionin e marrë ju thoni: “Qëllimi i kësaj porosie është që mediat dhe gazetarët të kenë një pasqyrë më të gjerë në krijimin e teksteve që pjesërisht bazohen në fakte, por pjesërisht edhe në shtrembërimin e tyre dhe krijimin e qëllimshëm të një konteksti që nënkupton punë të paligjshme, gabime ose qëllime dhe interesa të fshehta”.
Qasja juaj përmes të cilës bëni përpjekje për vlerësimin e standardeve profesionale dhe etike në punën gazetareske është e papranueshme dhe krijon praktikë të keqe, veçanërisht pasi bëhet fjalë për një kompani e cila është në pronësi të shtetit. Këtë qëndrim në të cilin tentohet, nëpërmjet përfshirjes së mediave të tjera, të vlerësohet puna gazetareske dhe të sugjerohet joprofesionalizmi i një redaksie të caktuar, e konsiderojmë si precedent negativ që mund të çojë në vendosjen e censurës apo vetë-censurimit në hapësirën gazetareske. Në këtë mënyrë lihet hapësirë në të ardhmen që kompanitë e tjera, institucionet, komunat, ministritë të ndjekin këtë praktikë negative dhe të bëjnë punë që nuk janë në domenin e tyre, dhe kjo mund të ndikojë negativisht në lirinë e shprehjes.
Sigurisht, është e drejta juaj të keni një demant publik, korrigjim ose përgjigje nëse mendoni se nuk jeni dakord me ndonjë lajm i publikuar nga mediat. Ju gjithashtu keni mundësinë të parashtroni ankesa tek organizatat dhe organet vetërregulluese të medias siç janë Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM) ose Këshilli i Nderit në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), të cilët janë më kompetentë për të vlerësuar nëse një përmbajtje e caktuar mediatike është në përputhje me Kodin e Gazetarëve.