Me një aksion për dhurim gjaku u shënua Dita Botërore e Lirisë së Medieve

Me një aksion për dhurim gjaku që u mbajt sot (30.04.2025) në disa qytete të Maqedonisë, gazetarët dhe punonjësit mediatikë shënuan 3 Majin – Ditën Botërore të Lirisë së Medieve.
Me këtë rast, në Shkup, në ambientet e Qendrës Ditore për Dhurim Gjaku të Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit (Dare Xhambaz), foli Mlladen Çadikovski, kryetar i SHGM-së, i cili theksoi rëndësinë e kushteve në të cilat punojnë gazetarët, si dhe rolin që ata kanë para qytetarëve:
“Gazetaria është një profesion me një mision të veçantë – të mbrojë interesin publik dhe të jetë ndërgjegjja dhe zëri i komunitetit. Sot, me këtë aksion për dhurim gjaku, po dërgojmë një mesazh të fuqishëm – se jemi këtu për njëri-tjetrin”, tha Çadikovski.
Në ngjarje foli edhe kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski, i cili tha se gazetarët në Maqedoni punojnë në kushte të vështira, nën presione serioze, kërcënime dhe sulme, me paga të ulëta dhe sfida të mëdha që lidhen me sigurinë socio-ekonomike.
“Sot në Maqedoni, megjithëse në dukje ekziston liria e shprehjes, ajo është nën kërcënime serioze dhe të padukshme që vijnë nga qendra të fuqisë, gjendja e rëndë financiare e mediave, zhvillimi i shkretëtirave mediatike në një pjesë të madhe të territorit të vendit, si dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, veçanërisht në hapësirën online”, theksoi Bellovski.
Aleksandra Vallkanovska, nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, falënderoi për aksionin human, duke e vlerësuar punën e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë si një element të rëndësishëm në shoqëri.
“Është shumë e bukur mënyra me të cilën e shënoni këtë ditë. Është vërtetë inkurajuese që e keni njohur saktë humanizmin dhe solidaritetin në veprimin e mbështetjes ndaj të tjerëve përmes dhurimit të gjakut, në një ditë që është e juaja – e gazetarëve, lirisë së mediave dhe e të gjithë anëtarëve të sindikatës së punonjësve të mediave”, tha Valkanovska.
Ky aksion për dhurim gjaku organizohet për të tretin vit me radhë nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM), me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).
