Mbështetje dhe propozime nga SHGM për përbërjen e re të Këshillit Programor të RTM-së

Në qendër të takimit të sotëm të punës ndërmjet Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe një pjese të përbërjes së re të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë (RTM) ishin disa tema strategjike me rëndësi kyçe për përmirësimin e funksionimit të servisit publik radiodifuziv. Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, i prezantoi propozimet e Shoqatës që lidhen me pavarësinë redaktuese dhe institucionale, qëndrueshmërinë financiare, mbulimin rajonal dhe statusin e profesionistëve të medias në RTM.

Si një nga prioritetet kryesore u theksua nevoja për reformimin e kornizës ligjore, me qëllim sigurimin e autonomisë së plotë të servisit publik, mbrojtjes nga ndikimet politike dhe të tjera të jashtme, si dhe vendosjen e mekanizmave si ombudsmani etik dhe forcimi i rolit të Komisionit Etik. Ndër propozimet që u veçuan si prioritare dhe të realizueshme në një të ardhme të afërt janë:
- Formimi i qendrave lokale të korrespondentëve të RTM-së, për të siguruar mbulim kombëtar, veçanërisht në zonat rurale dhe më pak të përfaqësuara;
- Modernizimi i pajisjeve teknike, logjistikës në terren dhe kapaciteteve të tjera të nevojshme;
- Përshtatja e punës digjitale me trendet e reja të informimit profesional.

Gjithashtu, u diskutua edhe për domosdoshmërinë e hartimit të një plani zhvillimor dhe investues afatgjatë, i cili do të ndikojë në forcimin e pavarësisë gazetareske dhe përmirësimin e kushteve të punës për kameramanët, montazherët dhe profesionistët tjerë të medias.

Në takim morën pjesë tre anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Programor të RTM-së, të cilët morën mbështetje nga SHGM gjatë fazës së përzgjedhjes në Kuvendin e RMV-së: Davor Pashoski – kryetar, Patriot Lumani – zëvendës-kryetar dhe Marjan Velevski – anëtar. Takimi përfundoi me një gatishmëri të përbashkët për komunikim konstruktiv dhe të rregullt mes SHGM-së dhe Këshillit, në funksion të përparimit të servisit publik si një medium profesional dhe i pavarur në shërbim të qytetarëve.
