Masë disiplinore për personin që pengoi gazetarin në raportimin nga referendumi

Përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë u takuan sot me Kryetarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Oliver Derkovski. Gjatë takimit u bisedua për përmirësimin e praktikës së raportimit gjatë zgjedhjeve.
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani tha se gjatë referendumit mediat kanë raportuar lirisht nga procesi i votimit, me përjashtim të incidentit në Kumanovë, ku kryetari i Bordit Zgjedhor u ka ndaluar gazetarëve të fotografojnë në vendvotimin.
Selmani tha se KSHZ-ja nuk duhet të ketë ingerenca për të vlerësuar raportimin e internet portaleve gjatë fushatës zgjedhore. Së bashku konkluduan se ato dispozita të Kodit Zgjedhor janë të pazbatueshme.
Kryetari i KSHZ Derkovski premtoi se Komisioni do të fillojë procedurë disiplinore kundër personit që ka penguar raportimin e gazetarëve nga vendvotimet në Kumanovë.
Të dyja palët shprehën gatishmëri për të bashkëpunuar në edukimin e gazetarëve dhe anëtarëve të organeve zgjedhore në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e mediave gjatë kohës së zgjedhjeve.