Kritika ndaj mediave kërkon argumente, jo etiketime

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon përdorimin e kualifikimeve të përgjithshme dhe diskredituese ndaj mediave, redaksive dhe gazetarëve, veçanërisht kur ato plasohen në një kontekst të ndjeshëm politik dhe shoqëror dhe mund të kontribuojnë në polarizim të mëtejshëm të opinionit publik.
Shkas për këtë reagim janë paraqitjet publike në një podcast nga Bullgaria, si dhe publikimet mediatike të mëvonshme në gjuhën maqedonase, në të cilat janë dhënë kualifikime serioze negative për politikën editoriale të televizionit kombëtar Kanal 5. Gjatë periudhës së kaluar, SHGM ka pasur komunikim me redaksinë e këtij mediumi lidhur me këtë diskurs publik, prandaj është e rëndësishme të theksohen disa parime që vlejnë për të gjitha mediat dhe redaksitë.
SHGM rikujton se kritika publike ndaj mediave është pjesë përbërëse e hapësirës demokratike mediatike. Çdo media mund të jetë subjekt i debatit publik dhe profesional, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje me interes publik. Megjithatë, në një kontekst të ndjeshëm shoqëror dhe politik, është e rëndësishme që kritika e tillë të paraqitet me kujdes, me argumente të qarta dhe me respektim të standardeve profesionale dhe etike, në mënyrë që komunikimi publik të mos shndërrohet në etiketim apo në presion shtesë ndaj gazetarëve.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur diskursi publik lidhet me tema që prekin marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve ose marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në situata të tilla, mediat, ashtu si edhe pjesëmarrësit në debatin publik, duhet të jenë faktor stabiliteti, informimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, e jo shkak për ndarje të reja, stigmatizim apo keqpërdorim politik.
SHGM rikujton se për vërejtjet që lidhen me raportimin konkret ose me mosrespektimin e standardeve profesionale dhe etike nga cilido medium në vend, ekzistojnë mekanizma të vendosur dhe kredibilë të vetërregullimit mediatik. Çështje të tilla mund të shqyrtohen para Këshillit të Nderit pranë SHGM-së dhe para Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM), ku mundësohet një vlerësim profesional, i paanshëm dhe i argumentuar.
Prandaj, SHGM u bën thirrje të gjithë gazetarëve, redaktorëve, komentuesve, figurave publike dhe pjesëmarrësve në diskursin mediatik që të veprojnë me përgjegjësi, të shmangin etiketimet dhe të kontribuojnë për një komunikim publik të bazuar në fakte, standarde profesionale dhe respektimin e dinjitetit të gazetarëve dhe redaksive.
