Konferencë rajonale në Beograd “Gazetaria nën sulm: Koha e mungesës së lirisë dhe e qëndrueshmërisë së profesionit”

Përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) nga 29 shtatori deri më 1 tetor morën pjesë në mënyrë aktive në konferencën rajonale “Gazetaria nën sulm: Koha e mungesës së lirisë dhe e qëndrueshmërisë së profesionit”, e cila u mbajt në Beograd.
Konferenca mblodhi gazetarë, ekspertë juridikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga rajoni i Ballkanit Perëndimor me qëllim diskutimin mbi sfidat më të mëdha me të cilat përballet komuniteti mediatik.



Në kuadër të programit, në panel-diskutimin mbi sigurinë e gazetareve në Ballkanin Perëndimor mori pjesë Verçe Todorovska Kostovska, e cila prezantoi rezultatet e raportit “Treguesit për shkallën e lirisë së mediave dhe Indeksi i sigurisë së gazetarëve 2024”.
Në panelin “Siguria e gazetareve në Ballkanin Perëndimor – mes dhunës gjinore dhe presioneve profesionale” foli gazetarja dhe anëtarja e SHGM-së, Lepa Xhundeva, e cila së bashku me disa gazetare nga rajoni ndau përvojat e tyre personale të kërcënimeve dhe dhunës ndaj tyre.
Gjithashtu, Biljana Arsovska nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit mori pjesë në panelin kushtuar sigurisë së gazetarëve dhe mosndëshkueshmërisë së sulmeve ndaj tyre.
Veçanërisht vëmendje të madhe ngjalli panel-diskutimi mbi paditë SLAPP, ku moderator ishte drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski. Në këtë pjesë u prezantuan sfidat dhe pasojat nga keqpërdorimi i padive si mjet presioni dhe frikësimi ndaj gazetarëve.
Në kuadër të konferencës, ku morën pjesë rreth njëqind përfaqësues të shoqatave të gazetarëve, sindikatave dhe institucioneve të tjera, u prezantua Deklarata për përmirësimin e sigurisë së gazetareve në Ballkanin Perëndimor – e cila nënvizon përkushtimin ndaj barazisë gjinore, lirisë së mediave dhe përgjegjshmërisë demokratike.
Ky aktivitet u organizua nga Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS), organizatë partnere e SHGM-së, në kuadër të platformës Safe Journalists.

