Këshilli i Nderit pranë SHGM: Dënim për gjuhën fyese të Filip Petrovskit në podkastin e “Infomax”

Këshilli i Nderit pranë Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) mori kërkesë nga organizata qytetare Qendra Edukative Mediale 24 Vakti për publikimin e një reagimi publik për gjuhën fyese të përdorur në podkastin “Teshki Muabeti” me Filip Petrovskin, Meçka-n dhe Miço-n, në episodin 188, sezoni i 5, më 5 qershor 2025, të transmetuar drejtpërdrejt në Facebook.
Këshilli e shqyrtoi ankesën dhe në përputhje me të, dënon ashpër përdorimin e gjuhës shqetësuese në podkastin e “Infomax” nga ana e të ftuarit Filip Petrovski. Në emision, pavarësisht vërejtjes së moderatores, Petrovski përdori shprehjet “ciganë” dhe “punë cigani” në një kontekst negativ, dhe në të njëjtin narrativ përdori edhe termin “Rom”, duke ofenduar kështu komunitetin rom dhe duke kontribuar në përhapjen e stereotipeve dhe mosdurimit etnik. Në të njëjtin podkast u përdorën edhe shprehje të tjera fyese ndaj komuniteteve të tjera, gjë që po ashtu e dënojmë.
Përdorimi i termave të tillë diskriminues dhe fyes është në kundërshtim me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë. Rikujtojmë nenin 10 të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë, i cili thekson qartë se: “Gazetari nuk do të krijojë ose përpunojë me vetëdije informacione që nxisin ose arsyetojnë diskriminimin mbi çfarëdo baze – siç janë përkatësia etnike, fetare, gjinore, orientimi seksual, përkatësia politike apo prejardhja shoqërore.”
Edhe pse Petrovski ishte i ftuar në emision, mediat kanë detyrim të parandalojnë që të transmetohen deklarata të tilla, ose nëse ndodhin gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, duhet të ketë një distancim të qartë dhe të paekuivok. Këshilli i Nderit vëren se moderatorja u përpoq të reagojë ndaj deklaratave, duke e qortuar të ftuarin për gjuhën fyese, por gjithsesi, situata të tilla kërkojnë ndërhyrje më vendimtare redaktoriale dhe distancim të qartë nga deklaratat diskriminuese në momentin e ndodhjes, përmes ndalimit të zhvillimit të mëtejshëm të diskutimit dhe dënimit nga i gjithë ekipi redaktorial.
Këshilli u bën apel të gjithë mediave dhe gazetarëve për më shumë kujdes dhe profesionalizëm në përzgjedhjen e të ftuarve dhe në moderimin redaktorial të emisioneve, sidomos kur ato janë drejtpërdrejt.
Në fund, Këshilli i Nderit i bën thirrje Filip Petrovskit t’i kërkojë ndjesë komunitetit rom për deklaratën fyese dhe të papërshtatshme që e tha në hapësirën publike. Një kërkim falje publik do të përbënte një akt përgjegjësie dhe kontribut drejt ndreqjes së dëmit të shkaktuar.
Këshilli i Nderit pranë SHGM
