KËSHILLAT LOKALË PËR PARANDALIM DHE BASHKËSITË FETARE NË LUFTËN KUNDËR TERRORIZMIT DHE EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM

Në shumicën e qyteteve në vendin tonë funksionojnë Këshillat lokalë për parandalim. Roli i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm në parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe, veçanërisht, në mjediset multietnike dhe multifetare, siç është Kumanova. Atje për dymbëdhjetë vjet funksionon Këshilli lokal për parandalim, në të cilin, përveç përfaqësuesve nga institucione të ndryshme, ka edhe përfaqësues të bashkësive fetare.
“Roli i klerikëve fetarë është i madh. Ata kanë një ndikim të rëndësishëm tek besimtarët, sepse ata respektohen dhe mund të shfrytëzojnë pozicionin e tyre dhe të ndikojnë pozitivisht duke biseduar me qytetarët. Asnjë fe nuk promovon dhunën. Përkundrazi, promovon paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën. Në përgjithësi, Këshilli lokal për parandalim në Kumanovë po funksionon mirë deri më tani, por tani me aktivitete më ndryshe për shkak të pandemisë”, thonë zyrtarët nga Këshilli.
Gjatë viteve, me aktivitete parandaluese që i realizon Këshilli me nxënës të shkollave të mesme dhe të shkollave fillore është ndikuar pozitivisht në zvogëlimin e incidenteve që ndërlidhen me garat sportive. Nëse në të kaluarën shpesh kishte ndodhur që të kishte dhunë midis grupeve rivale të tifozëve, tani numrat janë zvogëluar ndjeshëm.
“Në Kumanovë, vitin e kaluar, brenda Këshillit lokal për parandalim, u krijua një grup pune tematike për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, respektivisht Ekip i Veprimit në komunitet, i përbërë nga 12 anëtarë nga shërbime të ndryshme të institucioneve arsimore, organizatave civile dhe fetare dhe, sipas nevojës, inkuadrohen edhe anëtarë të tjerë, të cilët funksionojnë vazhdimisht dhe marrin masa për edukimin dhe njohjen e shenjave të hershme të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, sqarojnë nga MPB-ja.
Ekipi deri më tani ka mbajtur disa trajnime dhe aktivitete të shumta me të rinj në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm në sport, pastaj aktivitete mbi ndikimin e grave në sigurinë e familjes dhe njohjen e ekstremizmit të dhunshëm tek fëmijët. Përveç kësaj, janë mbajtur kurse online mbi ndikimin e pandemisë në sjelljen ekstreme dhe mbi dhunën në një mjedis multietnik. Në aktivitetet parandaluese janë mbajtur trajnime me punonjës socialë, shëndetësorë dhe sportivë.
“Departamenti për parandalim i SPB Kumanovë, në punën e vet i përfshinë edhe komunitetet fetare, të cilët përmes takimeve të përbashkëta dhe ndarjes së informacioneve mbi sigurinë, të njëjtat informata ua drejtojnë besimtarëve gjatë liturgjive dhe lutjeve”, thonë nga Këshilli lokal për parandalim.
Edhe në komunën e Shtipit nga viti 2008, si dhe në shumicën e qendrave më të mëdha, funksionon Këshill lokal për parandalim. Asnjë rast i ekstremizmit të dhunshëm nuk është regjistruar në territorin e kësaj komune, kumtuan nga MPB-ja.
“Këshilli lokal për parandalim ka grupe punuese tematike dhe, në varësi të problemeve, përveç anëtarëve të përhershëm, në mbledhje marrin pjesë edhe anëtarë të tjerë, në varësi të rendit të ditës të mbledhjes dhe çështjeve që do të diskutohen, respektivisht nëse është e nevojshme ftohen edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare. Në kuadër të Këshillit lokal për parandalimin është krijuar një grup pune tematike për parandalimin dhe pengimin e ekstremizmit të dhunshëm”, thonë nga MPB-ja.
Prof. Dr. Rade Rajkovçevski nga Fakulteti i Sigurisë e thekson rëndësinë e bashkësive fetare në shoqëri, të cilat përmes udhëheqësve të tyre duhet të dërgojnë mesazhe për tolerancë dhe maturi. Mesazhet e mira dhe të qarta të udhëheqësve fetarë që përmbajnë maturi në atë që e propagandojnë ose predikojnë, pa gjuhë urrejtjeje, janë tërësisht të mjaftueshme për të mos krijuar radikalizëm dhe ndarje shtesë në shoqërinë e ndarë, konsideron Rajkovçevski.
“Nga përvoja e deritanishme, vërejmë se turbulenca të caktuara në disa bashkësi fetare përfunduan me zvogëlimin e autoritetit të udhëheqësve të tyre, krijimin e fraksioneve në menaxhimin me bashkësitë fetare dhe humbjen e kontrollit mbi disa objekte fetare. Prandaj, shtrohen pyetjet: Sa të hapur janë përfaqësuesit e bashkësive fetare ndaj publikut dhe institucioneve për bashkëpunim të përbashkët në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në mikro-tërësitë? Sa imunë janë përfaqësuesit e bashkësive fetare ndaj politizimit? Politizimi mund të jetë një nga pengesat kryesore për zbatimin konsekuent të masave për të parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke pasur parasysh kontekstin socio-politik të marrëdhënieve midis përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe shtetit dhe qasjen sekulariste në përcaktimin e shtetit”, thotë Rajkovçevski.
Ndjenja individuale e përgjegjësisë së liderëve fetarë është e rëndësishme, shton profesori, i cili thekson se çdo përzierje e shtetit në politikën e menaxhimit të bashkësive fetare do të jetë një ndërhyrje në punën e tyre. “Sidoqoftë, unë besoj se udhëheqësve fetarë duhet t’u imponohen mekanizma të fortë të përgjegjësisë, jo më pak rigorozë sesa ato të përshkruara tashmë me ligj. Situatat në të cilat një udhëheqës fetar bën deklarata publike me një dozë të konsiderueshme të gjuhës së urrejtjes nuk duhet toleruar aspak nga institucionet shtetërore dhe duhet t’u nënshtrohen të paktën të njëjtës përgjegjësi penale dhe sanksioni si për çdo qytetar që kryen të njëjtën vepër. Deklaratat e cilitdo udhëheqës të një bashkësie fetare mund të polarizojnë shumë nga pasuesit e tij dhe të bëhen thelbi i ekstremizmit të dhunshëm”, sqaron Rajkovçevski.
Edhe roli i Këshillave lokalë të parandalimit është gjithashtu i rëndësishëm, por në thelb këto këshilla nuk kanë buxhet, dhe në disa komuna ato funksionojnë vetëm në letër, tregon hulumtimi i sivjetshëm i OJQ-së “NEXUS”. Drejtoresha ekzekutive e “NEXUS”, Afrodita Musliu, thotë se roli dhe efikasiteti i Këshillave lokalë të parandalimit duhet të forcohet, veçanërisht dukshmëria dhe azhurniteti i tyre, që duhet të kontribuojnë në parandalimin e situatave dhe të radikalizmit.
Sektori i shoqërisë civile nuk mund dhe nuk duhet të merret me parandalimin e aktiviteteve terroriste, sepse kjo është punë e shërbimeve të sigurisë dhe institucioneve.
“BFI-ja, Këshillat lokalë të parandalimit, personeli i shkollës, familja, janë vendet kryesore ku mund të parandalohet radikalizmi që mund të çojë në ekstremizëm të dhunshëm. Nevojitet që në mënyrë sistematike dhe në këtë fushëveprim të detektohen shenjat e para të radikalizmit dhe të reagohet në kohë. Për mua, terrorizmi është akt që shpërbëhet me represion, para se të ndodhë krimi. Por, ne kemi dështuar më së shumti në krijimin e mjeteve për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Këto përfshijnë programe për ndërtimin e rezistencës tek të rinjtë dhe në komunitet në përgjithësi, në mënyrë që të parandalohet dhe të reagohet në kohën e duhur. ‘NEXUS’ tashmë është duke punuar në këtë, por është e nevojshme të përfshihen më shumë aktorë dhe institucione dhe të zhvillohen programe edhe brenda Këshillave lokalë të parandalimit”, shton Musliu.
Këto procese konfirmojnë se është i rëndësishëm roli i Këshillave lokalë të parandalimit. Ato doemos duhet të kuptojnë rolin e tyre të rëndësishëm si mekanizëm për zgjidhjen e fenomeneve që çojnë në terrorizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm përmes punës së vazhdueshme, veçanërisht me të rinjtë.
Përgatitën: Aleksandra Maksimovska, Vesna Skenderska, Liljana Pecova, Valeria Sokolova Stojanovska.
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.