Jo programit të paguar politik me para publike

Përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dje u takuan me ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ku diskutuan për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe për ndikimin e partive politike në pavarësinë e mediave.
Një nga temat e takimit ishte kërkesat e organizatave gazetareske për ndryshimin e Kodit Penal përmes të cilave profesionistët e mediave do të përfshihen me dispozita të veçanta në lidhje me sigurinë e tyre. Është rënë dakord që SHGM-ja dhe SPGPM-ja të jenë pjesë e grupit të punës për përcaktimin e dispozitave të këtij ligji në pjesën e veprave kriminale që u referohen formave të ndryshme të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatik.
Kërkesë e të dyja organizatave është që ndryshimet në Kodin Penal që institucionet, sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, të detyrohen t’i hetojnë dhe sanksionojnë sipas detyrës zyrtare, kurse ndëshkimet për sulmuesit të jenë më të larta.
“Institucionet duhet të adresojnë mosndëshkimin dhe të jenë më efektive kur bëhet fjalë për sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve, sepse vetëm në këtë mënyrë profesionistët e mediave do të munden që lirshëm dhe pa presione të kryejnë punën e tyre që është me interes publik”, theksuan nga SPGPM-ja.
SHGM-ja dhe SPGPM-ja gjithashtu paraqitën argumente lidhur me atë se në cilat drejtime duhet të jenë ndryshimet në Ligjin për shpifje dhe fyerje në mënyrë që të sigurohet mbrojtje shtesë për gazetarët, por edhe për Ligjin zgjedhor në pjesën e programit të paguar politik. Përfaqësuesit e organizatave të gazetarëve i theksuan pasojat negative të parave publike për program të paguar politik, duke rikujtuar se në këtë mënyrë korruptohen mediat dhe ndikohet në politikën e tyre redaktuese.
Kryetari i SHGM-së, Çadikovski theksoi: “partitë politike në zgjedhjet e fundit bënë aheng privat në media me fushatat e tyre partiake dhe e gjithë kjo ishte në kurriz të qytetarëve, ndërsa nuk u mbajt llogari për interesin publik”.
Ministri Mariçiq u zotua që në grupet e punës për ndryshimin dhe plotësimin e këtyre ligjeve të ketë anëtarë nga SHGM-ja dhe SPGPM-ja të cilët do të munden t’i paraqesin argumentet e tyre për kërkesat në drejtim të përmirësimit të zgjidhjeve sistematike në këtë sektor. Sipas ministrit, disa nga ligjet do të miratohen deri në fund të këtij viti, kurse të tjerat në fillim të vitit të ardhshëm.