Gazetaria gjatë koronës dhe postkoronës

Në mes të “zjarrit”, përballë sfidave të ndryshme dhe të ngarkuar me më shumë përgjegjësi
Përballje me rrezikun e infeksionit, përgjegjësi për shëndetin e të tjerëve, punë në distancë, në kushte të veçanta dhe masa mbrojtëse, zbatim i metodave dhe mjeteve të reja për punë – gazetarët dhe punonjësit e mediave kaluan nëpër të gjitha këto sfida gjatë pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme dhe, më në fund, u përballën me përgjegjësinë për të informuar me saktësi, në mënyrë të drejtë, për të mos përhapur panik dhe, në të njëjtën kohë, për të alarmuar për mbrojtje.
Nga njëra anë, rreziku koronavirusit dhe, nga ana tjetër, gazetarët ishin nën mbikëqyrjen e publikut, institucioneve kompetente dhe ndërgjegjes personale për informim profesional. Vlerësimet janë kryesisht se gazetarët në Maqedoninë e Veriut e kanë kryer punën e tyre profesionalisht, ka pasur gabime dhe lëshime por, në të njëjtën kohë, kishte edhe gazetarë dhe media që e keqpërdorën situatën.
“Fatkeqësisht, edhe pse pritjet ishin që, kur bëhet fjalë për një problem që e prek shëndetin publik, raportimi do të jetë përgjegjës dhe profesional, edhe gjatë pandemisë disa media kanë vazhduar të funksionojnë në kundërshtim me standardet profesionale”, thotë Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni.
Këshilli për Etikë në Media (KEM) vazhdon të reagojë lidhur me rastet e shpeshta të raportimeve joetike dhe joprofesionale, thotë Sinadinovska dhe, posaçërisht, përhapjes së spekulimeve në media të caktuara për pandeminë e koronavirusit. Sipas vlerësimeve të KEMM-it, raportimi i njëanshëm dhe spekulativ në kushte të tilla mund të rrisë më tej shqetësimin dhe panikun dhe të inkurajojë sjelljet joracionale të qytetarëve.
“Nga momenti i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme deri më sot, 47 raste të raportimeve joprofesionale dhe joetike janë denoncuar në Komisionin e Ankesave pranë KEMM-it. Nga këto, shumica (31 ankesa ose 66 për qind e rasteve) kanë të bëjnë me raportimet rreth pandemisë së koronavirusit. Shkelje të nenit 1 të Kodit të Gazetarëve, në lidhje me publikimin e informacioneve të saktë dhe të verifikuara, është përcaktuar në 39% të rasteve të denoncuara, ndërsa shkelje të nenit 8 të Kodit të Gazetarëve, pra informim sensacional, është përcaktuar në 35% të rasteve të denoncuara”, thotë Sinadinovska.
Gjatë pandemisë, opinioni reagoi edhe në përpjekjet për politizimin e krizës rreth koronavirusit në media, ndërsa në një numër të rasteve të denoncuara në KEMM është konstatuar se gazetarët nuk sigurojnë distancë profesionale nga subjektet politike, respektivisht shkelet neni 14 i Kodit të Gazetarëve (32%).
“Mediat nuk duhet të shfrytëzohen për ndarjen e njerëzve përmes përplasjeve të ndryshme politike dhe koronavirusi nuk duhet të jetë ‘arma’ që do të shfrytëzohet nga cilido politikan, qoftë i pushtetit apo i opozitës, për përfitime politike. Në 16% të rasteve, bëhet fjalë për shkelje të nenit 12 të Kodit të Gazetarëve, sipas të cilit plagjiatura është e papranueshme, ndërsa citatet nuk mund të përdoren pa e theksuar burimin ose autorin. Nëse informacioni është marrë prej diku, burimi duhet të specifikohet. Në këtë kontekst, KEMM u bën thirrje mediave që në mënyrë të qartë dhe eksplicite ta paraqesin burimin dhe autorin gjatë marrjes së përmbajtjeve nga një medium tjetër ose nga rrjetet sociale”, thotë Katerina Sinadinovska, kryetare e KEMM-it.
Një praktikë pozitive që e ka vërejtur KEMM-i është se vjen duke u rritur numri i rasteve që zgjidhen përmes mediacionit dhe, në këtë drejtim, Komisioni i ankesave pranë KEMM-it e përshëndet gatishmërinë e mediave për t’u korrigjuar, kur konstatohet lëshim në përmbajtje. KEMM-i vazhdon ta mbikëqyrë mënyrën e informimit të mediave, si të atyre që janë pjesë e anëtarësisë, po ashtu edhe të atyre që akoma nuk janë anëtare të këtij Këshilli dhe do të apelojmë për respektimin konsekuent të Kodit të Gazetarëve, si parakusht për raportim profesional. Vetërregullimi është mënyra e vetme e sigurt që mediat t’i përmirësojnë praktikat e tyre të raportimit, duke mbrojtur lirinë e të shprehurit dhe të raportimit, pa u përballur me mekanizma të tjerë kontrolli ose “gjykimi” të punës së tyre.
Ankesa të parashtruara për punën e mediave gjatë pandemisë
Duke filluar prej 26 shkurt deri më tani në KEMM janë parashtruar 47 ankesa lidhur me informimin e mediave, prej të cilave 66%, respektivisht 31 ankesa, u referohen raportimit mbi koronavirusin.
Ankesa, në të cilat është evidentuar shkelje e nenit 1 të Kodit (Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente) – 12 ose 39%
Ankesa, në të cilat është evidentuar shkelje e nenit 8 të Kodit (për sensacion) – 11 ose 35%
Ankesa, në të cilat është evidentuar shkelje me bazë “Përplasje politike nëpërmjet prizmit të pandemisë” – 10 ose 32%
Ankesa, në të cilat është evidentuar shkelje me bazë “Plagjiaturë” – 5 ose 16%
Ankesa, në të cilat është evidentuar shkelje me bazë “Përzierje e fakteve dhe mendimeve me lajm dhe koment” – 2 ose 6%
Një nga rreziqet me të cilat u përballën shumë gazetarë dhe punonjës të mediave është edhe shëndeti i tyre personal. Dy kolegë gazetarë u infektuan me koronavirusin dhe, për fat të mirë, u shëruan e u kthyen në punë. Njëri prej tyre është Mirçe Adamçevski, i cili në një intervistë të drejtpërdrejtë e përshkroi të gjithë situatën dhe vështirësitë në të cilat kaloi.
Mjete dhe metoda të reja dhe informim nga distanca
Një sfidë tjetër gjatë pandemisë ishte përdorimi i mjeteve dhe metodave të reja për punë të gazetarëve dhe mediave. Për shkak të masave për të mbajtur distancën, ndalimit të grupimit dhe masave të tjera mbrojtëse, mediat ishin të detyruara që një pjesë të punës ta përfundojnë nga distanca. Për këtë qëllim, shumica e institucioneve filluan të kryejnë transmetime online të konferencave për shtyp dhe gazetarët ishin të pranishëm vetëm kur u duhej të parashtronin pyetje por, edhe për këtë qëllim, filloi të aplikohet video-konferencë dhe parashtrim i pyetjeve përmes platformave online.
Anë e mirë e praktikës së re ishte lehtësia e mbledhjes së materialeve dhe mbrojtja e shëndetit por, nga ana tjetër, gazetarët dhe mediat ishin të kufizuar në punën e tyre dhe për hulumtime më të thella për çështje dhe raste të caktuara. Vështirësitë u vunë re në pjesën e debateve dhe emisioneve informative ku me herët kanë marrë pjesë palë, ekspertë, funksionarë, ndërsa gjatë pandemisë e gjithë kjo duhej të bëhej, në shumicën e rasteve, përmes platformave online. Lidhur me këtë se si kanë kaluar organizatorët dhe udhëheqësit e emisioneve gjatë pandemisë, ne kërkuam deklaratë nga Avdi Bakiu, udhëheqës i emisionit ENTER në TV SHENJA, i cili shumicën e bisedave i ka realizuar online në distancë ose më së shumti me vetëm një të ftuar në studio.
Avdi Bakiu, udhëheqës i emisionit ENTER në TV SHENJA
“Natyrisht, edhe ne udhëheqësit e emisioneve kishim vështirësi gjatë organizimit të emisioneve, kur kemi parasysh faktin që zgjedhjet parlamentare duhej të mbaheshin më 12 prill, por të gjitha u prolonguan për një kohë të pacaktuar për shkak të krizës së koronavirusit. Për shkak të kësaj, jo vetëm gazetarët që punojnë në terren dhe ndjekin ngjarje të caktuara, por edhe ne udhëheqësit e emisioneve jemi ballafaquar me probleme me organizimin e emisioneve dhe të njëjtat janë realizuar në forma më të avancuara. Për shembull, në vend që mysafirët të vijnë në studio dhe të ballafaqohen me njëri-tjetrin, emisioni duhej organizuar përmes platformave online ose aplikacioneve të ngjashme të cilat janë tashmë në celularë ose kompjuterë. Si vështirësi tjetër ishte se një numër i të ftuarve që ishin më të moshuar nuk janë të informuar për përdorimin e aplikacioneve me të cilat do të kenë akses edhe në emisione. Emisionet, në të shumtën e rasteve, shkonin drejtpërdrejt dhe, natyrisht kemi pasur problem me realizimin e tyre edhe për shkak të problemeve me rrjetin, kemi pasur ndërprerje të lidhjes dhe emisioni ka dalë më i zbehur. Kurse në aspekt tjetër, ka pasur mungesë të debatit, sepse thuajse ka qenë e pamundur të përballësh dy personalitete me mendime të ndryshme, si dhe t’i përballësh për shkak të mënyrës së realizimit të emisionit përmes platformave online, dhe për shkak të faktit që të ftuarit nuk kanë qenë të pranishëm fizikisht ne emision për të debatuar. Ne shpresojmë që kjo periudhë së shpejti do të përfundojë për t’iu kthyer realitetit, programit dhe skenarit për realizimin e emisioneve që do të prodhojnë edhe debat.”
Përveç vështirësive të theksuara më lartë, gjatë kësaj kohe u paraqit edhe rrezik i ri. Më të prekur nga trendet e reja janë kameramanët, ndërsa rreth kësaj tashmë ka filluar të bisedohet edhe në kuluaret mediatike. Transmetimi online i konferencave për shtyp nga funksionarët dhe institucionet mund të shpie në pushimin nga puna të shumë kameramanëve, nëse pronarët e mediave, sidomos në periudhën e postkoronës, vendosin të kursejnë dhe të reduktojnë numrin e të punësuarve.
Intervistë me Mirçe Adamçevski
Gazetaria është një profesion i rrezikshëm në vetvete dhe mbartë shumë sfida dhe rreziqe. Në kohë të pandemisë, kur është më e rëndësishmja të qëndrojmë në shtëpi për të shpëtuar jetë, në linjat e para të “fushëbetejës”, krahas stafit mjekësor, reporterët janë në terren çdo ditë, të ekspozuar ndaj virusit, raportojnë për gjendjen e COVID -19 në vendin tonë.
Koronavirusi i ri ka treguar se askush nuk është imun dhe secili mund të infektohet.
Gazetari Mirçe Adamçevski është një nga ata njerëz që doli pozitiv me virusin dhe, për fat të mirë, arriti të shërohet.
Adamçevski na rrëfeu rrugën e tij që nga momenti kur zbuloi se ai ishte pozitiv me koronavirusin e ri deri në mposhtjen e të njëjtit.
1. Si e përjetuat periudhën e sëmundjes deri në shërimin tuaj?
– Si çështje që duhej të ndodhte. Ose fati ashtu ka qenë i shkruar ashtu. Dhe, kur do të të ndodh, pret që të kalojë lehtë. Vetizolim 14 ditë. Nuk ke ndjesinë se je i sëmurë, kurse je pozitiv me koronavirus. Por, me kalimin e kohës, paraqiten shenjat e parë. Temperaturë e ulët, humbje oreksi, humbje e pjesshme e nuhatjes dhe shijes. Dobësi fizike. Atëherë fillojnë dyshimet se puna mund të jetë serioze. Temperaturat e larta po vijnë. Rekomandim nga mjeku i familjes për në klinikë infektive. Aty procedura…, protokolle. Temperatura normalizohet pas dy ditësh. Por, protokolli thotë se duhet të jesh nën trajtim për 14 ditë – të paktën. Dhe kështu dy javë me infuzione, tableta, kontrolle … Infermiere që nuk mund të mos respektohen. Të vlefshme, të ndjeshme, të vetësakrifikuara… Dymbëdhjetë orë në ditë. Mjekë, të cilët janë të ndarë në rutinorë dhe komunikues me pacientët dhe japin optimizëm. Dhe, kështu, kalojnë dy javë. Ndërkohë, janë kryer skanimet e mushkërive dhe testet e koronavirusit. Mushkëritë janë OK! Testet janë negative. Kështu që mund të shkoni në shtëpi. Sigurisht, me karantinë dyjavore. Fillon rehabilitimi. Gjithsej dyzet ditë vetizolim dhe izolim. Ditët e para jashtë shtëpisë janë të çuditshme. Jo i mësuar me “lirinë”. Sidoqoftë, përshtatja me situatën e re ndodhë shpejt. Sigurisht që rehabilitimi vazhdon. Ecja në ajër të pastër, çiklizëm dhe terapi me vitamina.
2. Çfarë pasoja ka lënë virusi në shëndetin tuaj mendor dhe emocional?
– Asnjë pasojë. Optimizmin që e kultivova në spital më ndihmoi të shmang pasojat mendore dhe emocionale. Muzika, mbi të gjitha, ishte ilaçi im në klinikë derisa i numëroja ditët e mia në spital. Kështu vazhdoj edhe sot e kësaj dite që nga dalja nga spitali.
3. Si përballeni me mjedisin tani dhe si ju trajtojnë njerëzit pasi kuptuan se e keni pasur virusin?
– Mjedisi gradualisht më ka pranuar ashtu siç jam. Si njeri që e ka kapërcyer koronavirusin. Unë shoqërohem me miqtë, natyrisht, duke respektuar të gjitha rekomandimet për mbrojtjen nga koronavirusi. Unë besoj që kam antitrupa në gjakun tim, që do të thotë një lloj imuniteti. Sidoqoftë, rekomandimet e mjekëve duhet të ndiqen. Mbi të gjitha mbajtja e maskës. Pasi dola nga spitali, në fillim, disa nga fqinjët në bisedë e sipër me mua gradualisht largoheshin nga unë. Sikur jam akoma i infektuar. Me kalimin e kohës, paragjykime të tilla zhduken ose zvogëlohen. Por jo tek të gjithë. Ende ka njerëz që nuk besojnë se virusi ekziston. Dhe me tallje e shikojnë qëndrimin tim në spital. Sidoqoftë, është problemi i tyre, jo imi, kështu që le të merren me të ashtu siç dëshirojnë dhe munden.
Përgatitën: Kristina Ivanovska, Arben Zeqiri, Dushko Stefanov
Kjo storje është bërë në kuadër të punëtorisë “Gazetaria në kohë të pandemisë, gjendjes së jashtëzakonshme dhe karantinës – Sfidat, përgjegjësia dhe periudha e ndryshimit dhe përshtatjes” e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë pikëpamjet e organizatorëve.