Forcimi i standardeve etike në gazetari përmes trajnimit mbi Kodin e ri të Gazetarëve dhe kameramanëve të Radio Televizionit të Maqedonisë

Si të zbatohet Kodi i ri i Gazetarëve në punën e përditshme, si të ruhet integriteti profesional, të identifikohen dilemat etike dhe t’u jepet përgjigje sfidave që sjellin dezinformimi, gazetaria digjitale dhe inteligjenca artificiale, ishin disa nga temat për të cilat gazetarët dhe punonjësit mediatikë të Radio Televizionit të Maqedonisë diskutuan gjatë trajnimit dyditor “Kodi i ri i Gazetarëve të Maqedonisë: Etika, profesionalizmi dhe pavarësia”, të organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) më 24 dhe 25 korrik në Ohër.

Trajnimi u zhvillua përmes një qasjeje interaktive, e cila përfshinte prezantime, diskutime, ushtrime në grup, analiza të rasteve dhe simulime, me qëllim nxitjen e zbatimit praktik të njohurive të fituara. Trajnues ishin Vasko Magleshov, Ognen Janeski dhe Trajçe Ilievski.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me risitë e Kodit të Gazetarëve, si dhe me zbatimin e tij në praktikën e përditshme gazetareske. Fokusi ishte te parimet themelore të gazetarisë, saktësia dhe integriteti, etika, interesi publik, verifikimi i informacioneve, përdorimi i burimeve, si dhe dallimi ndërmjet fakteve, opinioneve dhe komenteve. Gjithashtu u trajtuan çështje që lidhen me korrigjimet, demantet, transparencën, plagjiaturën dhe manipulimin, si dhe sfidat e gazetarisë bashkëkohore – raportimi i ndjeshëm, mbrojtja e privatësisë dhe dinjitetit, trajtimi i fëmijëve dhe grupeve të cenueshme, gjuha e urrejtjes, diskriminimi dhe stereotipet.



Trajnuesi Vasko Magleshov theksoi se një vëmendje e veçantë iu kushtua ndryshimeve në dispozitat e Kodit Etik, veçanërisht atyre që sjellin rregulla të reja të vetërregullimit.

“Me kolegët nga servisi publik radiodifuziv, përmes shembujve diskutuam se çfarë përfaqëson interesi publik dhe nevojën për ta dalluar qartë atë nga kureshtja e publikut. Përmes ushtrimeve praktike i vendosëm pjesëmarrësit në situata ku duhej të merrnin një vendim profesional dhe të bënin një zgjedhje etike në situata konkrete”, tha Magleshov.
Ai shtoi se gjatë trajnimit u trajtuan edhe dispozitat e reja që për herë të parë përfshihen në Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë, të cilat kanë të bëjnë me incizimet e fshehta, raportimin për vetëvrasjet dhe tentativat për vetëvrasje, përdorimin e inteligjencës artificiale si mjet për krijimin dhe përpunimin e përmbajtjeve, si dhe integritetin gazetaresk në raport me dhuratat dhe përfitimet e tjera.
Trajnuesi Ognen Janeski theksoi se me rëndësi të veçantë ishte fakti që dispozitat e Kodit të ri të Gazetarëve u trajtuan përmes dilemave konkrete profesionale dhe vendimeve editoriale.

“Për mua, pjesa më e vlefshme e punës me kolegët nga Radio Televizioni i Maqedonisë ishte fakti që dispozitat e Kodit të ri i shndërruam në dilema konkrete profesionale dhe vendime editoriale. Përmes rasteve nga praktika e përditshme diskutuam se si duhet vepruar kur ndërthuren shpejtësia, interesi publik, dinjiteti i njerëzve dhe përgjegjësia ndaj publikut. Për servisin publik radiodifuziv, biseda të tilla kanë peshë të veçantë, sepse besimi ndërtohet përmes vendimeve të qëndrueshme, të argumentuara dhe etike”, tha Janeski.
Ai shtoi se qasja praktike dhe diskutimet mbi situata reale u mundësuan pjesëmarrësve të kuptojnë më mirë parimet e Kodit dhe mënyrën e zbatimit të tyre në punën e përditshme gazetareske.
Ky aktivitet ishte pjesë e projektit “Forcimi i standardeve gazetareske për besim më të madh në media”, i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas. Qëllimi i projektit është të kontribuojë në avancimin e praktikave profesionale dhe respektimin e parimeve etike në gazetarinë e Maqedonisë së Veriut.

“Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi ekskluzive e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas apo të organizatave që e zbatojnë programin.”
