FILLOI BASHKËPUNIMI I SHGM-SË ME PROKUROREN PËR GAZETARË TË SULMUAR, DO TË AKTIVOHEN EDHE HETIMET E VJETRA QË KANË NGELUR TË PAZGJIDHURA

Pas emërimit të Iskra Haxhi Vasileva për prokurore e cila do të monitorojë procedurat në rastet në të cilat gazetarët janë sulmuar, në të cilët janë dëmtuar, janë paraqitur si dëshmitarë apo kanë paraqitur raste në lidhje me pengesa në kryerjen e detyrave të tyre të punës, prokurori publik i Shkupit, Gavril Bubevski dhe Haxhi Vasileva para Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sqaruan se cilat do të jenë kompetencat e prokurores.
Bëhet fjalë për një linjë të hapur në Prokurorinë Publike, në të cilën gazetarët mund të paraqiten tek Haxhi Vasileva në lidhje me procedurat për sulme fizike dhe dhunë, si dhe për kërcënime serioze ndaj jetës së tyre në Twitter, Facebook, WhatsApp apo me email. Gjithashtu, edhe për shkatërrimin e pronës së gazetarëve dhe punonjësve mediatik nëse kjo ka të bëjë me punën e tyre – raportim, incizim, kronikë të publikuar, tekst të shkruar, fotografi, inserte të incizuara…, si dhe për vepra të tjera, të cilat më parë i kanë paraqitur në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ajo do t’i koordinojë këto procedura.
Ky është një pilot-projekt që premton një shkallë më të lartë të mbrojtjes për gazetarët dhe punonjësit mediatik në lidhje me punën e tyre dhe me kërkesë të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë. Ky është rezultat i pakënaqësisë së gjatë për mosndëshkimin e krimeve kundër gazetarëve. Këto masa prezantohen për herë të parë në vendin tonë. Tani për tani, projekti fillon vetëm në Prokurorinë e Shkupit, që do të thotë se do të mbulojë krimet kundër gazetarëve të kryera në zonën e Shkupit dhe rrethinës së tij. Tendenca e Prokurorisë Themelore Publike të RMV-së është që pas ristrukturimit të prokurorive, të caktojë prokurorë për mbrojtjen e gazetarëve edhe në qytetet tjera nga brendësia.
Deri atëherë, mbetet vendimi që përveç Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, edhe prokuroritë e tjera nga vendi t’u japin prioritet në trajtimin rasteve që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve dhe të vazhdojnë të promovojnë bashkëpunimin me shoqatat e gazetarëve, me qëllim për të sanksionuar çdo vepër penale që cenon lirinë e shprehjes.
“Qëllimi ynë është që të rrisim besimin e qytetarëve në Prokurorinë Themelore Publike, si dhe dhe të kënaqim interesin publik në këtë kontekst”, thotë prokurori themelor publik i PThP-së Shkup, Gavril Bubevski.
Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski shprehet i kënaqur që është krijuar një bashkëpunim i tillë pas një kohe të gjatë, sepse edhe para se Bubevski të vinte në krye të Prokurorisë Publike, siç theksoi ai, SHGM vazhdimisht kërkonte të krijohej një departament i posaçëm që do t’i ndiqte sulmuesit e gazetarëve.
“Këtë vit kemi një trend në rritje të sulmeve ndaj gazetarëve, veçanërisht të sulmeve në sferën online. Ndryshime thelbësore shoqërore nuk mund të ndodhin, nëse drejtësia për gazetarët nuk ekziston, nëse gjyqësori dhe mediat nuk çlirohen nga ndikimet e jashtme, as ne si gazetarë nuk mund ta kryejmë profesionin tonë nëse kemi frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë. Ky është një fillim i shkëlqyeshëm për një bashkëpunim stabil në të ardhmen me Prokurorinë Themelore të Shkupit përmes prokurores Iskra Haxhi Vasileva, e cila është caktuar për t’i proceduar këto lëndë, dhe sigurisht është mirë që në të njëjtin moment të fillohet dhe të thellohet ky bashkëpunim”, tha kryetari i SHGM-së, Çadikovski.
Sipas dokumentit që Prokuroria Themelore Publike ia dërgoi Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, nga viti 2014 e deri më sot, aty janë regjistruar 24 sulme të rënda fizike ndaj gazetarëve, dhe vetëm 4 prej tyre janë zgjidhur me aktgjykim në favor të gazetarëve, dhe në dëm të sulmuesve. Numri nuk është aq i madh siç ka qenë në vitet 2016 dhe 2017, por tendenca në tre vitet e fundit është se shumica e kërcënimeve ndaj jetës së gazetarëve ndodhin në internet. Ka edhe sulme fizike.
Në Maqedoni, shumica e kërcënimeve për jetën u ndodhin grave gazetareve, sesa gazetarëve meshkuj. Megjithatë, kur bëhet fjalë për konfrontime fizike apo dëmtime të pajisjeve, zakonisht këto ndodhin në protesta publike, në tubime më të mëdha, ku persona të caktuara në ato mbledhje zakonisht targetojnë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët. Në ato situata, ata ose kanë kontakt fizik me dikë nga ekipet mediatike, ose shkatërrojnë pajisjet e tyre.
Në vitin 2022 kemi pasur disa sulme të rënda, por edhe shembuj pozitivë të zbardhjes së disa prej atyre ngjarjeve penalo-juridike. Kolegu Nevrij Ademi nga Tetova ishte i sulmuar nga një person me sëpatë dhe për sulmuesin e akuzuar tashmë ka një dënim nga anа e Gjykatës Themelore të Gostivarit.
“SHGM monitoron rregullisht seancat gjyqësore, jo vetëm për ndjekjen penale, por edhe proceset civile për shpifje dhe fyerje, dhe ne përpiqemi të kapim trendin për atë se sa zgjasin procedurat, si ishte mbrojtja, si ka vepruar prokurori, si ka vepruar Avokati i Shtetit (në rastin e 27 Prillit), dhe për të përcaktuar se cilat janë ato boshllëqe në procedurat që ne i kemi përcaktuar si problematike. Në këtë drejtim, kemi shembull pozitiv të aktgjykimit të parë për gjuhën e urrejtjes në internet, pas një kallëzimi penal privat të SHGM-së në MPB, i cili u procedua në 5 muaj. Personi që është kërcënuar në Facebook është dënuar me 6 muaj burg me kusht”, tha Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së, i cili në këtë mënyrë theksoi numrin e vogël të shembujve pozitivë të dënimit të sulmuesve të gazetarëve, duke treguar listën me rastet e pazgjidhura para Bubevskit dhe Haxhi Vasilevas.
Në këtë listë janë 79 incidente të rënda të shkeljes së të drejtave të gazetarëve, edhe atë jo vetëm për kërcënime ndaj sigurisë dhe jetës së gazetarëve, por edhe për shkelje të tjera të rënda të të drejtave të tyre. Kërcënimet dhe format më të buta të trysnisë nga zyrtarët publikë, politikanët, biznesmenët, janë të shumta dhe po aq shqetësuese. Nga Prokuroria kërkohet që të zbardhë sa më shpejt dhe sa më shumë ato hetime të papërfunduara, duke qenë se mosinteresimi i saj deri tani ka penguar dhe ka demotivuar shumë gazetarë të paraqesin kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre.
Prokurorja Haxhi Vasileva beson se do të jetë i nevojshëm bashkëpunimi më i ngushtë dhe qasje e përbashkët me gazetarët, si dhe koordinim dhe informimi i ndërsjellë.
“Së bashku do të gjejmë disa nga gjërat që janë më të mprehta, më të rëndësishme dhe më domethënëse kur bëhet fjalë për sulmet ndaj gazetarëve. Dhe tani, pa kornizën ligjore që presim, kemi një fushë për bashkëpunim konstruktiv. Kur synimi është i sinqertë, ne mund ta përmirësojmë situatën”, theksoi ajo.
Ajo që është me interes të madh për gazetarët është nëse prokurorja do të punojë dhe do të koordinojë edhe hetimet e pazgjidhura të sulmeve ndaj gazetarëve, apo do të merret vetëm me rastet e ardhshme.
Haxhi Vasileva thotë se tashmë i ka shqyrtuar ato procedura të hapura, dhe se me ekipin e saj hynë në ato raste që janë nën juridiksionin e Shkupit dhe se është këtu për informata shtesë të dyanshme.
Edhe një dilemë shumë e rëndësishme është sqaruar nga koordinatorja: Nëse kërcënimi apo sulmi është bërë në kuadër të punës gazetareske, atëherë do të konsiderohet se personi është sulmuar si gazetar. Për sulme ndaj gazetarëve për arsye të tjera, mosmarrëveshje ndërmjet fqinjëve apo të ngjashme, të cilat nuk kanë lidhje me punën e tyre, ajo procedurë do të trajtohet dhe inkriminohet si e përgjithshme dhe nuk do të trajtohet nga ajo dhe ekipi i prokurorëve në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit i cili do të kryejë hetime vetëm për gazetarët e sulmuar.
Në dilemën se si do të identifikohen rastet në të cilat prokurori i emëruar do të jetë kompetent për monitorimin e procedurës, Bubevski u përgjigj se nuk do të jetë e nevojshme që gazetarët të identifikoheshin profesionalisht, gjegjësisht do të mjaftonte nëse vepra është kryer kundër një personi i cili është deklaruar si gazetar dhe do të vërtetojë se sulmi është kryer në kontekst të kryerjes së detyrave të tij gazetareske.
Ai theksoi se ende nevojiten trajnime të përbashkëta, për të informuar gazetarët se cilat vepra që kanë të bëjnë me punën e tyre janë vepra penale, ku është linja e inkriminimit dhe nga ku konsiderohet se janë objekt i procedurës civile.
Në kuadër të kufizimeve në ligjin aktual penal, SHGM dhe SPGPM kanë përgatitur amendamentet për Kodin e ri Penal që do të miratohet nga Kuvendi. Sipas amendamenteve, sulmi ndaj gazetarëve do të konsiderohet sikur sulm ndaj një personi zyrtar. Ato nënkuptojnë një zgjidhje sistematike të problemeve që lidhen me sigurinë e gazetarëve, në planin afatgjatë. Ministria e Drejtësisë kishte vendim politik që ndryshimet e propozuara nga SHGM-ja dhe Sindikata t’i miratojë, t’ia përcjellë Qeverisë, ndërsa ajo t’ia përcjellë Kuvendit.
Amendamentet u dorëzuan në korrik të vitit 2022. Fatkeqësisht, pavarësisht të gjitha lobimeve tek partitë politike, nuk ka shpresë që propozimet e SHGM-së dhe SPGPM-së, pra Kodi i ri Penal, do të miratohen brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë, fakti që Prokuroria po përgatitet para kohe për mbrojtjen e gazetarëve, SHGM e cilëson si hap pozitiv.
Dhe sa e rëndësishme është kjo, tregon edhe Raporti i fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Prokuroria, gjykatat, gazetarët dhe të drejtat e tyre janë në të njëjtin kapitull 23 dhe një nga rekomandimet në seksionin për lirinë e shprehjes është konkretisht që e gjithë dhuna ndaj gazetarëve të trajtohet urgjentisht dhe se nevojitet një qasje e shpejtë dhe efikase, me të cilën ata që shkelin të drejtat e gazetarëve do të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, në një situatë kur Ministria e Punëve të Brendshme në njëfarë mënyre blen kohë, gjoja duke pritur gjatë për të marr të dhëna nga Twitter dhe Facebook për sulmet kibernetike, shumë shpejt dhe në mënyrë efikase i zgjidh sulmet kur bëhet fjalë për zyrtarët e qeverisë. Praktikisht, në të njëjtin moment i gjen dhe i arreston në aeroporte, apo kudo që gjinden, gjë që në një farë mënyre krijon revoltë tek gazetarët e sulmuar, të cilët vuajnë kërcënime të rënda dhe policia dhe prokuroria nuk reagojnë.
Lidhur me reagimin selektiv të MPB-së, Bubevski konsideron se ata që kërcënojnë zyrtarët zakonisht nuk e fshehin identitetin e tyre, për dallim nga ata që kërcënojnë gazetarët.
Rekomandimi që është nënvizuar që nga viti 2016 e deri më sot, është se edhe në mungesë të mekanizmave sistematikë, si shtet anëtar i Këshillit të Evropës, Maqedonia ende ka obligim të detyrueshëm për autoritetet e saj gjyqësore që të krijojnë departamente të veçanta dhe të krijojnë protokolle për situatat që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetareve. Domethënë, të ketë një linjë të hapur 24 orëshe në të cilën do të mund të telefonojnë gazetarët, madje edhe kur do të kenë dilemë nëse një sulm, kërcënim apo trysni e caktuar ndaj tyre është çështje penale apo jo.
SHGM për këtë problematikë është duke punuar në mënyrë aktive me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Deri në fund të vitit duhet të ketë një protokoll për sigurinë e gazetarëve në internet. Çadikovski mendon se një protokoll i tillë duhet të vendoset edhe me prokurorinë dhe ai do të duhet të parashikojë komunikim me gazetarët të cilët janë viktima të ndonjë vepre penale lidhur me punën e tyre gazetareske.
Fushëveprimi i Haxhi Vasilevas do të përfshijë edhe monitorimin e procedurave ku gazetarët thirren si dëshmitarë ose kur u kërkohen regjistrime apo fotografi nga mediat për të siguruar prova për procedura të tjera. Fillimisht, Bubevski dhe ajo rregullojnë marrëdhënien, mënyrën e komunikimit mes policisë që punon nën urdhrat e prokurorit dhe gazetarëve-dëshmitarë. Gazetarët dhe shtëpitë mediatike herë pas here ankohen në SHGM për qëndrimin e paturpshëm dhe mungesën e informimit të policisë kur thërrasin gazetarë ose punonjës mediatik për bisedë zyrtare, sikur të jenë ata subjekt i përndjekjes dhe jo dëshmitarë.
Konkluzionet e këtij takimi janë arritur në një takim pune ndërmjet PThP-së dhe SHGM-së, i cili është mbajtur më 28 tetor në ambientet e PThP-së. Gjatë takimit u konstatua nevoja për diskutime të tilla të përbashkëta në të ardhmen për tema që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve.
Teksti është përgatitur në kuadër të projektit rajonal “Përforcimi i lirisë së mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi” i financuar nga Mbretëria e Holandës dhe i zbatuar nga ana e Komitetit të Helsinkit në Holandë dhe Fri Pres Anlimited (Free Press Unlimited) në partneritet me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë. Pikëpamjet dhe opinionet e pjesëmarrësve të ngjarjes nuk përfaqësojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Mbretërisë së Holandës, dhe as të organizatave që zbatojnë projektin apo partnerit të tyre lokal.