Është dorëzuar kallëzim në MPB për kërcënime në internet ndaj gazetarëve të IRL-së

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka dorëzuar kallëzim në Departamentin për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme për kërcënimin e sigurisë së gazetarëve nga Laboratori i reporterëve hulumtues (IRL). Mesazhet me përmbajtje kërcënuese janë të dokumentuara me kujdes dhe janë nga profile të njohura dhe anonime në rrjetin social Twitter. Shkak i këtyre kërcënimeve është bërë paralajmërimi i IRL-së për episodin e ri të quajtur “Vrasja në Tetovë”, i cili i referohet zjarrit në spitalin modular që mori 14 jetë njerëzish, dhe do të shfaqet premierë të dielën.
Ju njoftojmë se me ndryshimet në Kodin Penal për të cilat u angazhua SHGM, që hynë në fuqi në shkurt të këtij viti, rrezikimi i sigurisë së punonjësit të medias gjatë kryerjes së detyrave profesionale është vepër penale, dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike janë të detyruar të veprojnë sipas detyrës së tyre zyrtare kundër autorëve. Dënimet për ata që kërcënojnë sigurinë, si dhe për ata që bëjnë gazetarët të ndihen të pasigurt ose të frikësuar, janë me gjobë ose me burgim deri në një vit. Nëse si pasojë e këtyre kërcënimeve, gazetarët do të sulmohen fizikisht, dënimet për sulmuesit janë disa vite burg.
Kërkojmë nga Ministria e Brendshme që të hetojë me kujdes mesazhet kërcënuese ndaj gazetarëve të IRL-së, dhe për ato profile që janë të njohura nga autoritetet hetimore, përdoruesit të thirren në pyetje dhe të merren masat e duhura ndaj tyre.
Kujtojmë se Gjykata Themelore Penale tashmë ka praktika gjyqësore pozitive me dënime me burgim me kusht për personat që kanë publikuar më herët mesazhe kërcënuese në rrjetin social Facebook, të cilat i kishte denoncuar SHGM