E shënuar Dita ndërkombëtare për ndërprerjen e politikës së mosndëshkimit të dhunës mbi gazetarëve

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Shkup në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Ministrinë për Punë të Brendshme sot organizuan ngjarje për të shënuar 2 nëntorin, Dita ndërkombëtare për ndërprerjen e politikës së mosndëshkimit të dhunës mbi gazetarëve. Në ngjarjen mbajtën fjalime Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Klemens Koja, Ministri për punë të brendshme Oliver Spasovski dhe Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani. Gjithashtu, në këtë ngjarje ishte i promovuar Udhëzuesi për sigurinë e gazetarëve për ndjekjen e ngjarjeve me rrezik të lartë.
Fjalimin integral të Kryetarit të SHGM-së mund ta lexoni në vijim:
– Sot në Ditën ndërkombëtare për ndërprerjen e politikës së mosndëshkimit të dhunës mbi gazetarëve, rikujtohemi në bilancin e zi të dhunës mbi gazetarëve. Këtë vit në botë janë vrarë 47 gazetarë, prej të cilëve tre u vranë në Evropë. Pjesa më e madhe e këtyre vrasjeve kanë ngelur të pazgjidhura, ndërsa vrasësit ende janë në liri. Ndjejmë keqardhje për jetët e humbura të kolegëve tanë dhe iu përkulemi para viktimës së tyre në emër të profesionit të gazetarisë, i cili dëshpërimisht kërkon të vërtetën.
Në Maqedoni nuk kemi gazetarë të vrarë, por kjo nuk do të thotë se institucionet nuk duhet t’i marrin me seriozitet të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve. Askush nuk besonte se në Sllovaki ose në Bullgari, vende anëtare në Bashkimin Evropian, mund të vriten gazetarë, mirëpo për fat të keq kjo ndodhi.
Siguria e gazetarëve në Maqedoni, dal ngadalë është duke u përmirësuar. Numri i sulmeve në krahasim me vitin e kaluar u zvogëlua nga 18 në gjashtë, ndërsa institucionet pas një dekade filluan t’i dënojnë sulmuesit e gazetarëve. Për sulm fizik Gjykata Themelore në Shkup shqiptoi dënim me burg, ndërsa Gjyqi në Strugë dënoi me para. MPB plotësoi premtimin se do të publikojë raport për të gjitha sulmet që kanë ndodhur në pesë vitet e fundit, ndërsa në të njëjtën kohë reagon më shpejtë për çdo sulm të ri.
Përveç shembujve të tilla pozitive, fatkeqësisht, politika e mosndëshkimit të dhunës mbi gazetarëve në Maqedoni ka rrënje të thella. Vullneti politik i Qeverisë dhe i ministrit Spasovski për t’i vënë fund sulmeve të gazetarëve, nuk i ndjek burokracia e policisë dhe prokurorisë. Ato edhe më tutje zbatojnë hetime jocilësore dhe joefikase. Nga raporti i policisë dhe prokurorisë mund të kuptoni se nga 59 sulmeve të gazetarëve, vetëm dy sulmues janë dënuar me dënim efektiv, dhe vetëm një lëndë në prokurorinë është tërësisht i hetuar për ndjekje penale.
13 lëndë janë tërësisht të pazdritura, për të cilët policia thotë se është shumë e vështirë të zdritën sepse në të kaluarën janë bërë hetime jocilësore madje në disa raste janë shkatërruar edhe dëshmitë. Nëse nuk mund të zgjidhen këto raste, MPB mund të ngrisë procedura kundër pjesëtarëve të policisë që kanë udhëhequr hetime jocilësore ose kanë fshehur dëshmi.
Edhe ato lëndë për të cilët policia thotë se janë hetuar, në përgjithësi nuk janë tërësisht të hetuara. Për shembull, MPB ka ngritur shtatë akuza penale kundër sulmuesve të gazetarëve, ndërsa prokuroria ka pranuar vetëm një prej tyre. Akuzat e mbetura janë të refuzuara sepse hetimet kanë qenë jo të plota. Policia madje nuk ka arritur t’i identifikojë sulmuesit. Fat të ngjashëm kanë edhe akuzat që policia i ka dërguar në Gjykatat Penale.
Që të jetë situata edhe më serioze, struktura të caktuara në policinë solidarizohen me kolegët e tyre që kanë sulmuar gazetarë. I tillë është rasti kur një polic ka rrahur gazetarë gjatë një protestës. Ishte konstatuar se ai i ka tejkaluar kompetencat, por MPB në vend se të ngrisë procedurë para prokurorisë, ka dërguar vetëm lajmërim.
Shembuj të ngjashëm të mosveprimit ka edhe në Prokurorinë. Nëntë muaj nuk mjaftuan që një prokuror të mbarojë hetimin kundër një personi i cili në maj të këtij viti i është kërcënuar me vdekje një gazetarit.
Ne jemi seriozisht të brengosur edhe për shkak të paraburgimit arbitrar të gazetarëve në polici. Praktika e tillë e frikësimit duhet të ndërpresë sepse kjo mund të ketë çiling efekt mbi lirinë e medieve.
Dua edhe një herë t’iu bëj thirrje institucioneve t’i hetojnë të gjitha sulmet mbi gazetarëve në mënyrë serioze dhe efikase dhe t’i dënojnë sulmuesit. Pa sjellje të tillë të institucioneve sulmet do të vazhdojnë dhe do të bëhen më brutale, që mund të sjellin në pyetje edhe jetën e gazetarëve.
Institucionet duhet të kuptojnë se sulmi mbi gazetarëve në të njëjtën kohë paraqet edhe sulm mbi lirinë e të shprehurit, të drejtën e qytetarëve të informohen dhe demokracisë në përgjithësi.
Obligim i autoriteteve është të sigurojnë mjedis të sigurt për punë të gazetarëve që do të jetë i lirë nga kërcënimet dhe trysnive.
Së fundi dua të theksoj se ne si Shoqatë e Gazetarëve jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha institucionet në vend që t’i vejmë fund sulmeve të gazetarëve dhe së bashku të përmirësojmë sigurinë e tyre dhe situatën me lirinë e medieve në përgjithësi.
Ju faleminderit për vëmendjen!