Duke kopjuar gazetarinë në dëm të imazhit të sigurisë së shtetit

“Terroristi nga Vjena u nis për të vrarë me tingujt e repit shqiptar”. Ky është një nga titujt e fundit që u shfaq në media, pas sulmit terrorist që ndodhi në kryeqytetin e Austrisë, më 2 nëntor të këtij viti.
Përmbajtja, e botuar në një media maqedonase dhe, duke iu referuar të përjavshmes austriake “Profile”, është e pasur me shumë detaje rreth njërit prej terroristëve.
Jepet identiteti i terroristit, arma automatike që e ka zotëruar në kohën e sulmit, interpretuesin e këngës që e ka dëgjuar gjatë sulmit, origjinë e familjes së tij dhe shtetësinë e dyfishtë që ai e ka poseduar.
Teksti është vetëm një nga seritë e botuara në Austri, e pasuar me burime të cituara nga mediat e atjeshme, të përkthyera në të gjithë Evropën dhe veçanërisht në vendin tonë. Disa herë theksohet se terroristi ishte me origjinë maqedonase, se ai është shqiptar sipas përkatësisë etnike dhe se familja e tij ishte nga një fshat i Maqedonisë së Veriut. Nuk ishin të pakta edhe artikujt gazetaresk që përmbanin supozime se në Maqedoninë e Veriut ka kampe ku rekrutohen të rinj e që më vonë angazhohen për sulme terroriste. Përmbajtjet e këtij lloji e ngritën edhe pyetjen – cila është siguria në vend.
Vlerësimet e ekspertëve
Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni po i ndjek nga afër përmbajtjet e publikuara për këtë ngjarje. Kryetari i Komisionit të Ankesave KEMM, Mirçe Adamçevski, thotë se problemi më i madh i mediave është se ata nuk kanë korrespondentë të tyre në këtë vend. Gabimet shpesh ndodhin kur ata vendosin të ndajnë informacione nga media të tjera, e që kanë të bëjmë me teme të ndjeshme si kjo.
“Në përgjithësi, raportimi mund të vlerësohet si korrekt nga shumica e mediave, por kishte edhe nga ato që e kanë veçuar përkatësinë etnike të terroristit, por edhe të viktimave. Kështu, është shkelur Kodi, përkatësisht neni 8. U publikuan edhe emrat dhe përkatësia etnike e viktimave. Mbase mund të flitet edhe për sensacionalizmin në raportim.
Për Austrinë dhe Evropën nuk jam edhe aq i sigurt se si raportuan, por e di se mediat tona, për vetë faktin që nuk kishin korrespondentë, i transmetuan në mënyrë jo kritike raportet nga mediat e tyre”, thotë Adamçevski.
Lidhur me problemin e raportimit të këtillë ka reaguar edhe dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski. Ai sheh problem të madh në përmendjen e emrit të vendit tonë në tekstet gazetareske dhe posaçërisht në kontekstin, sepse, siç thotë ai, sulmi nuk lidhet në asnjë mënyrë me Maqedoninë e Veriut.
“Autori i krimit është me prejardhje nga prindërit e tij, por të dhënat thonë se ai kurrë nuk ka qenë në vendin tonë, as nuk ka mbajtur kontakte me të afërmit këtu. Shërbimet nuk mund të konfirmojnë kontakte me persona që janë me interes nga aspekti i sigurisë që supozohet të jenë në territorin e Maqedonisë së Veriut. Raportimi i mediave, mbi të gjitha, këmbëngulja se një nga autorët është nga Maqedonia e Veriut flet për informacione të pa verifikuara dhe stigmatizim mbi baza etnike dhe kombëtare, pa hyrë në thelb dhe të konfirmohet se lidhjet e tij me vendin tonë janë të papërfillshme në aspektin e përgatitjes dhe kryerjes së veprës penale. Kjo në mënyrë shtesë bëhet e deplasuar për shkak të publikimit dhe insistimit se njëra nga viktimat është shtetase e vendit tonë, si dhe fakti që në forcat policore që kanë punuar në zbardhjen e pasojave dhe kapjen e autorit ka pasur një mysliman nga Bosnja dhe Hercegovina (fakt ky që, gjithashtu, nuk ka të bëjë me ngjarjen, duke pasur parasysh që policja ka lindur, arsimuar dhe punësuar dhe jeton në Austri dhe jo në Bosnjë dhe Hercegovinë)”, konsideron Dujovski.

Profesori thotë se në rastet e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, është më mirë të përmbaheni nga sensacionalizmi, pavarësisht nga nevoja për të transmetuar lajmin shpejtë. Qytetarët e vlerësojnë informacionin cilësor të prodhuar dhe të verifikuar nga policia (sepse shërbimet e tjera pothuajse kurrë nuk japin informacionin e parë), sesa të pengohet puna e organeve të rendit dhe të krijohet panik shtesë në mesin e popullatës. Vetëm në këtë mënyrë edhe mediat do të ndihmojë në ndikimin e kufizuar të terroristëve, qëllimi kryesor i të cilëve është që e gjithë bota të mësojë për aktivitetet e tyre shpejt dhe me sa më shumë “zhurmë” të jetë e mundur.
“Shënimi” i vendeve ballkanike në shumë raste
Narrativi i këtillë dhe detalizimi i sulmit terrorist nuk bën përjashtim. Profesori i sigurisë dhe anëtar i Këshillit të Sigurisë të Qeverisë së Serbisë, Darko Trifunoviq, shpjegon se për të kuptuar çdo kërcënim të sigurisë, duhet të kuptojmë se çfarë është siguria.
“Siguria, si shkencë, ka teorinë e vet në të cilën bazohet metoda e veçantë që ndihmon për të kuptuar faktorët e rrezikut të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe bazën mbi të cilën bëhet një vlerësim i sigurisë. Krahas metodës që tregon një kërcënim, veçanërisht nga ekstremizmi dhe islamistët radikalë, duhet të përfshihen edhe analiza dhe parametra të caktuar. Për të konkluduar se në një territor diçka nuk është në rregull, duhet të analizojmë si vijon:
- A veprojnë dhe janë të pranishëm terroristët në territorin e caktuar?
- A veprojnë dhe janë të pranishme organizatat terroriste në një territor të caktuar?
- A veprojnë dhe janë të pranishëm të ashtuquajturat shtete ose shtete sponsorizuese të terrorizmit në një territor të caktuar?
- A veprojnë dhe janë të pranishëm të ashtuquajturat organizata humanitare që financojnë dhe mbështesin logjistikë të terroristëve?
- A përdoret ose keqpërdoret feja si motiv për sulm në një territor të caktuar?
Ai thotë se nëse përcaktohet se në një territor të caktuar ekzistojnë të pesë elementët, do të thotë se shteti ka të ashtuquajturën “Makinë për prodhimin e terroristëve” dhe që institucionet shtetërore duhet të veprojnë me të gjitha mjetet në dispozicion për të parandaluar rreziqet e mundshme.
“Fatkeqësisht, shumica e ‘ekspertëve’ tanë nuk kanë përvojë personale dhe merren vetëm me kopjim nga të tjerët dhe citim të të tjerëve. Ajo përvojë nuk është e mjaftueshme për t’i në fund këtij problemi të madh,” përfundon Trifunoviq.
Autorë të storjes: Maja Manevska, Katerina Topallova Dejanovska, Teuta Buçi, Daniell Dimitrievski
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.