Doracak i gazetarëve për ndjekjen e zgjedhjeve

Aspekte etike dhe juridike
Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë në bashkëpunim me Zyrën e Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup, ka përpiluar një doracak për ndjekjen e zgjedhjeve. Doracak ky i cili do t’u ndihmojë gazetarëve që në mënyrë profesionale të raportojnë për fushatën dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dakorduara për më 11 dhjetor.
Në pjesën e parë të doracakut shpjegohet roli i mediave në vendet demokratike, ku janë prezantuar edhe këshilla praktike për gazetarët të cilat do tu ndihmojnë për të mësuar se si të raportojnë për parregullsitë zgjedhore dhe në çfarë duhet të kenë kujdes gazetarët kur raportojnë për zgjedhjet në demokraci të reja si e jona.
Në doracak përshihen standardet themelore të gazetarisë që zbatohen në Maqedoni dhe në botë, me qëllim që ti rikujtojnë gazetarët se e kanë obligim të raportojnë në mënyrë të drejtë, në mënyrë të paanshme dhe të balancuar për të gjithë pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore. Kujdes i veçantë i është kushtuar raportimit të Servisit publik radiodifuziv i cili si servis i qytetarëve ka një përgjegjësi të veçantë për raportimin mediatik gjatë zgjedhjeve.
Raportimi profesional i gazetarëve gjatë fushatës është një prej parakushteve kyçe për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të besueshme.
Pa informata kualitative dhe në kohë, qytetarët nuk mund të sjellin vendime të përgjegjshme dhe të mëvetësishme në ditën e zgjedhjeve.
Përveç principeve profesionale që janë pjesë e Kodeksit të gazetarëve të Maqedonisë dhe të Kodeksit të Federatës ndërkombëtare të gazetarëve, ky doracak përmban edhe obligimet ligjore të mediave të cilat janë paraparë me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, dhe që janë të harmonizuara mes nënshkruesve të Marrëveshjes së Përzhinos.
Një pjesë e veçantë i është kushtuar përpunimit të obligimit të Agjencisë së Mediave për të monitoruar mënyrën e raportimit të mediave njëqind ditë para zgjedhjeve. Në këtë pjesë janë shpjeguar shkurtimisht rastet ku mediat dhe gazetarët mund të dënohen ose gjobiten në rast se raportojnë me njëanshmëri, pa objektivitet dhe në mënyrë të pa balancuar për pjesëmarrësit në zgjedhje.
Para se zyrtarisht të fillojë fushata zgjedhore, SHGM-ja do ti dorëzojë këto doracakë deri tek të gjitha redaksitë e mediave të Maqedonisë në mënyrë që tua lehtësojë punën për ndjekjen e fushatës zgjedhore dhe të parregullsive zgjedhore. Doracaku është shtypur në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht.
Shkup, 14.11.2016
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Новинарски прирачник за следење на избори