Dhuna ndaj gazetarëve ka forma të ndryshme: si të mbrohet liria e fjalës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në bashkëpunim me Prokurorinë Publike dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, sot në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi një prezantim të Doracakut për Sigurinë e Gazetarëve, si vazhdim i diskutimeve të deritanishme mbi çështjet e lidhura me sigurinë e punonjësve të medias.
Në ngjarje morën fjalën hyrëse zëvendës-ambasadorja e Holandës në vend, Manon Xhensen, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski, dhe kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Elvin Veli.
Ata theksuan se në kohët e sotme dhuna ka forma të ndryshme dhe për këtë arsye ky doracak do të ndihmojë në njohjen e sfidave me të cilat përballen gazetarët.
Manon Xhensen, zëvendës-ambasadore e Holandës, vuri në dukje rolin kyç të gazetarëve dhe lirinë e fjalës në çdo shoqëri demokratike.
“Gazetarët janë kyç në luftën kundër dezinformatave dhe për të qenë të aftë të luftojnë në mënyrë aktive këtë betejë, duhet të mbrohen. Gazetaria është një e mirë publike; gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikë nga sulmet. Vetëm në një situatë të tillë mund të kemi një shoqëri ku sundon ligji dhe ku gazetarët mund të punojnë pa frikë për sigurinë e tyre dhe pa rrezik hakmarrjeje,” tha Xhensen.
Çadikovski tha se sulmet ndaj punonjësve të medias po shumëfishohen.
“Sot sulmet ndaj gazetarëve nuk duhet të nënkuptojnë vetëm dhunë fizike. Kërcënimet verbale dhe ngacmimet, përmes platformave online, janë një problem. Gazetaret janë veçanërisht të ekspozuara ndaj gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore dhe mizogjinisë, gjë që e vështirëson më tej punën e tyre. Gazetarët po përballen gjithnjë e më shumë me dhunë ligjore. Rastet e padive SLAPP, që synojnë heshtjen e gazetarëve përmes shterimit të burimeve të tyre, janë një goditje serioze për ne. Paditë e pabazuara, nga fuqitë politike ose ekonomike, përbëjnë një kërcënim për lirinë. Dhuna ekonomike është një tjetër sfidë e madhe. Kushtet e pasigurta të punës, pagat e ulëta dhe shkeljet e shpeshta të të drejtave të punëtorëve krijojnë një atmosferë frike dhe autocensure.”
Çadikovski i bëri thirrje policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve të mos lejojnë që interesat e qytetarëve të fundosen në detin e sfidave.
Elvin Veli, kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, tha se autorët e sulmeve ndaj gazetarëve duhet të identifikohen më shpejt dhe të ndëshkohen në përputhje me rrethanat.
“Shoqata e Prokurorëve Publikë është përfshirë gjithashtu dhe ka dhënë kontribut në hartimin e këtij doracaku, të cilin pres që të jetë një mjet vërtet i dobishëm, jo vetëm për gazetarët që mund të gjenden në një situatë kur siguria e tyre është e rrezikuar, por edhe për organet që do të veprojnë në raste të tilla. Gjithashtu, qëllimi i doracakut është të veprojmë së bashku me të gjithë publikun, në një pjesë edhe në mënyrë parandaluese, për të treguar se sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe se do të ndëshkohen,” tha Veli.
Në ngjarje folën autorët e Doracakut për Sigurinë e Gazetarëve, Nikolla Dujovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë dhe redaktorja e doracakut, Biljana Arsovska nga Prokuroria Publike Themelore, Toni Angellovski nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe avokati Ivan Breshkovski, të cilët ishin bashkautorë në përgatitjen e tij.
Të gjithë theksuan rëndësinë e këtij doracaku për gazetarët, por edhe për institucionet, si një mjet që do të jetë shumë i dobishëm në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve. U ndanë gjithashtu shembuj nga praktika, se si gazetarët të mbrohen para së gjithash, si të veprojnë kur siguria e tyre është e rrezikuar, por edhe si duhet të veprojnë institucionet në raste të tilla.
