Dënojmë ashpër kërcënimet ndaj gazetares Mirosllava Burns

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër sulmet dhe kërcënimet në internet ndaj gazetares Mirosllava Burns, e punësuar në gazetën ditore Slloboden Peçat.
Burns gjatë ditës së djeshme mori disa kërcënime në profilin e saj në Facebook, për shkak të publikimit të një teksti në lidhje me një dasmë që është zhvilluar në Tetovë, duke treguar se është në kundërshtim me rregullat lidhur me luftën kundër epidemisë me Kovid-19.
Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike të ndërmarrin masa për të identifikuar personat që qëndrojnë pas profileve që kërcënuan gazetaren dhe t’i sjellin para drejtësisë. Publikimi i ngjarjeve të tilla nga tubimet publike përmes të cilave mund të rrezikohet shëndeti publik është në interes të publikut dhe gazetarët nuk duhet të marrin kërcënime për zbulimin e gjërave të tilla.
Këto kërcënime edhe më shumë theksojnë nevojën për ndryshime ligjore në Kodin Penal, ku në bashkëpunim me SPGPM kemi kërkuar ndryshime që sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik të trajtohen si sulm ndaj personave zyrtarë. Kjo do të thotë që me ndryshime të tilla në ligj, institucionet do të jenë të detyruara të ndërmarrin masa dhe veprime për të hetuar sulmet ndaj gazetarëve.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga qeveria e re, si dhe nga përbërja e re parlamentare, që urgjentisht të vazhdojnë me ndryshimet në Kodin Penal, në mënyrë që të garantohet mbrojtja më e madhe e gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Profesioni i gazetarisë është thelbësor për funksionimin e çdo shteti demokratik dhe kjo është arsyeja pse ne besojmë se është koha për të mbrojtur me ligj gazetarët profesionistë si një nga shtyllat kryesore për mbrojtjen e interesit publik.