Debati i organizuar nga SHGM: RTM duhet të jetë lider në promovimin e standardeve profesionale

Sot, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë organizoi një uebinar me temë “Debat ekspertash për reformat në servisin publik RTM”.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje është nevoja për reforma në RTM të cilat do të sigurojnë kushte për ndryshime pozitive në servisin publik, gjë që do jetë e dobishme për publikun dhe të gjithë sferën mediatike. Në këtë ngjarje, u diskutua për aktivitetet e ardhshme të parashikuara në strategjinë pesë-vjeçare për zhvillimin e RTM deri në vitin 2025.
Diskutuesit theksuan se për një RTM të fortë është e nevojshme të forcohet pavarësia e servisit publik, që RTM të bëhet një lider në promovimin e standardeve profesionale.
RTM është ndërmarrje publike që duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur nga çdo organ shtetëror, entitet tjetër juridik publik ose kompani tregtare dhe politika editoriale dhe e biznesit të RTM-së duhet të jetë e paanshme ndaj tyre. RTM ka tre role dhe ato janë: informimi, edukimi dhe argëtimi i qytetarëve në mënyrë objektive dhe profesionale.
– Në të kaluarën kemi shembuj ku RTM dështoi në misionin e saj themelor. I kujtojmë kritikat nga publiku, organizatat lokale në sektorin e medias, organizatat ndërkombëtare gjithashtu kritikuan raportimin e RTM-së, veçanërisht në situata kritike.
Në kontekstin e sotëm, situata është përmirësuar, veçanërisht në pjesën e programit dhe në bilancin e lajmeve, por ekzistojnë kushte për përmirësime edhe më të dukshme, që RTM të bëhet lider në promovimin e standardeve profesionale dhe në afat të gjatë t’i motivojë televizionet private ta ndjekin atë shembull në mënyrë që të rriten standardet në tërë sektorin e medias. Roli i RTM-së në ngritjen e standardit shoqëror të gazetarëve është gjithashtu i rëndësishëm.
SHGM është një partner konstruktiv dhe do të mbetet edhe më tutje përmes përpjekjeve të saj për të përmirësuar kornizën ligjore që rregullon funksionimin e RTM-së. SHGM do të vazhdojë të këmbëngulë që RTM të marrë pjesën e saj të buxhetit siç është paraparë me ligj, në mënyrë që të sigurojë pavarësinë politike dhe financiare të servisit publik, tha kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski.

Biljana Petkovska nga MIM theksoi se edukimi i më tejshëm i të punësuarve është shumë i rëndësishëm.
– Pandemia Kovid-19 dëshmoi se në kohë krize, kur informacioni i saktë do të thotë shumë, shikueshmëria dhe besimi në serviset publike është rritur në tërë Evropën. Hulumtimi i fundit i ASHMAA-së konfirmoi se ky është rasti edhe tek nesh. Tani MTV 1 është në vendin e 3 për sa i përket shikueshmërisë në kanalet televizive kombëtare. Me rëndësi të jashtëzakonshme në strategjinë pesë-vjeçare për RTM-në është plani për krijimin e një qendre arsimore brenda RTM-së, ku punonjësit do të kenë mundësinë e zhvillimit profesional dhe burimet arsimore do të mund të përdoren nga e gjithë industria mediatike. Ekzistojnë shumë shembuj të mirë për atë se si funksionojnë këto qendra arsimore në vendet evropiane, praktikat e mira të të cilave mund të përdoren edhe tek nesh. I tillë është rasti me Akademinë e BBC, por edhe të serviseve publike në vendet Skandinave. Sidoqoftë, në mënyrë që servisi publik të funksionojë me sukses, është e rëndësishme të paguhen rregullisht dhe plotësisht fondet për RTM-në, diçka që është e rregulluar me ligj, por fatkeqësisht nuk është duke u zbatuar plotësisht, dhe që RTM të përjashtohet nga ligjet që lidhen me sektorin publik, sepse nuk korrespondon me llojin e punës dhe aktiviteteve që kryen servisi publik, thotë Petkovska.
Iniciativa për një debat mbi servisin publik u mirëprit edhe nga Katerina Sinadinovska nga KEMM.
– Për ne si organizatë, servisi publik, së pari, ka qenë gjithmonë një partner i rëndësishëm dhe konstruktiv në procesin e vetë-rregullimit, dhe së dyti, ai ka qenë gjithmonë një shtyllë e hapësirës mediatike, sepse ne besojmë se reformat aty do të shkaktojnë një valë ndryshimesh pozitive në të gjitha mediat e tjera.
Është e rëndësishme të dihet se edhe mediat private nuk mund të konsiderohen si biznese të zakonshme, por qëllimi kryesor është të mbrojnë interesin publik, si dhe profesionalizmin e gazetarëve. Këtu servisi publik duhet dhe është i detyruar të krijojë standarde për të gjithë.
Dua të theksoj dy gjëra që janë të rëndësishme për ne si KEMM në këtë periudhë. E para është mënyra e financimit, fakti shqetësues është se autoritetet janë duke bërë matematikën e tyre që është në kundërshtim me ligjin. Momenti i dytë është ndryshimi i votimit në Kuvend për zgjedhjen e Këshillit Programor. Është shumë e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë në votimin e anëtarëve. Nuk duhet ta lejojmë qeverinë që të ketë një kontroll kaq të lehtë, por njëkohësisht as opozita nuk mund të sabotojë procesin e reformave.
I gjithë procesi duhet të udhëhiqet nga parimi i profesionalizmit dhe mbrojtjes së interesit publik.
Fakti që ka ndryshime pozitive në RTM duke punuar me të njëjtin staf tregon se nganjëherë kufizimet nuk janë në aftësitë e të punësuarve, por në atmosferën dhe vullnetin politik për të liruar presionin, dhe për këtë të gjithë duhet të përpiqemi që RTM ta justifikojë rolin dhe të bëhet servis kombëtar i pavarur që punon për të mbrojtur interesin publik dhe profesionalizmin, thotë Sinadinovska.
Drejtori Ekzekutiv i RTM-së, Marjan Cvetkovski tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që javën e ardhshme të miratohet strategjia pesë-vjeçare për zhvillimin e televizionit në mënyrë që të forcohen reformat.
Dihet që gjëja më e rëndësishme në funksionimin e RTM-së është puna financiare. Këtë vit, nëse nuk përmbushen premtimet dhe konkluzionet e Qeverisë, se me rebalancin e Buxhetit në qershor financat e RTM-së do të kthehen, seriozisht rrezikojmë që këtë vit të mos mund të paguajmë rrogat e të punësuarve. Tani jemi duke ruajtur likuiditetin me parashikimin që në muajin qershor të këtij viti do të marrim fonde shtesë. Deri më janar të vitit 2021 në aspekt financiar ishim në gjendje të mirë. Qëllimi kryesor ishte kthimi i dinjitetit për të gjithë punonjësit në RTM, pothuajse kemi arritur të dyfishojmë pagën e të punësuarve. Në vitin 2012, paga minimale e të punësuarve në RTM ishte 12,000 dhe tani është 21,000 denarë. Ne arritëm të rrisim nivelin e cilësisë shoqërore, prandaj tani mendoj se të punësuarit tanë janë mjaft të motivuar. Sigurisht që kemi edhe disa gjëra të tjera që duhet t’i harmonizojmë në periudhën që vjen, por kjo paraqet një sfidë për të cilën do të punojmë në të ardhmen. Premtimi i Ministrisë për Financa që me rebalancin e buxhetit do të marrim financa dhe do të mund të vazhdojmë të punojmë pozitivisht në të ardhmen. Ende jemi duke u ballafaquar me sfida në punën tonë dhe jemi të vetëdijshëm se duhet të ketë përmirësime në të gjithë sektorët dhe shpresoj se javën e ardhshme do të miratojmë strategjinë pesë-vjeçare të zhvillimit, me të cilën menjëherë do të hyjmë në reforma ende më të forta, tha Cvetkovski.
Zëvendës Ministri nga MSHIA, Aleksandar Bajdevski thotë se servisi publik në vend duhet të jetë i lirë nga të gjitha ndikimet politike, komerciale dhe të mbrojë profesionalizmin, si dhe interesin publik. Qeveria do të japë një shans për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit përmes ligjeve ekzistuese që parashikojnë një shumicë prej dy të tretave.
– Ajo që dua të theksoj është se për 4 vitet e fundit, kemi pasur shumë kujdesë për shpërndarjen e financave për servisin publik. Ne si qeveri kemi punuar shumë dhe jemi kujdesur për funksionimin e qëndrueshëm të RTM-së dhe jemi përpjekur të bëjmë një kornizë më të mirë ligjore, por nga ana tjetër është e nevojshme që të përfshihen Këshilli Programor dhe Drejtori i RTM-së. Këshilli Programor mbanë një rol mjaft të rëndësishëm në mbrojtjen e interesit publik në funksionimin e RTM-së. Dua të theksoj analizën e MiM për transparencën e RTM, HTV dhe RTV Sllovenisë. Mund të them me keqardhje që si këshill programor ne jemi disi më jotransparent se të tjerët. Unë mendoj se kjo duhet të ndryshojë në të ardhmen, gjithçka duhet të publikohet në faqen e internetit të RTM-së në interes të publikut për atë se si shpenzohen fondet publike nga buxheti.
Ndryshimet duhet të vazhdojnë në të ardhmen, dhe ne si qeveri do të vazhdojmë të avancojmë procesin e krijimit të një servisit publik të pavarur dhe objektiv. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë dhe kompetencat tona në këtë proces të avancimit të rolit të RTM-së, dhe në atë drejtim do të japim një shans në periudhën e ardhshme, përmes ligjeve ekzistuese, me shumicën e dy të tretave, të përpiqemi të zgjedhim anëtarët e rinj të Këshillit, nga radhët e profesionistëve. Shpresojmë se nuk do të hasim në bllokada nga opozita, tha Bajdevski.
Në diskusionin u kyçën edhe profesionistët e tjerë nga fusha e mediave dhe porositën se procesi i reformës së servisit publik duhet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme në mënyrë që të profesionalizohet dhe përmirësohet më tej programi i përgjithshëm.