Debat mbi tendencat e gazetarisë në Ballkanin Perëndimor me shoqatat nga rrjeti rajonal safejournalists.net

Në organizim të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dje u mbajt një takim pune me përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë dhe shoqata gazetareske partnere nga rrjeti rajonal Safejournalists.net me temë: “Avancimi i bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave gazetareske nga Ballkani Perëndimor për siguri më të madhe të gazetarëve dhe zhvillim të shoqërisë civile”.
Gjatë takimit u diskutua për tendencat dhe zhvillimet aktuale në sektorin e medias, në vend dhe në rajon në aspektin e sigurisë së gazetarëve dhe kuadrit ligjor, për situatën me shoqërinë civile dhe mediat, si dhe për sfidat nga prizmi i gazetarëve të rinj. Në pjesën e diskutimit, pjesëmarrësit ndanë mendimet dhe sugjerimet e tyre për atë se si të arrihen zgjidhje më të mira për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatik në Ballkanin Perëndimor.
Folës në këtë ngjarje ishin: Drejtori Ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski, Drejtori Ekzekutiv i MCMS-së, Aleksandar Krzhallovski, Rade Gjuriq, avokat dhe hulumtues i projektit nga Shoqata e Pavarur e Gazetarëve në Serbi, Monika Kutri, hulumtuese e projektit nga Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë, Sashka Cvetkovska, gazetare e IRL-së dhe Getoarbë Muliqi, hulumtuese e projektit dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë.

Të pranishmit patën mundësinë të diskutojnë për trendët në gazetari dhe gjendjen e të drejtave të gazetarëve në Serbi, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni përmes praktikës së shoqatave gazetareske në këto vende.
Ngjarja ishte e organizuar në kuadër të projektit rajonal “Avancimi i Dialogut Ndërmjet Shoqatave Gazetareske dhe Parlamenteve në Ballkanin Perëndimor për Një Sektor më të Fortë të Shoqërisë Civile” (Improving the dialogue between journalists’ associations and parliaments in Western Balkans for stronger civil society sector), i financuar nga SIDA përmes projektit “Mbrojtja e Hapësirës Civile – Qendra Rajonale për Zhvillimin e Shoqërisë Civile” i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (BCSDN). Takimi u mbajt më 23 qershor 2022 në ambientet e Qendrës Qytetare të Resurseve pranë Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS) në Shkup.