Çmimet vjetore të SHGM-së: Guxim, këmbëngulje dhe profesionalizëm në vepër

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot ndau çmimet tradicionale vjetore, duke nderuar gazetarët dhe profesionistët më të dalluar të medias.
Komisioni për çmime, i përbërë nga German Fillkov, Dushica Mërgja dhe Senat Zylbehari, këtë vit e ndau çmimin për vepër jetësore “Kërste Petkov Misirkov” për Zvezdan Gjorgjievskin, si njohje për kontributin e tij afatgjatë në gazetarinë maqedonase.

Çmimi për gazetari hulumtuese “Jashar Erebara” iu nda Laboratorit të Reporterëve Hulumtues (IRL) për storien: “Një zyrtare e postës ka mbrojtur termocentralet e EMV nga hiri, ‘e mbuluar me hi’”.

Për raportimin më të mirë gazetaresk për tema lokale dhe rajonale, çmimin e fitoi Fisnik Xhelili nga Portalb.mk për storien “Dhuna mes nxënësve – një alarm serioz në Tetovë”.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), për herë të parë që nga themelimi, nga ky vit vendosi të ndajë një çmim prestigjioz për projektin më të mirë filmik me interes publik, duke e konfirmuar përkushtimin e saj për avancimin e standardeve gazetareske dhe mediatike.
Komisioni, i përbërë nga profesionistë të shquar si German Fillkov, Dushica Mërgja dhe Senat Zylbehari, dhe për kategorinë e kameramanëve edhe Zoran Dogov dhe Sasho Dokovski, kishte për detyrë të vlerësonte projektet që spikatnin për kreativitet, cilësi teknike dhe rëndësi për interesin publik.
Çmimin për projektin më të mirë filmik me interes publik për vitin 2024 e fitoi Ivan Popoviq për reportazhin me temë: “Migrimet klimatike: Prespa në garë me kohën për të ruajtur ujin”, publikuar në platformën doma.edu.mk.

Mirënjohje për kontribut të veçantë në promovimin e gazetarisë hulumtuese profesionale morën:Emisioni hulumtues gazetaresk KOD nga TV Tellma për storien: “Tenderët në llotari për blerjen e video-terminaleve dhe miliona eurot”.

Aleksandar Dimitrievski dhe Mihail Miloshevski për serinë e reportazheve me temë: “Bojan Hristovski, posedon certifikatë për njohje të gjuhës angleze nga një studio/shkollë që në periudhën përkatëse nuk realizonte të ardhura (nuk funksiononte), dhe nuk ishte në listën e subjekteve juridike” – publikuar në 360 Stepeni.

Trajçe Antonovski, kameraman nga IRL, për shprehjen më të mirë video dhe filmike për storien me temë: “Jetë të vjedhura”.

Fituesit e çmimeve të sivjetme shprehën mirënjohje për nderimet, duke theksuar se këto çmime janë motiv për punë të mëtejshme në interes të publikut.
Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi sfidat me të cilat përballen gazetarët dhe rëndësinë e solidaritetit brenda profesionit: “Sot, me këto çmime, e festojmë guximin, këmbënguljen dhe profesionalizmin e gazetarëve të Maqedonisë. I nderojmë ata që përmes storieve hulumtuese zbulojnë korrupsionin dhe padrejtësitë. I nderojmë ata që dalin në terren, që flasin me njerëzit, që shkruajnë për zërat që rrallë dëgjohen. I festojmë edhe ata që përmes kolumnave dhe analizave na nxisin të mendojmë, të reflektojmë dhe të veprojmë. Këtë vit kishim numër rekord aplikimesh, storiesh, analizash, projektesh filmike. Këto çmime duhet të jenë pikërisht kjo – simbol i solidaritetit, bashkëpunimit, mbështetjes kur është më e nevojshme. Komisioni kishte një detyrë të rëndësishme, por jam i bindur se bëri një përzgjedhje të kujdesshme. Urime për të gjithë, jo vetëm për fituesit – çdo storie e mirë është fitore për interesin publik., tha Çadikovski.

Në ngjarjen e sotme, para të pranishmëve foli edhe Anthony Bellanger – Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), i cili përgëzoi fituesit e çmimeve, por edhe të gjithë kolegët që aplikuan me punimet e tyre autoriale. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), e cila përfaqëson organizatën më të madhe botërore të gazetarëve, duke bashkuar mbi 600,000 profesionistë të mediave nga 187 sindikata dhe shoqata në më shumë se 140 vende.

Përfaqësuesi i Komisionit për Çmime, German Filkov, theksoi se përzgjedhja ishte sfiduese për shkak të aplikimeve me cilësi të lartë. Në fjalën e tij, tha: “Çdo komision mendon se ka punën më të vështirë në botë, por këtë herë vërtet ishte ashtu. 4 kategori, 48 aplikime dhe – plot 99 produkte gazetareske, shumica prej tyre storie dhe emisione të ndërlikuara. Dhe vetëm 4 çmime. Mund të ishin ndarë edhe për 40 njerëz. Ishte emocionuese t’i lexosh dhe t’i shohësh të mbledhura në një vend 99 nga arritjet më të rëndësishme gazetareske për vitin 2024. Me të gjitha problemet dhe kufizimet me të cilat përballen gazetarët, do të thoja se është një vit që dëshmon se gazetaria në Maqedoni është gjallë dhe pulson, dhe gazetarët duhet të jenë krenarë për aftësinë dhe energjinë e tyre. Për secilën nga katër kategoritë pati konkurrencë të madhe dhe serioze. Kam qenë pjesë e shumë komisioneve për ndarjen e çmimeve gazetareske, por për herë të parë ndodhi që në mesin e anëtarëve të komisionit të mos ketë mendime të ndryshme, as nevojë për përpjekje shtesë për konsensus. Për të katër kategoritë – komisioni vendosi njëzëri.”, tha Fillkov.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë falënderon të gjithë pjesëmarrësit në konkursin e këtij viti dhe mbetet e përkushtuar në mbështetjen e gazetarisë profesionale.

