BE dhe politikat e saj për mbështetjen e vendeve-kandidate në epokën e COVID-19

10 qershor i vitit 2020. Tre muaj pas shpalljes së pandemisë, harta gjeografike e botës u bë e kaltër. Markeri i kaltër i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregon 7.145.539 të infektuar me COVID-19. 408 025 raste të konfirmuara të vdekjes me koronavirus në të gjitha gjashtë kontinentet, përveç në Antarktik. Atje, jo vetëm që nuk ka të vdekur, por edhe “Buletini shëndetësor COVID” është i zbrazur, sepse ka zero të infektuar. Janë anuluar të gjitha udhëtimet dhe mbahet në izolim të rreptë. Përkundër kësaj, armiku i padukshëm drejton me lehtësi betejën në të gjitha vendet e tjera të planetit. Ekonomitë janë gjunjëzuar. Në fund të majit rreth 300 milionë vende pune janë humbur në nivel global, vlerëson Organizata Ndërkombëtare e Punës. Një plan stimulues prej 750 miliardë eurosh tashmë po përgatitet në Evropë, kurse Komisioni Evropian (KE) propozon që deri në vitin 2027 t’u shpërndahet vendeve më të prekura nga kriza e koronës. Pjesën më të madhe të “kulaçit” financiar do ta marrin Italia dhe Spanja, si vatra më të nxehta me numrin më të madh të viktimave. 250 miliardë dollarë do të jenë në dispozicion si hua, kurse 500 miliardë dollarë do të ndahen si grante.
Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mbeten një pikë e verbër në rajon, kur bëhet fjalë për rimëkëmbjen ekonomike. BE-ja në prill ndau ndihmë financiare urgjente për Ballkanin Perëndimor për të luftuar COVID -19.
“Do t’u ndihmojmë partnerëve tanë që t’i mbulojnë nevojat urgjente të sistemeve shëndetësore dhe për të promovuar masa afatgjate për zbutjen e pasojave socio-ekonomike të krizës me koronavirusit dhe për mbështetjen e kompanive të vogla dhe të mesme në rajon”, deklaroi Oliver Varheji, Komisar evropian për politikë fqinjësore dhe zgjerim.
Udhëheqësit e BE-së dhe shtetet e saj anëtare më 6 maj të vitit 2020 në Zagreb me Deklaratë u angazhuan për solidaritet me gjashtë shtetet-aspiruese.
„BE shumë shpejtë mobilizoi paketë prej mbi 3.3 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, siç thuhet ne kumtesën e Komisionit të datës 29 prill “Mbështetje për Ballkanin Perëndimor në luftën me COVID-19 dhe për rimëkëmbje pas pandemisë. Kjo përfshin mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin e shëndetësisë, më saktësisht përmes sigurimit të pajisjeve themelore për shpëtimin e jetës dhe mbështetje të konsiderueshme për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të partnerëve tanë, si dhe një paketë 750 milionë euro të ndihmës makro-financiare dhe një paketë ndihme prej 1.7 miliardë eurosh. nga Banka Evropiane e Investimeve”, thuhet në pikën e tretë të Deklaratës së Zagrebit.

Liderët e shteteve anëtare dhe kandidate u pajtuan që BE dhe Ballkani Perëndimor së bashku të zgjidhin sfidat e përbashkëta nëpërmjet furnizimit të përbashkët dhe rrjedhës së pakufizuar tregtare të pajisjeve mbrojtëse personale, sigurimit të fluksit të shpejtë të mallrave nëpër të ashtuquajturve “korridore të gjelbra” që e lidhin BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, furnizime nga BE-ja të materialeve për testim e kështu me radhë. Ky njoftim i nxiti euroskeptikët në debat, ku po testohen përpjekjet e sinqerta të partnerëve. U diskutua edhe për hipokrizinë dhe nëse pandemia e zbuloi fytyrën egoiste të miqve “të mëdhenj”.
Shumica e shteteve-kandidate shprehën mirënjohjen e tyre për ndihmën tashmë të pranuar nga BE-ja për ballafaqim. Në disa shtete lidershipi i tyre dërgoi tone negative në adresë të ndihmës nga Unioni dhe është ndjerë mbizotërimi i euroskepticizmit.
Maqedoni e Veriut: Ndihma financiare e shkriu propagandën “patriotike”
Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare janë partner dhe mbështetja më e fuqishme në Maqedoninë e Veriut në këtë krizë, thonë nga Zyra e BE-së në vend. Këto janë të dhënat zyrtare që i morëm nga Kabineti i ambasadorit Samuel Zhbogar:
- 4 milionë euro për ndihmë urgjente mjekësore – 2/3 e pakos mjekësore përfshijnë respiratorë
- 3 milionë euro ndihmë të drejtpërdrejt për Buxhetin
- 9 milionë euro ndihmë të drejtpërdrejt financiare për kompanitë e vogla dhe të mesme, që do të startojë në vjeshtë
- 40 milionë euro fonde për financimin e Qeverisë si mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe mikro dhe masa aktive për punësim. Kësti i parë do të arrijë pas verës
- 10 milionë euro për alokimin e nevojave shëndetësore dhe të tjera që mund të paraqiten në të ardhmen
Për ndihmë në të ardhmen BE-ja aktivizoi disa mekanizma: Komisioni Evropian i propozoi Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian 160 milionë euro hua për vendin tonë, që do t’i amortizojë tronditjet financiare të shkaktuara nga COVID-19. Maqedonia e Veriut ka të drejtë të lidhet me Marrëveshjen Evropiane për Furnizime Publike për pajisje mjekësore dhe me Sistemin për sinjalizim të shpejtë të BE-së për sëmundje ngjitëse. Më 22 prill, euroambasadori Samuel Zhbogar në profilin e tij në Twitter publikoi se Republika e Maqedonisë së Veriut do të marrë ndihmë përmes Mekanizimit për mbrojtje civile të BE-së. Janë numëruar 5 gjeneratorë, 25 tenda familjare, 200 dyshekë dhe 1.000 batanije. Austria e “përshëndeti” RMV-në me doreza mjekësore dhe mjete për dezinfektim. Kjo ndihmë së shpejti hasi në përgjigje ironike. Në rrjetet sociale filloi fushata anti-BE “Batanije për ty” e nxitur nga fushata e dikurshme “BE për Ty”. Dhurimi i 1000 batanijeve përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile u keqpërdorë nga euroskeptikët dhe kështu paketa vlefshme 66 milionë euro për Maqedoninë e Veriut doli në plan të dytë.

Pas gati dy muajsh, perceptimi po korrigjohet. Samiti i Zagrebit dhe injeksionet e vazhdueshme financiare të BE-së kanë lënë në hije sarkazmin dhe komentet “patriotike” të euroskeptikëve.
“Në periudhën e kaluar, nuk është kryer asnjë hulumtim që mund të tregojë nëse qytetarët e kanë ndryshuar perceptimin e tyre dhe nëse euroskepticizmi është rritur. Por, duke ndjekur situatën, mund të them që kjo propagandë anti-BE zgjati një kohë shumë të shkurtër dhe, përveçse në rrjetet sociale, nuk zuri vend të rëndësishëm në media. Gjithnjë e më shumë u dëgjuan deklarata me mirënjohje për BE-në nga përfaqësuesit tanë qeveritarë”, thotë për këtë hulumtim Stefan Ristovski nga Instituti i Politikave Evropiane (EPI).
Maqedonia e Veriut ka qasje në 4 milionë euro në Instrumentet e shëndetit publik të BE-së, si dhe mundësi për furnizim të pajisjes mjekësore. Është e rëndësishme të theksohet se reagimi i Unionit ishte në kohë dhe paketa e masave për Ballkanin Perëndimor u zyrtarizua në Samitin në Zagreb, kujton Aleksandar Jovanovski nga Komiteti i Helsinkit.
“Gjëja më e rëndësishme është paketa financiare për mbështetje të drejtpërdrejtë ekonomike prej 128 milionë eurosh përmes huave dhe kredive nga Banka Evropiane e Investimeve, që do të administrohen nga bankat komerciale në vend. Gjithashtu, përmes mbështetjes makro-financiare do të kemi qasje në 160 milionë euro shtesë”, thotë Jovanovski për analizën tonë.
Vërejtja e tij ka të bëjë me përfaqësuesit qeveritarë.
“Disa nga masat nuk janë shpjeguar sa duhet për qytetarët, duke pasur parasysh faktin që gjatë kësaj periudhe mbizotëronte diskutimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për të siguruar një transparencë dhe informacion më të madh, Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) duhet ta informojë publikun më rregullisht”, përfundon Jovanovski.
Shqipëri: BE që nga dita e parë qëndron pranë shqiptarëve
Ashtu si në Maqedoni, edhe në Shqipëri u ndanë 4 milionë euro dedikuar për shëndetësinë. Në Ditën e Evropës (9 Maj), kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca njoftuan se BE kishte caktuar një shumë prej 230 milionë euro për t’u përballur me koronavirusin. 4 milionë arritën menjëherë, ndërsa 205 milionë të tjera u paralajmëruan për në qershor, të dedikuara për mbrojtjen sociale dhe rimëkëmbjen ekonomike.
“Në këtë moment kur po flasim për këtë krizë të shkaktuar nga koronavirusi, dhe në këtë rast, që nga dita e parë BE-ja qëndroi pranë shqiptarëve dhe 230 milionë euro janë ndarë për këtë vend. Dhe këtu, përsëri, BE ndan edhe 480 milionë euro hua me shkallë interesi të njëjtë si për vendet anëtare, dhe këto fonde do të jenë në dispozicion në fillim të korrikut”, theksoi Soreca.
Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë Shqiptare, Edi Rama, premtoi se nuk do të ketë keqpërdorime me paratë evropiane.
“Puna me sistemin shëndetësor vazhdon falë mbështetjes edhe të BE-së, por do të doja të theksoja dhe t’u bëj thirrje atyre që ankohen se tashmë janë vjedhur paratë, që Unioni i vuri i në dispozicion, se këto para sapo kanë filluar të shpërndahen dhe janë monitoruar rreptësisht nga BE-ja. Nuk janë para që vijnë me valixhe, por fonde që janë të strukturuara me projekte të qarta”, porositi kryeministri shqiptar, Rama.
Kosovë: BE luajti rol kryesor në shërimin e plagëve financiare
Qeveria e Kosovës njoftoi se 5 milionë euro kanë mbërritur në vend. Përveç kësaj ndihme të drejtpërdrejtë që i “shëron” plagët shëndetësore, BE-ja përgatiti edhe 63 milionë euro si masa afatmesme dhe ndihmë për grante socio-ekonomike. Janë planifikuar rreth 100 milionë euro kredi, si ndihmë makro-ekonomike për këtë vend.
“Ndihma do të jetë në dy faza. Së pari nga BE-ja kemi siguruar 30 aparate respiratorë, 75 pompa infuzionesh, 75 shiringa për pompë për infuzion, 5 autoambulanca, 200 oksimetra pulsi, 70 monitorë të pacientëve, 5 defibrilatorë, 20 elektrokardiogramë dhe 400 shtretër. Nëse paraqiten mungesa, janë paraparë 3,000 tuba për të rritur dhe fëmijë, 5 autoambulanca, 25,000 teste për Covid-19, 650 000 respiratorë FFP2, 130 000 maska për fytyrën, 70000 doreza, 140 000 litra dezinfektues për duar. Në fazën e dytë do të sigurohen 20 autoambulanca të tjera, ilaçe dhe pajisje mbrojtëse personale”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.
Fondacioni “Shoqëri e Hapur” në Kosovë (KFOS) ka kryer hulumtim mbi këtë temë. Në këtë hulumtim konstatohet se ndihma e BE-së është vonuar, përgjithësisht, për Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për Kosovën. Tensionet arritën kulmin kur KE-ja më 15 mars e bllokoi eksportin e pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse jashtë BE-së. Pesë ditë më vonë, Komisioni mori një vendim me përjashtime, në përputhje me Marrëveshjet për stabilizim dhe asociim.
“Mbi 410 milionë euro ishte shuma totale e ndihmës urgjente të shpërndarë për vendet e rajonit. “Kosova fitoi 5 milionë euro dhe të gjitha fondet janë të dedikuara kryesisht për nevojat urgjente të Qendrës Klinike Universitare dhe përfshijnë pajisjet e duhura mjekësore të nevojshme për të luftuar krizën”, thuhet në hulumtim.
Megjithatë, sikurse në shumicën e vendeve fqinje, BE-ja ka dëshmuar se mbetet një mik i shkëlqyer në këto hapësira.
“Vlerësimi im është që ndihma e BE-së luan rol kryesor në efektet për një periudhë afat shpejtë dhe afatmesëm gjatë pandemisë. Është ofruar ndihmë financiare, është siguruar ekspertizë përmes shkëmbimit të informacioneve, është siguruar rrjedhja e lirë e materialit të nevojshëm mjekësor nëpër korridoret e gjelbra… Mund të konkludoj se BE-ja është një lojtar kryesor në sigurimin e ndihmës financiare dhe teknike për t’u përballur me krizën e COVID”, sqaron për këtë hulumtim Demush Shasha, drejtor Ekzekutiv i Institutit EPIK në Kosovë.
Bosnje e Hercegovinë: Dorëheqje, hetime dhe suspendime për shkak të keqpërdorimeve të mundshme të parave
Për Bosnjën dhe Hercegovinën, përveç ndihmës në formë të pajisjes mjekësore, janë ndarë më shumë se 300 milionë euro për të lehtësuar pasojat sociale dhe ekonomike nga epidemia. Shpenzimet e këtyre fondeve do të monitorohen me kujdes, thonë nga BE-ja. Dhe, organet evropiane do të kontrollojnë rregullisht shpenzimin e parave. Këtë e bëri të ditur kreu i Delegacionit të BE-së në BeH, Johan Satler, pasi shpërtheu afera në publik me furnizimin e respiratorëve, ku ishin përfshirë personalitete nga kreu më i lartë i politikës. Një problem shtesë për mospërdorimin e fondeve janë mosmarrëveshjet me garniturën qeverisëse. Këtë e paralajmëruan edhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare. Bosnja dhe Hercegovina mori një kontingjent të ri për kujdes mjekësor, që u sigurua nga Bashkimi Evropian në fund të majit. Ky kontingjent përmbante respiratorë cilësorë për pacientët të prekur rëndë me koronavirus.
Aparatet dhe pajisjet mbrojtëse janë me vlerë 800.000 euro, kurse kreu i Delegacionit të BE në BeH, Johan Satler, vuri në dukje se me dorëzimin e donacionit Unioni në këtë mënyrë e dëshmon edhe një herë gatishmërinë e tij për të mbështetur BeH. Respiratorët e rinj janë prodhuar në Suedi me cilësi të dëshmuar, ndryshe nga ato që i siguroi Federata e BeH në prill nga Kina, të cilat u dëshmuan se ishin të papërdorshme në njësitë e repartet e kujdesit intensiv për të cilat ato ishin dedikuar. Për këtë furnizim ishin paguar 5.3 milionë euro nga buxheti i BeH, ndërsa Prokuroria tani po e heton.
Mali i Zi: Ndihma e vonuar kaloi përmes prizmit politik
Nga pikëpamja shëndetësore, Mali i Zi është lider në mesin e vendeve të tjera kandidate të BE-së në një punë kyçe – i pari që i dha fund epidemisë (2 qershor). Atje kaluan dy periudha inkubacioni prej 28 ditëve pa raste të reja të infeksionit me koronavirus. Si anëtar i NATO-s, Mali i Zi përmes Mekanizmit të Traktatit të Atlantikut të Veriut ka kërkuar maska, doreza, respiratorë dhe pajisje të tjera mbrojtëse dhe mjekësore në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.
Më 11 maj, Ambasadori i BE-së në Malin e Zi, Aivo Orav, informoi se BE-ja ka ndarë 53 milionë euro të pakthyeshme për këtë vend në përgjigje të Covid-19. 3 milionë euro për nevoja shëndetësore urgjente, 100 respiratorë, 10 makina digjitale rëntgen, 85.000 maska mbrojtëse, 80 mijë palë doreza dhe 50 mijë copë pajisje të tjera mbrojtëse, materiale kontrolli për 20 mijë teste, ushqim dhe pajisje mbrojtëse për 600 familje rome, pajisje mbrojtëse për burgje.
Boris Raoniq, kryetar i OJQ “Aleanca qytetare” vlerëson se ndihma e BE-së në Malin e Zi nuk ka arritur në kohë dhe reagimi i ngadaltë ka kontribuar në paraqiten e euroskepticizmit dhe paralelisht të rritet ndikimi nga Lindja.
“BE-ja gjatë epidemisë tregoi ngadalësi dhe pavendosmëri, gjë që i inkurajoi euroskeptikët. Megjithëse ndihma është e konsiderueshme dhe më e madhja, ajo mbërriti vonë. Kjo është dëshmi se sa e rrezikshme është kur sisteme të tilla të fuqishme dhe të mëdha drejtohen nga burokratë e jo nga politikanë vizionarë. “Për Malin e Zi kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse pas disa dekadash luftimesh ne jemi zhvendosur përfundimisht në Perëndim dhe ky kurs tani nuk duhet të rrezikohet por, përkundrazi, duhet forcohet më tej”, thotë Raoniq për analizën tonë.
Ndihma e premtuar nga BE-ja është e lidhur me një numër procesesh që e çojnë vendin drejt integrimit të dëshiruar, por Raoniq paralajmëron për një kontradiktë:
“BE-ja paralajmëroi ndihmë për ekonominë, kurse Qeveria nuk mund të sigurojë mbështetje për kompanitë. Pikërisht ky segment është mbuluar me kapitullin e fundit të negociatave që ne nuk mund ta hapim, dhe i referohet konkurrencës. Nga ana tjetër, BE-ja po shkel të njëjtat rregulla. Është problem nëse BE-ja planifikon të shtypë shuma të reja parash. Në Mal të Zi, euroja është monedhë nacionale dhe shtypja e monedhave do të ndikojë në flukset financiare të vendit. E gjithë kjo po u jep oksigjen forcave antiperëndimore këtu”, analizon Raoniq.
Serbi: Nga “përralla në letër” deri tek shitja e euroboneve
Në Serbi, gjithçka filloi më 15 mars kur presidenti Aleksandar Vuçiq shpalli gjendje të jashtëzakonshme. Atë ditë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi ndalimin e eksportit të pajisjeve mjekësore nga vendet e BE-së. Ky vendim provokoi Vuçiqin t’u dërgojë kritika emocionale vendeve evropiane.
“Nuk dua të nxjerrë përfundime politike tani, por kur gjithçka do të kalojë. Por, ne kemi kuptuar se nuk ka solidaritet të madh ndërkombëtar evropian dhe e gjitha ishte një përrallë në letër”, tha Vuçiq në konferencë për shtyp. Në të njëjtën ditë, ai i dërgoi letër Kinës dhe presidentit Xi Jinping, duke i kërkuar ndihmë dhe mjekë. Një numër i serbëve nuk pajtohen me këtë veprim politik:
“Riafirmimi i një diskursi të tillë në publik, së paku, paraqet joseriozitet diplomatik të pushtetit në Serbi, veçanërisht duke pasur parasysh se anëtarësimi në BE është ende përparësi, të paktën në mënyrë deklarative. Sidoqoftë, ky veprim i Serbisë në kohën e pandemisë nuk duhet të na befasojë, pasi është një vazhdim i praktikës së gjatë të raportit të pandershëm ndaj BE-së dhe përcaktimit jo konzistent për anëtarësim. Profesori Flip Aidus thotë – Ndihma e BE për Serbinë përjetohet tradicionalisht si ndihmë e njerkës së pasur që jep shumë më pak sesa mundet dhe thotë shumë më tepër sesa duhet”, shkruan në kolumnë Strahinja Subotiq nga Qendra për Politikë Evropiane në Beograd.
Një muaj më vonë, Vuçiq falënderon BE-në për ndihmën e madhe, duke u ofruar vendeve evropiane pajisje mbrojtëse dhe respiratorë. BE-ja ka aprovuar 93 milionë euro ndihmë për Serbinë, nga të cilat 15 milionë euro për raste emergjente dhe 78 milionë euro për rikuperim ekonomik. Sidoqoftë, Serbia i tha “jo, faleminderit” ndihmës makro-financiare në formë kredie që BE-ja e ofroi si paketë prej 3.3 miliardë eurosh nga FMN-ja. Në të njëjtën kohë, Serbia ka shitur dy miliardë eurobono shtetërore në tregun financiar ndërkombëtar.
“Serbia është i vetmi vend në Evropë që gjatë pandemisë ka dalë në tregun ndërkombëtar të kapitalit, dhe nuk ka asnjë ndihmë nga Banka Qendrore Evropiane në plasimin e letrave me vlerë”, njoftoi Ministria e Financave e Serbisë.

Në botë dhe në vendet evropiane ende numërohen viktimat e Covid-19. Me ritëm të shpejtë ndryshojnë dhe rriten numrat e kompanive të mbyllura dhe personave të papunë. Kriza globale ekonomike po shtyn miliona njerëz në varfëri. Recesionin më të thellë në ekonomitë, pas Luftës së Dytë Botërore, parashikon Banka Botërore. Në këtë krizë, BE-ja ka treguar dobësitë e saj, por shpejt e ka mësuar leksionin dhe i obligoi shtetet anëtare dhe kandidatët në Deklaratën e Unitetit dhe Solidaritetit. Në këtë mënyrë, BE-ja ka vendosur të forcojë angazhimin e saj në të gjitha fushat dhe, në të njëjtën kohë, t’i inkurajojë partnerët në Ballkanin Perëndimor për të zbatuar reformat e domosdoshme.
Autorë: Hristina Bellovska, Zoran Maxhovski, Ajnure Bafqari dhe Simona Velkova.
Kjo storje është bërë në kuadër të punëtorisë “Gazetaria në kohë të pandemisë, gjendjes së jashtëzakonshme dhe karantinës – Sfidat, përgjegjësia dhe periudha e ndryshimit dhe përshtatjes” e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë pikëpamjet e organizatorëve.