Bashkim Selmani: Duhet vëzhgim i kujdesshëm i fenomenit të radikalizmit

“Epoka në të cilën jetojmë është e ashtuquajtur ‘epokë e terrorizmit ndërkombëtar’, me shumë të panjohura dhe kërcënime ndaj sigurisë individuale, kombëtare dhe grupore. Jeta jonë bëhet e pasigurt për shkak të armikut, adresa ose vendbanimi i të cilit është i panjohur”, Bashkim Selmani
Global dhe jokonvencional, i lidhur ngushtë me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, duke mbajtur me vete një dozë të pamëshirshme të paparashikueshmërisë, dinamizmit, hibridizmit dhe transnacionalizmit, terrorizmi modern, i mbështetur nga globalizimi, po bëhet sfida më e madhe për sigurinë kombëtare dhe botërore.
Profesori Darko Trifunoviq, nga INIS – Instituti për Sigurinë Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Serbi, thotë se ka metoda të veçanta me të cilat mund të bëhen vlerësime të sigurisë. Sipas tij, duhet të përcaktohet nëse në një territor të caktuar veprojnë dhe janë të pranishëm terroristët, organizatat terroriste, organizatat humanitare që financojnë dhe ofrojnë mbështetje logjistike për terroristët, nëse veprojnë shtete që janë sponsorë të terrorizmit dhe nëse në një territor të caktuar si motiv për sulm përdoret apo keqpërdoret feja.
Në të ndërlidhet edhe profesori universitar Bashkim Selmani, i cili thotë se ballafaqimi me fenomenin e terrorizmit kërkon ndërhyrje specifike.
“Shërbimet e sigurisë duhet të monitorojnë në mënyrë aktive fenomenin dhe nivelin e radikalizmit të individëve dhe grupeve, ndërsa organet e zbatimit të ligjit marrin rolin e tyre në momentin kur ka dyshime për vepra të mundshme kriminale që sanksionohen me Kodin Penal. Pas sanksionimit të tyre dhe pasi të dërgohen për të vuajtur dënimin me burg, fillon një proces i ri që përpiqet të ndikojë mbi ta, dhe ky është de-radikalizmi dhe risocializimi i tyre”, nënvizon ai.
ROLI I BOTËS DIGJITALE NË REALIZIMIN E EKSTREMIZMIT DHE RADIKALIZMIT QË SHPIEN DREJT TERRORIZMIT
Profesor Selmani dhe profesor Trifunoviq pajtohen me faktin se ekzistojnë mënyra dhe mjete të shumta të komunikimit që i shfrytëzojnë terroristët me ndihmën e internetit.
Prof. Trifunoviq veçon një nga mjetet më të njohura, Tor Rrjetin (The Onion Router). “Falë arkitekturës së tyre, është shumë e vështirë për këdo që të identifikojë burimin e informacionit ose vendndodhjen e përdoruesit. Ky rrjet është gjithashtu i përhapur në mesin e mijëra njerëzve që kujdesen për privatësinë e tyre, duke përfshirë gazetarët, administratën, aktivitetet, agjenci të ndryshme të sigurisë etj. Por, po ashtu, është më shumë i popullarizuar midis grupeve terroriste, siç janë Al-Nusra, Al-Kaeda, ISIS dhe të tjerët”.
Ai shton se një studim i botuar në 2011 tregon se në Darknet-in e Tor-it ka rreth 300 forume të organizatave terroriste.
Prof. Selmani, nga ana tjetër, e thekson faktin se mënyra e kryerjes së një akti terrorist bëhet më e sofistikuar me kalimin e kohës: “Terroristi i së ardhmes dëshiron të fitojë luftën pa shkrepur një plumb, duke u bazuar në teknologjinë e komunikimit dhe informacionit”, thotë ai.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), bota digjitale ka rolin e lehtësuesit ose mundësuesit, në drejtim të realizimit të ekstremizmit dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm. Shpjegojnë se “platformat online” ose, në përgjithësi, hapësira e Internetit përdoren kryesisht si propagandë për të angazhuar dhe bindur individë, veçanërisht të rinjtë, për të mbështetur grupe të ndryshme ose organizata terroriste. Një numër i caktuar individësh që nuk janë në gjendje të bashkohen në fushën e betejës po zhvillojnë luftën në mediat sociale duke ofruar mbështetje haptas.
Për rregullimin e botës digjitale në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, ekspertët e intervistuar vënë në dukje rregullativën ligjore dhe përgjegjësinë në të gjitha nivelet e vendit.
MAQEDONIA E VERIUT NUK ËSHTË NË SHËNJESTËR TË TERRORIZMIT NDËRKOMBËTAR
“Për fat të mirë, vendi ynë aktualisht nuk është shënjestër e terrorizmit ndërkombëtar, megjithëse ka indikacione se një gjë e tillë është e mundur në çdo moment. Por, lufta kundër terrorizmit në internet duhet të rregullohet. Duhet të vendoset një ekuilibër midis luftës kundër terrorizmit dhe të drejtave civile, që do të thotë të bëhet kompromis ideal midis sigurisë kombëtare dhe të drejtave të qytetarëve”, shpjegon prof. Selmani.
Në këtë kontekst, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë: “Në vend, në këtë sferë është krijuar Komiteti Kombëtar për Parandalim të Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftës Kundër Terrorizmit, i kryesuar nga Koordinatori kombëtar për njohjen e sfidave dhe koordinimin e institucioneve të ndryshme për t’u përballur me këto fenomene”.
TË RINJTË, MË TË EKSPOZUAR NDAJ RADIKALIZMIT
“Të gjithë janë të ekspozuar ndaj radikalizmit, por theks i veçantë u vihet të rinjve. Ekstremistët e dhunshëm dhe organizatat terroriste nuk zgjedhin aspak mjetet për të tërhequr të rinjtë, në mënyrë që të realizojnë idetë e tyre”, thotë Filip Petrushevski, 28-vjeçar.
Njerëzve të targetuar, thotë ai, u ofrojnë ndjenjë të përkatësisë, përmbushjes, përfshirjes, barazisë, dinjitetit dhe shpesh plotësojnë disa zbrazëtira psikologjike. “Shumë më lehtë arrijnë te ata njerëz që kanë pasur probleme në rininë e tyre dhe kanë qenë në një mjedis jo të shëndetshëm”. Ai shton se përdoren edhe metoda në lidhje me fenë, dhe shumë shpesh u ofrohen përfitime të ndryshme për t’u kujdesur për familjen nëse kryejnë një akt të caktuar terrorist.
Edhe qëndrimi i 28-vjeçares Viktorija Miloshevska është i njëjtë. Ajo apelon: “Për të parandaluar që këto organizata dhe njerëz të arrijnë qëllimet e tyre, investimi është i nevojshëm nga secili prej nesh. Denoncimi i çdo situate të dyshimtë në hapësirën publike, investimi në staf, pajisje, teknologji në shërbimet shtetërore përgjegjëse për parandalimin e terrorizmit, komunikimi aktiv me të njëjtat shërbime të vendeve fqinje, futja e lëndëve të tilla si etika, psikologjia dhe lëndë të ngjashme që në arsimin fillor të fëmijëve”.
Autorë të storjes: Natasha Jançiq-Menkovski, Angela Rajçevska, Dajan Temellkovski, Enis Murtezi
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.