Bashkëpunimi ndër-sektorial si faktor në luftën kundër terrorizmit

Sulme terroriste ka në të gjithë botën. Qëllimet dhe motivet e terroristëve janë të ndryshme. Target lokacionet, zakonisht, janë vendet ku lëvizin më shumë njerëz, por edhe ndërtesat administrative. Në shtator të këtij viti, një veprim i mundshëm terrorist u parandalua edhe në vendin tonë. Ministria e Punëve të Brendshme ndaloi tre kumanovas, të cilët, sipas njoftimit, ishin të kthyer nga fushëbetejat dhe tashmë kishin vuajtur dënimet me burg. Tek ata policia gjeti pajisje shpërthyese. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se shënjestër i këtij grupi terrorist kanë qenë disa vende në gjithë metropolin.

Foto: MPB
DEKLARATË E DUJOVSKIT
Bashkëpunimi midis institucioneve kompetente vendore dhe ndërkombëtare në shkëmbimin e informacioneve dhe ndërmarrja e aktiviteteve të tjera që synojnë parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit është thelbësor për një politikë të suksesshme që do të japë rezultate të dukshme dhe do të mbrojë pronën dhe sigurinë e qytetarëve.
Strategjia Kombëtare për Luftën kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm është një dokument gjithëpërfshirës që do të orientojë dhe lehtësojë në mënyrë strategjike realizmin e politikave për të cilat synojnë organet shtetërore. Përfshirja e të gjitha institucioneve kompetente, sektori joqeveritar, bashkësitë fetare, sistemi arsimor, si dhe mbështetja nga shoqatat dhe organizatat profesionale ndërkombëtare do të plotësojë tablonë e përgjigjes që Maqedonia e Veriut do të japë si partner i rëndësishëm në bashkësinë ndërkombëtare, anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE.
Në Strategjinë Kombëtare për Luftën kundër Terrorizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut si organe në luftën kundër terrorizmit përmenden: Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit dhe Byroja e Sigurisë Publike, Agjencia e Zbulimit; Ministria e Mbrojtjes – Sektori – Shërbimi Ushtarak i Sigurisë dhe Zbulimit, Ministria e Drejtësisë; Ministria e Financave – Drejtoria e Zbulimit Financiar, Drejtoria e Doganave dhe Drejtoria e Policisë Financiare; Prokuroria Publike, me theks se janë përfshirë edhe institucione të tjera në punën e Komitetit Kombëtar. Prioritetet strategjike janë parandalimi, mbrojtja, ndjekja penale dhe reagimi. (Burimi: Strategjia Kombëtare e Republikës së Maqedonisë 2018-2022).
MPB-ja dhe shërbimet e zbulimit janë në kulmin e piramidës në ballafaqimin me terrorizmin. Ata thonë se koordinatat ndër-sektoriale vijnë nga Komiteti Kombëtar për Ballafaqim me Ekstremizmin e Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit. Nga policia, bashkëpunimin për ballafaqim me këtë të keqe e vlerësojnë në nivel të kënaqshëm, për të cilin rezultatet janë të dukshme.
“Në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë sferë është themeluar Komiteti Kombëtar për Ballafaqim me Ekstremizmin e Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, i kryesuar nga Koordinatori Kombëtar, për të identifikuar sfidat dhe për të koordinuar institucione/sektorë të ndryshëm në drejtim të ballafaqimit me këto fenomene. Bashkëpunimi me shërbimet e zbulimit është i vazhdueshëm dhe në nivel të kënaqshëm. Aksione të caktuara të ndërmarra në të kaluarën, në një pjesë të konsiderueshme, janë rezultat i një bashkëpunimi të tillë ndër-sektorial”, vlerësojnë nga MPB-ja.
Në entet ndëshkuese-korrektuese u realizuan trajnime për detektimin e elementeve të ekstremizmit të dhunshëm tek të burgosurit. Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve informojnë se deri më tani nuk janë vërejtur tendenca për aktivitete të nxitjes së terrorizmit.
“Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve gjatë vitit 2019, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, ka zhvilluar trajnimin e personelit të burgjeve, në mënyrë që të njohin shenjat e radikalizmit tek të dënuarit. Trajnimet për rreth 170 punonjës të burgjeve ishin, kryesisht, njëditore ( fillestare), përveç për 30 punonjës, për të cilët u realizuan trajnime të avancuara katërditore. Pas trajnimeve të realizuara të personelit të burgut, në burgje nuk janë vërejtur tendenca për paraqitjen e radikalizmit në mesin e të dënuarve që vuajnë dënimin me burg në RMV”, deklaruan nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.
Edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka një përfaqësues në Komitetin Kombëtar për Luftën kundër Terrorizmit dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm. Nga MASH-i njoftojnë se Komiteti ka miratuar një numër dokumentesh strategjikë dhe shumë elementë të tyre, që kanë të bëjnë me detektimin dhe parandalimin e formave të ndryshme të dhunës dhe fenomeneve antisociale, janë të integruara në sistemin arsimor dhe programet mësimore.
“Nxënësit, që nga mosha e hershme, nga fillimi i arsimit formal e deri në fund, në kuadër të lëndës mësimore Edukimi qytetar, por edhe përmes një qasjeje multidisiplinare, përmes lëndëve të ndryshme, edukohen për të dalluar të mirën nga e keqja, moralen nga e pamoralshmja dhe, ndër të tjera, të fitojnë informacione mbi rreziqet nga joshja për pjesëmarrje dhe veprim në organizata – qëllimet e të cilave janë të lidhura me dhunën dhe terrorizmin. Komiteti Kombëtar ka zhvilluar edhe trajnime në shkolla, dedikuar për personelin profesional, që kanë të bëjnë me detektimin dhe parandalimin e elementeve të dhunshme radikale dhe fenomeneve në sistemin arsimor dhe në shkolla. Vlerësojmë se mekanizmi për parandalimin e të rinjve nga pjesëmarrja në terrorizëm radikal dhe fenomene të ngjashme është i mirë”, informojnë nga MASH-i.
Organizatat joqeveritare janë të mendimit se në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit nevojitet bashkëpunim i ndërsjellë i organeve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve arsimore e mediave. Organizata joqeveritare “Iniciativa për Perspektivë Evropiane” tashmë po punon në projekte që ndërlidhen me këto fenomene.
“Ne duhet të punojmë, fillimisht, në parandalim, ku ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi nuk do të ishin një sfidë për një të ri por, përkundrazi, së bashku, do të krijonin një klimë në të cilën këto fenomene janë të papranueshme për shoqërinë. Bashkëpunimi i përbashkët vazhdon edhe në luftën kundër personave tashmë të radikalizuar, si dhe në proceset e risocializimit dhe ri-integrimit në shoqëri të të dënuarve dhe të kthyerve nga fushëbetejat e huaja. ‘Iniciativa për Perspektivë Evropiane – IPE’ aktualisht po zbaton dy projekte në lidhje me këto fenomene. Njëri në bashkëpunim me SHGM-në, MPB-në dhe MM-në dhe tjetri në bashkëpunim me disa organizata të shoqërisë civile, ku një nga qëllimet është ndërtimi i një platforme të organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e edukimit të të rinjve si parandalim i ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Në vitin 2021, IPE pritet të përfshihet në zbatimin e një projekti tjetër, ku fokusi do të jetë rehabilitimi dhe risocializimi i luftëtarëve të huaj, respektivisht të të kthyerve”, deklaroi Elena Milenkoska-Mihailovska nga OJQ “Iniciativa për Perspektivë Evropiane – IPE”.
Organizata joqeveritare “NEXUS – Koncepti qytetar” është duke punuar në projekte me shkollat e mesme mbi bazat e njohjes së radikalizmit që mund të çojë në ekstremizmin e dhunshëm tek të rinjtë.
“Në varësi të aktivitetit konkret që po zbatojmë, për shembull ‘Nexus – koncepti qytetar’ deri më tani ka punuar dhe ende punon në fushën e arsimit. Deri më tani kemi realizuar një projekt, ku kemi kryer trajnime, posaçërisht për shkollat e mesme në pesë komuna në Maqedoni. Trajnimet u zhvilluan për bazat e njohjes së radikalizmit që mund të çojnë në ekstremizëm të dhunshëm tek të rinjtë. Ne përgatitëm një doracak dhe i gjithë ky aktivitet ishte në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit. Për momentin, ne kemi një aktivitet të veçantë për përgatitjen e video mjeteve edukative, që janë të dedikuara për shkollat”, deklaroi Afrodita Musliu, drejtoreshë ekzekutive e “NEXUS – Koncepti qytetar”.
Për autoritetet e rajonit bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është thelbësor. Besimi ndërtohet përmes një sërë trajnimesh dhe shkëmbimit të informacioneve, që ka për qëllim identifikimin e terroristëve gjatë përpjekjeve të tyre për të realizuar aktin e paramenduar. Duke shkëmbyer përvoja në një nivel të lartë, me organizimin e konferencave të ndryshme, qëllimi është t’u jepet përgjigje në mënyrë të përshtatshme goditjeve të celulave terroriste që janë të përhapura në të gjithë botën.
Autorë të storjes hulumtuese: Gabriela Leskova, Milan Spirovski dhe Natasha Gërkova-Petrushevska
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.