Arsimi dhe kultura në kohë të pandemisë

ARSIMI NË KOHË TË KORONËS:E-KLASA TË IMPROVIZUARA NË MJEDIS PANDEMIK
E-klasa të improvizuara, probleme teknike, abuzimi i detyrave të shtëpisë dhe pamundësia për qasje në online ligjëratat. Pandemia me Kovid-19 është një sfidë e vërtetë për arsimin.
“Personalisht kam pasur shumë situata të vështira dhe stresuese, duke harxhuar shumë kohë dhe energji për përgatitjen e materialit që do të pranohet në mënyrë adekuate nga të gjithë nxënësit për t’i ndihmuar ata të fitojnë njohuri në lidhje me përmbajtjen mësimore. Kësaj mund t’i shtohen edhe problemet teknike që u paraqitën gjatë tërë këtij procesi” – thotë një arsimtar nga Shkolla fillore “Nikolla Karev” nga Radovishi.

Se arsimi në të ardhmen do të definohet nga teknologjia na dëshmuan zhvillimet e fundit me pandeminë e Kovid-19. Institucionet arsimore u detyruan të transferojnë mësimet e tyre në botën virtuale. Nëpërmjet platformave të ndryshme dhe mjetet informatike, profesorët u munduan për të mbajtur mësime për nxënësit.
Mësuesi nga shkolla fillore “Nikolla Karev” në Radovish, i cili dëshiroi të mbetet anonim, tha se së bashku me kolegët e tij, vetë nxënësit, por edhe prindërit e tyre, janë përballur me një numër paqartësish, dhe çështje të tjera. Ata kanë bërë improvizime të ndryshme duke përdorur mjete informatike për të vazhduar procesin arsimor, përmes përdorimit të komunikimit në internet ndërmjet mësuesit-nxënësit-prindërit. Në një marrëveshje të përbashkët me mësuesit e tjerë, ata kanë përdorur të njëjtat platforma në mënyrë që studentët të mund të përshtaten më lehtë në këtë proces të ri mësimor.
“Kemi vërejtur dhe konstatuar, në një mënyrë, keqpërdorim i mjeteve informatike dhe rrjeteve sociale në relacion nxënës – arsimtar shkaku i faktit të kopjimit ose dërgimit të përgjigjeve dhe detyrat e kryera të shtëpisë në relacion nxënës – nxënës që ndikon në zvogëlimin e mundësisë për vlerësim konkret dhe më të hollësishëm të njohurive të fituara të çdo nxënësi nga ana e arsimtarëve” – thotë arsimtari nga ShF “Nikolla Karev” – Radovish.
Ministria e Arsimit, e cila në periudhën e kaluar ka përshtatur rregulloret dhe udhëzimet e saj sipas situatës së shkaktuar, nga ana tjetër është e kënaqur me arritjet:
“Të dhënat që i morëm në teren për arsimin elektronik na motivojnë të vazhdojmë të përmirësojmë këtë proces. Në fillim, siguruam internet falas për 30,000 nxënës, ose 14.800 familje. Siguruam internet dhe pajisje teknike për ata që nuk kanë pasur. Deri më tani, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka pasur asnjë ankesë ose vërejtje për procesin e vlerësimit nga asnjë palë. Jam i bindur dhe besoj që programet dhe platformat që u kemi rekomanduar studentëve dhe mësuesve gjithashtu garantojnë privatësinë. Së bashku me institucionet e tjera, jemi duke punuar për hapjen e shkollave dhe krijimin e një plani në rast të përkeqësimit të mundshëm të situatës. Siç do të organizohet transporti publik, ashtu do të organizohet edhe transporti i nxënësve. Do t’i miratojmë protokollet së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë” – thotë ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Arsimtari nga ShF “Nikolla Karev”, i bashkëngjitet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për sigurimin e qasjes në arsim për të gjithë.
“Shumica e nxënësve kishin kushte për të ndjekur mësimet në internet dhe ata ishin në gjendje të kryenin detyrat e shtëpisë të caktuara nga mësuesit e saj pa kurrfarë ndërprerje. Sidoqoftë, ka edhe nxënës nga familje ku mbështetja teknike dhe përdorimi i mjeteve informatike ishin të pamundura ose në një nivel shumë të ulët, dhe për këtë arsye Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri një regjistrim të popullsisë dhe i regjistroi ata në mënyrë që të ju ndihmojnë atyre. Njëkohësisht, ka edhe nxënës që kanë pasur të gjitha parakushtet për punë, por nuk i kryenin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre” – thotë ai.
KULTURA NË KOHË TË KORONËS: TEATROT, KINEMATË DHE KONCERTET KALUAN NË TV EKRANET
Përveç arsimit, gjendja e jashtëzakonshme e shkaktuar nga pandemia me Kovid-19 ndikoi edhe në aspektet tjera të jetës së njerëzve, ndër të cilëve është edhe kultura. Biletat për teatër, kinema dhe koncerte nuk vlejnë më. Njerëzit shijuan filmat, shfaqjet dhe koncertet nga shtëpia, përpara ekraneve televizive.
Muzikanti Goce Stevkovski, nga Shoqata e Jazz Muzikantëve dhe Artistëve të Lirë, thotë se, si të gjithë të tjerët, edhe ata po përpiqen ta shndërrojnë karantinën në një avantazh duke punuar në muzikë të re, plane dhe projeksione për momentin kur masat do të lirohen. Ai veçon edhe pasojat nga kjo situatë.
“Ju e dini që të gjitha ngjarjet u anuluan gjatë kësaj periudhe. Dëmi është i madh. Të gjitha koncertet tona janë shtyrë ose nuk do të mbahen, turne të tëra në Ballkan dhe Evropë janë anuluar, shfaqje individuale nga muzikantët, paraqitje si pjesë e projekteve të ndryshme këtu dhe jashtë gjithashtu janë anuluar” – thotë Stevkovski.
Ministria e Kulturës, gjithashtu e kënaqur me arritjet, thekson se edhe gjatë pandemisë, pavarësisht se institucionet kulturore si teatrot, muzetë, galeritë… kanë mbyllur dyert e tyre për publikun, kultura nuk mbeti e paarritshme për qytetarët: “Vlerësimi ynë është që efikasiteti i e-kulturës e zbatuar në periudhën e kaluar ka qenë në një nivel solid. Janë realizuar një numër projektesh, d.m.th., të cilat në situatën specifike dhe rrethanat e përmbushën qëllimin e tyre. Kryesorja është se shumë projekte u zbatuan dhe përvojat nga ky realizim do të jenë të vlefshme për të ardhmen” – thonë nga ministria.
Gjatë pandemisë, institucionet dhe artistët e pavarur postuan përmbajtjet e tyre në internet, pra në rrjete sociale dhe televizione, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësinë të shikojnë një pjesë të repertorit të tyre falas, duke përfshirë këtu shfaqjet teatrore, koncertet, filmat dhe shëtitjet virtuale në muze.
Në mesin e interpretuesve që ishin të angazhuar në projektet për e-kulturë që u implementuan në periudhën e kaluar ishte edhe Shoqata e Jazz Muzikantëve dhe Artistëve të Lirë, e cila realizoi pjesë të edicionit të katërt të festivalit të tyre me emrin “Тoday it’s all about jazz”, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore për të Rinj dhe qytetin e Shkupit. Ata i vlerësojnë projektet si të mira, por jo afatgjata.
“Unë mendoj se një pjesë e madhe e programit u zbatua në kohën e duhur, duke ruajtur aspektin kulturor dhe shoqëror, veçanërisht në dy muajt e parë pasi u prezantuan masat emergjente dhe ora policore. Prandaj, unë mendoj se realizimi i fushatës “Kultura në kohë të Koronës” ka dëshmuar të jetë një zgjidhje e mirë. Sidoqoftë, nga këndvështrimi i muzikantëve, nuk është e njëjtë performanca me ose pa praninë e audiencës. Ndihma që iu dha një herë muzikantëve është e mirë, por nuk zgjidh problemet që ata hasin në kushte normale dhe tani. Për më tepër, është e qartë se është e nevojshme një zgjidhje sistematike, të cilën e kemi theksuar disa herë” – shpjegoi Stevkovski.
Pak kohë më parë është miratuar një vendim për mbështetjen financiare të artistëve të pavarur, e cila rregullon mbështetjen financiare të artistëve të pavarur për muajt prill dhe maj të vitit 2020 në shumën mujore prej 14.500.00 denarë. Urdhri mbulonte 142 artistë, aq sa janë regjistruar në Ministrinë e Kulturës.
Një pjesë e anëtarësisë së Shoqatës së Jazz Muzikantëve dhe Artistëve të Lirë janë të regjistruar si artistë të pavarur në Ministrinë e Kulturës, dhe ato marrin rregullisht kompensim për kontributet në sigurimet shëndetësore dhe pensionet, të cilat Ministria e Kulturës siguron gjatë tërë vitit për të gjithë artistët e pavarur. Sidoqoftë, Shoqata apelon që në periudhën e ardhshme, të gjitha autoritetet, përfshirë Ministrinë e Kulturës, qytetin, komunat dhe institucionet të jenë më të hapur për bashkëpunim me artistët vendas.
“Pasojat e pandemisë tashmë po ndjehen në të gjitha fushat. Për shumë muzikantë, të ardhurat e vetme vijnë nga shfaqjet live, koncerte apo ahengje më të vogla në klube, kështu që mund të thuhet se shumica e artistëve janë në prag të ekzistencës. Nga pikëpamja krijuese, kjo pasiguri në lidhje me pandeminë dhe masat e marra nuk ka ndikojnë mirë për artistët që janë të angazhuar në punë kreative (mungesa e kushteve të punës, lëvizja e kufizuar, grupimi i ndaluar, etj.). Do ta them përsëri, krijimi në kushte normale është më se i vështirë” – përfundoi Stevkovski.
Se virusi është i pamëshirshëm dhe pandemia ka hyrë në çdo sektor të shoqërisë tregon fakti që në mesin e të infektuarve me Kovid-19 ka artistë, arsimtarë dhe nxënës. Prezantuesi dhe kompozitori Dragan Vuçiq nuk i shpëtoi virusit, ndërsa në arsim rasti i fundit i regjistruar ishte në Tetovë gjatë regjistrimit të nxënësve, rast pas të cilit institucionet kompetente vendosën të ndërpresin procesin. Se si do të përballen arsimi dhe kultura me të gjitha sfidat dhe pengesat e paraqitura nga pandemia, mbetet për tu parë përmes zellit të institucioneve dhe në të njëjtën kohë angazhimit të njerëzve.
Autorë: Adrian Kerimi, Angella Rajçevska dhe Kristijan Trajçov.
Kjo storje është bërë në kuadër të punëtorisë “Gazetaria në kohë të pandemisë, gjendjes së jashtëzakonshme dhe karantinës – Sfidat, përgjegjësia dhe periudha e ndryshimit dhe përshtatjes” e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë pikëpamjet e organizatorëve.