APELOJNË KAMERAMANËT: TË PËRMIRËSOHEN KUSHTET NË TË CILËT PUNOJMË

Me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës së kameramanëve, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) më 6 mars organizoi një punëtori dy-orëshe për kameramanët dhe gazetarët. Gjatë punëtorisë, e cila u ndoq nga rreth 20 pjesëmarrës, u diskutua për problemet dhe sfidat e mbulimit të ngjarjeve në kohë të krizës, siç është pandemia, karantina, ora policore dhe fushata parazgjedhore.
Në fillim të punëtorisë, Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) Mlladen Çadikovski, duke mirëpritur këtë iniciativë dhe aktivitetin e seksionit të kameramanëve në SHGM, theksoi se statusi i kameramanëve dhe gazetarëve përfshihet në përpjekjet dhe propozimet për të ndryshuar Kodin Penal në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, më konkretisht në lidhje me trajtimin e sulmeve ndaj gazetarëve dhe kameramanëve si sulme ndaj zyrtarëve.
Në rolin e panelistit Robert Kocev nga “Al Jazeera” theksoi se shpesh ka keqkuptime në lidhje me profesionin e “kameramanit”. Atyre u shtohen përgjegjësi shtesë, të cilat nuk janë pjesë e përshkrimit të punës, tha ai. Sipas tij, është veçanërisht e rëndësishme të merret parasysh me çfarë pajisje punojnë, si dhe se për ngjarje të caktuara ata kanë nevojë për pajisje të veçanta.
Sipas Vllatko Aleksandrov nga “TV Telma”, kameramanët ishin veçanërisht të ekspozuar ndaj rreziqeve gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kur u duhej të ndiqnin ngjarje, në të cilat shpesh herë nuk respektoheshin masat për mbrojtje kundër koronavirusit (si, për shembull, festimet e partisë). Kushtet e hapësirës në institucione të caktuara nuk lejonin mbajtjen e distancës së nevojshme, gjë që vinte kameramanët drejtpërdrejt në rrezik. Sipas tij, është shumë e rëndësishme në kushte të pandemisë se si të përmirësohen kushtet e punës së kameramanëve gjatë zgjedhjeve të ardhshme lokale që do të mbahen vjeshtën e ardhshme.
Edhe sipas Zoran Dogov nga “TV Kanal 5” gjatë pandemisë, situata ka qenë e komplikuar, duke vërejtur se në disa institucione masat nuk janë respektuar plotësisht, gjë që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e kameramanëve vetë.
Benjamin Hoxha nga “TV21” theksoi se në redaksitë shpesh herë kursehet kur bëhet fjalë për pajisje, në disa raste pajisjet janë të vjetërsuara, jo të servisuara, kështu që paraqiten probleme me xhirimin. Sipas tij, ndonjëherë ka mungesë të vetëdijes për këtë profesion në vetë redaksitë, prandaj është e nevojshme të punohet me menaxhmentin, si për të ngritur kapacitetet për të kuptuar profesionin e “kameramanit”, ashtu edhe për të siguruar kushte më të mira të punës.

Kryerja e këtij profesioni shihet si një punë ekipore, me gazetarët, redaktorët, shoferët, etj. Dhe, për këtë arsye, koordinimi i mirë është më se i nevojshëm.
Diskutuesit, ndër të tjerash, bënë thirrje për të bërë letërnjoftime / leje për qasje në institucionet publike. Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kërkuan që të organizojë një takim me JP Parkingje Komuna Qendër (POC) që të sigurohet mundësi për tu parkuar afër lokacioneve të ngjarjeve, në mënyrë që të mos humbasin kohë, gjë që reflektohet në mbulimin e ngjarjeve.
Trajçe Ilievski nga “RTVM”, përveç thirrjes për lehtësimin e kushteve të parkimit dhe procesit të përshpejtuar të vaksinimit të kameramanëve për shkak të rreziqeve ndaj të cilëve ata janë të ekspozuar, theksoi se qëllimi kryesor i kameramanëve në të ardhmen është që ky profesion të trajtohet si profesion i autorëve, pra profesion nga i cili dalin vepra që lidhen me të drejtën e autorëve.
Të pranishmit në ngjarjen përmendën gjithashtu nevojën për të rregulluar shpërblimin për punën gjatë fundjavës, duke dërguar një mesazh për të shqyrtuar mundësinë për stazhin e beneficuar për kameramanët.
Mysafiri nga Serbia, kameramani nga servisi i tyre publik, Goran Koprivica, theksoi se probleme të ngjashme janë vërejtur edhe në Serbi dhe rajonin, por që Maqedonia e Veriut është e para me një iniciativë të tillë, d.m.th. me krijimin e një Seksioni të kameramanëve. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) nuk ndalet këtu me iniciativat që lidhen me këtë profesion. Së bashku me Seksionin e Kameramanëve, do të jetë një partner aktiv në procesin e rritjes dhe përmirësimit të kushteve të punës si për gazetarët ashtu edhe për kameramanët, sepse kjo është në interes të përbashkët për përmirësimin e kushteve të punës.