Aktivitete rajonale dhe takim i seksionit të kameramanëve të SHGM-së në Veles

Seksioni i kameramanëve në SHGM i përbërë nga Risto Mishev, Zoran Dogov dhe Adriana Jovanovska pati takim pune me kolegët kameramanë në Veles.
Në takim u diskutuan shumë tema që prekin punën e kolegëve korrespondentë, statusi i tyre dhe kushtet në të cilat ata punojnë, si dhe u ndanë edhe përvojat me të cilat ballafaqohen në përditshmëri.
“Përveç problemeve të zakonshme me të cilat ballafaqohen edhe kolegët tanë nga Shkupi, ne kameramanët korrespondentë, kameramanët në mediat lokale dhe rajonale përballemi edhe me probleme ekzistenciale, me tendencë që kjo pjesë e komunitetit të zhduket, domethënë kameramanë televizivë. Të ardhurat jashtëzakonisht të ulëta e bëjnë këtë punë gjithnjë e më të padëshirueshme nga kolegët tanë të cilët përdorin forma të tjera të të ardhurave nga zanati si nëpërmjet dasmave etj”, tha Kire Piliçev, koordinator i seksionit të kameramanëve për rajonin e Strumicës.
Nga kolegët e tjerë u theksua se kameramanët-korrespondentë nuk kanë turne dhe orar të punës, çka do të thotë se mundësitë për të ardhura nga punët e tjera janë të pakta. Në takimin e punës në Veles, ku morën pjesë edhe kolegë kameramanë nga rajoni i Shtipit, Velesit dhe Strumicës, u diskutua edhe për përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet kameramanëve dhe gazetarëve.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të mrekullueshme, ku kolegët zgjodhën koordinatorët që do t’i përfaqësojnë dhe do t’i informojnë për aktivitetet e ardhshme të seksionit të kameramanëve në SHGM. Ivan Kamçev u zgjodh koordinator i rajonit të Velesit, Kumanovës, Sveti Nikollës dhe Kavadarit, Kire Piliçev për Strumicë, Radovish, Gjevgjeli dhe Valandovë dhe Viktor Efremov nga Shtipi për Shtip, Koçan dhe Dellçevë.