A punon shteti me të rinjtë për të mos u përfshirë ata në terrorizëm?

Mungesa e klimës së qëndrueshme ekonomike, e kombinuar me krizat e shpeshta politike dhe deficitin demokratik në vend, është gjithnjë e më shumë arsye për emigrimin masiv të të rinjve jashtë vendit. Nga ana tjetër, niveli i lartë i papunësisë së të rinjve në vend, si dhe gjendja e tyre e paqëndrueshme financiare, janë faktorët kryesorë që ndikojnë në shkallën e socializimit dhe integrimit të tyre në komunitet. Këto kushte, së bashku me faktorë të tjerë, bartin me vete potencialin për radikalizimin e të riut që, nga ana tjetër, mund të ketë pasoja fatale jo vetëm mbi të, por edhe në jetën e të gjithë shoqërisë, veçanërisht në mjediset multietnike.
Organizatat e shoqërisë civile që kanë në fokus të rinjtë mund të kontribuojnë ndjeshëm në parandalimin e radikalizmit, përmes aktiviteteve të tyre dhe me një angazhim të vazhdueshëm ndaj të rinjve që të jenë aktorë aktivë në shoqërinë në të cilën ata jetojnë dhe punojnë.
Sipas vlerësimeve të organizatave të shoqërisë civile në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të rinjtë janë kategoria më e prekshme dhe shpeshherë shënjestër e rekrutuesve ekstremistë. Nga Koalicioni i Organizatave Rinore “SEGA”, që ka punuar në mënyrë aktive për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm tek të rinjtë për tre vitet e fundit, theksojnë se arsyet kryesore për këtë janë kërkimi i identitetit, nevoja për një vend të rëndësishëm në shoqëri, ndjenjat e shprehura të padrejtësisë dhe frustrimi i të rinjve në shoqëri. Grupet ekstremiste e keqpërdorin ndjeshmërinë e të rinjve në këmbim të sigurimit të tyre social.
“Në vitin 2018 e zbatuam projektin ‘Puna e të rinjve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm’, një dialog strukturor midis të rinjve dhe vendimmarrësve. Rezultati i projektit janë ‘Rekomandimet për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm tek të rinjtë’”, thotë Zoran Ilieski, drejtor ekzekutiv i Organizatës “SEGA”.
Ai shton se dokumenti përfshin një gamë të gjerë masash, adresuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të asaj Punëve të Brendshme, komunave, Qendrave për punë sociale, institucioneve shëndetësore, bashkësive fetare, klubeve sportive dhe shoqatave të tjera qytetare. Këta, në fakt, janë aktorët shoqërorë që kanë kapacitet dhe legjitimitet për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin e një të riu.
“Vitin e kaluar ne ishim të përfshirë në një projekt për të rritur ndërgjegjësimin tek të rinjtë rreth përfshirjes sociale, pjesëmarrjen e tyre aktive në promovimin e tolerancës, kohezionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, shpjegon Ilieski dhe vlerëson se kjo është një nga mënyrat për të parandaluar radikalizimin e të rinjve.
“Rritja e radikalizmit të të rinjve që çon në ekstremizëm të dhunshëm është problem serioz në nivel global, që, sigurisht, nuk i shmanget as vendi ynë”, nënvizojnë nga “Lidhja Rinore – Krushevë”. Sipas kësaj organizate rinore, veçanërisht shqetësues është radikalizimi politik i të rinjve përmes theksimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe indoktrinimit me ideologji nacionaliste.
Si organizatë rinore përpiqemi për sensibilizim në lidhje me të gjitha aspektet problematike që çojnë në çdo radikalizëm dhe ekstremizëm tek të rinjtë. Në dy vitet e fundit ne kemi punuar në mënyrë aktive në intensifikimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis të rinjve nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Radikalizmi nacionalist midis të rinjve në rajonin kufitar ekziston ende, edhe krahas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Prandaj, ne jemi duke punuar në mënyrë aktive në themelimin (hapjen) e zyrave për bashkëpunim rinor dhe rritjen e ndërgjegjësimit në diskursin publik për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset e pajtimit. Ndërtimi i një mekanizmi institucional për përafrimin e të rinjve nga të dyja vendet, duke u ofruar atyre një mundësi unike për të bashkëpunuar dhe për t’u njohur me njëri-tjetrin, janë faktorët kryesorë në tejkalimin e nacionalizmit dhe paragjykimeve tek të rinjtë”, thotë Anelia Mitrova, pjesë e ekipit të “Lidhjes Rinore – Krushevë”.
Qeveria, në vitin 2018, e miratoi Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit. Ky dokument ka kornizë kohore për zbatim deri në vitin 2022. Për zbatimin më efikas të kësaj Strategjie janë përgatitur plane veprimi të cilat, po ashtu, janë miratuar nga Qeveria.
Në vend ekziston edhe Komiteti Kombëtar për Luftën kundër Terrorizmit dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm. Në punën e Komitetit marrin pjesë disa institucione, ndër të cilat përfaqësues të vet ka edhe Ministria e Arsimit. Ky organ punon në miratimin e dokumenteve strategjike që kanë të bëjnë me detektimin dhe parandalimin e formave të ndryshme të dhunës dhe fenomeneve antisociale, të cilat më pas janë inkorporuar edhe në programet mësimore. Kështu, thonë nga Ministria përkatëse, nxënësit që nga mosha e hershme, respektivisht nga fillimi i arsimit formal deri në fund mësojnë për rreziqet nga pjesëmarrja dhe veprimi në organizata – qëllimet e të cilave ndërlidhen me dhunë dhe terrorizëm.
Përpos institucioneve shtetërore dhe qasjes së koordinuar, edhe një numër i organizatave të shoqërisë civile nga vendi dhe partnerë të jashtëm janë të përfshirë dhe i mbështesin këto aktivitete. Në fazë përfundimtare është zhvillimi i Standardeve kombëtare për arsimin fillor, me të cilat janë përcaktuar kompetencat që nxënësit duhet të marrin në fund të arsimit fillor. Në to janë përfshirë kompetencat kryesore për të mësuarit gjatë gjithë jetës, të përfshira në Rekomandimin e Këshillit të Bashkimit Evropian nga viti 2018.
Anëtar në organin e Strategjisë Kombëtare që punon në eliminimin e dhunës dhe luftën kundër terrorizmit ka edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Të gjitha aktivitetet, thonë nga Ministria, kryhen në përputhje me kompetencat ligjore dhe kapacitetet ekzistuese, si institucionale, ashtu edhe njerëzore. Ata shpjegojnë se në këto aktivitete janë përfshirë profesionistë nga Qendrat për punë sociale, siç janë punonjës socialë, psikologë, pedagogë dhe avokatë. Qendrat për punë sociale, në përputhje me Ligjin për mbrojtje sociale, janë të obliguara t’i pranojnë luftëtarët e huaj terroristë që kanë vuajtur dënim me burg “nëse ata kërkojnë çfarëdo ndihme”, në aspektin e mbështetjes psikosociale ose ndihmës juridike në nxjerrjen e dokumenteve personale, nëse i kanë humbur të njëjtat. Këto aktivitete kryhen në koordinim me të gjitha institucionet, siç janë Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, punonjës social nga Enti Ndëshkues-Korrigjues, si dhe administrata lokale për punë të brendshme.
Në kërkesën tonë për informacion rreth asaj si veprojnë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Rini dhe Sport në temën e parandalimit të të rinjve për të mos rënë pre e grupeve ose organizata terroriste, për nevojat e këtij teksti, nuk morëm përgjigje.
Autorë të storjes hulumtuese: Ile Petrevski, Klimentina Gjorgjioska, Laura Stojanova, Marija Bikovska
Ky artikull u përgatit brenda kornizës së projektit “Ndërtimi i rezistencës kundër terrorizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit përmes kapaciteteve të përforcuara të gazetarëve, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë”, financuar nga Evropa brenda programit STREVE Global (Forcimi i Reziliencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm -STRIVE Global) përmes Hedayah (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm)
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe SHGM, IEP dhe Instituti Konica dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet dhe mendimet e Bashkimit Evropian.