3 Maji: Beteja për gazetari cilësore dhe liri mediatike nuk ka përfunduar

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) sot, më 3 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, organizuan manifestimin final nën moton “Gazetarë dhe punonjës mediatik të sigurt për gazetari cilësore në Maqedoninë e Veriut”.
Qëllimi i këtij aktiviteti është të dërgohet mesazh dhe të rritet ndërgjegjësimi për nevojën për të përmirësuar sigurinë dhe mjedisin socio-ekonomik për gazetarët dhe punonjësit mediatik, si një mënyrë për të avancuar lirinë e shprehjes si një e drejtë themelore e njeriut dhe për të përforcuar rolin e organizatave mediatike në procesin e krijimit të politikave.
Fjalën hyrëse pati edhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski, i cili njëherësh ishte edhe nikoqir i kësaj ngjarjeje.
“Siguria e gazetarëve është obligim i përbashkët i të gjithëve neve, por mbi të gjitha i institucioneve shtetërore dhe i faktorëve politikë, përndryshe kjo nuk na duhet vetëm si frazë politike. Të gjitha institucionet shtetërore janë të obliguara që të sigurojnë qasje të papenguar në të gjitha informatat për punën e tyre, në mënyrë që gazetarët të mund t’i informojnë qytetarët në mënyrë cilësore. Autoritetet e sigurisë dhe të drejtësisë duhet të veprojnë shpejt dhe pa dallim në rastet kur rrezikohet siguria e gazetarëve”, tha presidenti Pendarovski.

Raporti i ri i “Reporterëve pa Kufij” në të cilin vërehet rritje sa i përket lirisë së mediave në vend nuk do të thotë se beteja për gazetari dhe liri cilësore ka përfunduar. Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mladen Çadikovski theksoi se kur është fjala për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e fjalës në vendin tonë, liria relative në të cilën jetojmë tani nuk duhet të na mashtrojë. “Pa zgjidhje sistematike që do të garantojnë përmbajtje cilësore mediatike dhe pavarësi të punës redaktuese dhe gazetareske, ne do të sillemi gjatë gjithë kohës në rreth. Është koha për ndryshime thelbësore që do të garantojnë lirinë e punës, sepse liria e shprehjes, e mendimit është e vështirë për t’u fituar, por përvoja na thotë se mund të humbet shumë lehtë. Nuk duhet ta lejojmë këtë”, tha Çadikovski.

Kryetari i SPGPM Belovski, theksoi se gjendja socio-ekonomike e gazetarëve, krahas sigurisë, është kushti më i rëndësishëm për zhvillimin e asaj që ne e quajmë gazetari të lirë. “Gazetari pa mundësinë e ndikimit në politikën redaktuese dhe kusht pa të cilin gazetarët dhe punonjësit mediatik nuk mund të çlirohen nga presionet e grupeve të ndryshme të interesit dhe kusht për uljen e vetë-censurës, e cila edhe sipas analizave tona dhe raporteve ndërkombëtare është e përhapur në Maqedoni”, tha Bekovski në panelin diskutimin me temë “Përmirësimi i sigurisë dhe mjedisi socio-ekonomik për gazetarët dhe punonjësit mediatik: Ku jemi dhe si të ecim përpara?”.
Në pjesën e punës diskutuan edhe Katarina Sinadinovska, kryetare e KEMM-it, Biljana Petkovska, drejtore ekzekutive e MIM-it dhe Dragan Sekulovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së, dhe konstatimi ishte se ka nevojë për zgjidhje sistematike që do të garantojë mbrojtjen afatgjatë të të drejtave dhe integritetin e të gjithë punonjësve mediatik. Rritja e standardeve ekonomike të gazetarëve është e rëndësishme sepse në këtë mënyrë ata do të jenë më rezistues ndaj presionit dhe do të jenë më të motivuar për të prodhuar përmbajtje cilësore që t’i shërbejnë interesit publik. Prandaj, është e nevojshme të mbështetet debati për krijimin e një fondi kombëtar të pavarur, por jo për të mbështetur mediat, por për të mbështetur gazetarinë profesionale dhe për përmbajtje cilësore mediatike që do të promovojë interesin publik. Fushatat qeveritare të paguara nga paratë e qytetarëve paraqesin rrezik për prishjen e mëtejshme të tregut të brishtë mediatik, duke ndikuar negativisht në lirinë e mediave dhe duke neglizhuar interesin publik në raportimin mediatik, u tha panel.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje për të pranishmit u organizua një ekspozitë me foto dhe video produkte. Kjo ekspozitë është rezultat i veprave të dorëzuara të pjesëmarrësve në thirrjen për realizimin e storjeve fotografike të titulluar “Pasqyro zërin tënd!” synimi i së cilës është të tregojë përmes një fotografie dhe mesazhi se si është të jesh grua dhe gazetare/punonjëse mediatike në Maqedoni dhe problemet që ndërlidhen me sigurinë dhe të drejtat e punës me të cilat ballafaqohen gazetaret, redaktoret, kryeredaktoret dhe gratë pronare të mediave.
Ngjarja ishte e organizuar në kuadër të projektit “Punëtorë mediatik më të sigurt për gazetari cilësore në Maqedoninë e Veriut” me ndihmën financiare të Fondit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.