MILIONA EURO PËR SUBVENCIONE PËR AJËR TË PASTËR, POR REZULTATI MBETET I PANJOHUR: INVERTERËT MUND TA PËRGJYSMOJNË NDOTJEN

Shteti dhe komunat e Shkupit, Tetovës dhe Manastirit kanë shpenzuar mbi 14 milionë euro për subvencione për pajisje ngrohëse KONDICIONER INVERTER, të cilat synojnë të zëvendësojnë ngrohjen me dru në amvisëri. Por institucionet shtetërore nuk mbajnë evidencë, as kanë bërë ndonjë analizë krahasuese për ndotjen para dhe pas subvencioneve, kështu që efekti mbetet i panjohur.
Sipas prof. dr. Dejan Trajkovski nga Fakulteti Teknik në Manastir, nëse inverterët do të vendoseshin në 40 mijë shtëpi në Shkup dhe rreth 100 mijë në të gjithë vendin – aq sa, sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021, përdorin ende dru për ngrohje – ndotja gjatë dimrit do të përgjysmohej.
Vit i zi për ajrin në vend – Maqedonia e Veriut e dyta më e ndotur në Evropë
Në hartat evropiane ku evidentohen vendet me ajër të ndotur, Maqedonia e Veriut shpeshherë renditet ndër pesë shtetet më të ndotura, ndërsa në rang global futet në 20-she. Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane për Mjedisin Jetësor, Maqedonia e Veriut u rendit në vendin e tretë në Evropë për nivelin mesatar vjetor të ndotjes me grimcat PM2.5 – (grimca shumë të imëta dhe të rrezikshme që depërtojnë thellë në mushkëri dhe kalojnë në gjak).
Në këtë listë, shoqëri i bëjnë Bosnja dhe Hercegovina, Turqia dhe Italia, të cilat kanë kapërcyer kufijtë e lejuar vjetorë të përqendrimit të PM2.5 deri në pesë herë më shumë se sa lejohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Vit i kaluar, vendi ishte i dyti më i ndotur në Evropë me një përqendrim mesatar të PM2.5 prej 23.3 µg/m³, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina kishte 25.3 µg/m³. Përveç kryeqytetit Shkup, ndotje të lartë kanë edhe Manastiri dhe Tetova.
Në këto tre qytete jetojnë rreth një milion banorë, ose gati dy të tretat e popullsisë së vendit. Qytetarët ndiejnë drejtpërdrejt se ndotja po u dëmton shëndetin.
“Kam astmë. Mjeku më tha se nëse vazhdon kështu, do të kalojë në HOBB (sëmundje kronike obstruktive të mushkërive)”, thotë Sofija B., 43-vjeçare nga lagjja Lisiçe në Shkup.
“Ajri bëhet i rëndë, i turbullt, dhe ndjej si të thith hi. Nuk e dija nëse ishte bronkit, astmë apo alergji – në fund doli se ishte ndotja”, tregon Stojan Donevski, një banor tjetër i Shkupit.
Instituti i Shëndetit Publik (IShP) vitin e kaluar publikoi një statistikë alarmante, sipas së cilës, gati 18% e vdekshmërisë totale në vend mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave PM2.5.

Hulumtimet e laboratorit AMBIKON treguan se djegia e biomasës është ndotësi më i shpeshtë i ajrit gjatë muajve të dimrit.
Këtu përfshihet ngrohja me dru, mbeturinat e kulturave bujqësore dhe mbeturinat e forta komunale.
Shkupi ndër 10 qytetet më të ndotura në botë
Shkupi, gjatë muajve të dimrit, ishte ndër 10 qytetet më të ndotura në botë, tregojnë renditjet dhe raportet e platformave kryesore botërore për cilësinë dhe monitorimin e ajrit. Të dhënat nga stacionet matëse, sidomos gjatë dimrit, shfaqin vlerë mesatare të grimcave PM2.5 mbi 60 µg/m³ dhe indeks cilësie të ajrit (AQI) mbi 150, që bie në kategorinë e ajrit të pashëndetshëm.
Sipas standardeve të reja evropiane, vlera kufitare për PM2.5 është 10 µg/m³, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vetëm 5 µg/m³.
“Por, nëse vendosen kondicionerë inverter në 40,000 shtëpi në Shkup dhe rreth 100,000 familje në tërë vendin, aq sa ngrohen me dru, sipas të dhënave statistikore të regjistrimit të vitit 2021, ndotja dimërore do të ulej për gjysmë,” thotë profesori dr. Dejan Trajkovski nga Fakulteti Teknik në Manastir për këtë hulumtim.
Ai shpjegon përparësinë e inverterëve për reduktimin e ndotjes nga grimcat PM:
“Sipas studimeve, një familje që përdor dru mund të lëshojë 30-70 kg grimca PM në vit. Kondicioneri inverter lëshon 0 kg PM 2.5/10, sepse nuk djeg asgjë në vendin e instalimit. Nëse energjia elektrike merret nga burime të ripërtëritshme (dielli, era, uji), atëherë nuk lëshohen fare grimca PM,” na deklaroi ai.
Shpenzimet janë të mëdha, por askush nuk e mat efektin
Për të ulur ndotjen nga ngrohja e shtëpive, që nga viti 2019 Qeveria dhe disa komuna filluan të japin subvencione për blerjen e kondicionerëve inverter nga qytetarët. Qëllimi i masave ishte zëvendësimi i mënyrave joekologjike të ngrohjes së shtëpive me zgjidhje ekologjike.
Nga qyteti i Shkupit, që nga viti 2019 subvencionohen kondiiconerë inverter në këmbim të sobave të vjetra, nuk dhanë përgjigje për pyetjet tona se sa kondicionerë kanë zëvendësuar sobat me dru në familjet e Shkupit. Sipas të dhënave nga llogaritë përfundimtare nga viti 2019 deri në 2022, për këtë qëllim janë shpenzuar 7.7 milionë euro.
Komuna e Manastirit nga 2019 deri në 2025 ka dhënë 2.7 milionë euro, ku janë instaluar 3,206 inverterë në një periudhë prej gjashtë vjetësh. Komuna e Tetovës ka dhënë subvencione në vitet 2020 dhe 2021 në vlerë prej 1.5 milionë eurosh për 1,590 inverterë.

Sipas përgjigjeve që morëm nga Ministria e Energjisë, vetëm këtë vit për 6,000 vauçerë për kondicionerë me inverter janë shpenzuar 2.4 milionë euro. Në vitin 2019 nga arka shtetërore u ndanë 10 milionë euro për subvencione për kondicionerë me inverter për 10,000 familje.
Nga viti 2007 deri në 2023, Ministria e Energjisë ka subvencionuar edhe kolektorë diellorë dhe soba me peleta në vlerë prej 3.2 milionë eurosh. Por, nuk u përgjigjën se sa para gjithsej janë paguar nga buxheti shtetëror për inverterë në pesë vitet e fundit dhe sa inverterë kanë zëvendësuar sobat me dru në atë periudhë.
Sipas Trajkovskit, nëse bëhet një krahasim i kostove të subvencioneve për inverterë, për shembull, bazuar në të dhënat e plota nga Manastiri, njëra nga komunat më aktive në dhënien e subvencioneve (2.7 milionë euro për 3,000 kondicionerë, pra rreth 900 euro për familje) – kjo do të thotë që në nivel shteti për 100,000 familje me të njëjtën çmim do të ishte e nevojshme subvencionimi prej rreth 90 milionë euro.
Megjithatë, ende nuk ka analizë për efektet nga paratë e shpenzuara deri tani.
“Nuk posedojmë informacione, sepse Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë një gjendje reale dhe tregues për ndjekjen para nisjes së masës,” na thanë nga Ministria e Energjisë, e cila ka marrë kompetencat nga Ministria e Ekonomisë për dhënien e subvencioneve.
Pasi që efektet e vendosjes së inverterëve askush nuk i ka matur, nuk ka të dhëna nëse dhe sa kjo ka ulur ndotjen e ajrit, nëse është dhënë numri i mjaftueshëm i inverterëve në krahasim me numrin total të familjeve që ngrohen me biomasë dhe nuk ka udhëzime të sakta se si do të veprohet në të ardhmen.
“Në këtë moment nuk kemi një pasqyrë të plotë se sa familje me të vërtetë kanë ndryshuar mënyrën e ngrohjes dhe cilat janë efektet e kësaj në uljen e ndotjes së ajrit, por duke marrë parasysh statistikën për ajrin e ndotur, efektet janë thuajse margjinale. Institucione të ndryshme në periudha të ndryshme kanë vendosur subvencionimin e inverterëve, por pa analiza më të thella ose strategji afatgjatë. E dimë që për të pasur një efekt të vërtetë mbi ndotjen e ajrit, nevojitet ripërdorimi te së paku 40,000 familje në Shkup dhe rreth 100,000 në të gjithë vendin. Pa këtë, rezultatet do të mbeten simbolike,” thanë nga Iniciativa O2, organizatë qytetare për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës dhe sigurimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm, për nevojat e këtij hulumtimi.
Cila është alternativa?
Kryeministri Kristian Mickoski në një debat mbikëqyrës për ndotjen në Kuvend (26 maj 2025) theksoi se një nga zgjidhjet kryesore për uljen e ndotjes së ajrit është ndërtimi i centraleve gjeneruese të gazit me kogjenerim, për të cilat Qeveria ka njoftuar se po kërkon partnerë.
Sipas profesor Trajkovskit, nevojitet subvencionim sistematik me fokus në zonat më të ndotura, në kombinim me efikasitet energjetik të banesave (izolim, dritare).

Sipas tij, për blloqet banesore do të ishin të përshtatshme zgjidhje të centralizuara siç është termofikimi, ose pompat e nxehtësisë, ndërsa për shtëpitë individuale kondicionerë me inverter, dhe paralelisht të zhvillohen burime të ripërtëritshme të energjisë, me theks të veçantë në sistemet e ruajtjes së energjisë (hidrocentralet reverzibile me 5%-10% sisteme baterish për ruajtje). Profesori Trajkovski gjithashtu mendon se është e nevojshme të mbështeten financiarisht familjet me të ardhura më të ulëta dhe të varfra.
Klima inverter njihen si një mjet efikas dhe i thjeshtë për uljen e sasisë së grimcave PM në ajër, sepse konsumojnë tre herë më pak energji elektrike se sobat termo-akumuluese ose ngrohësit e thjeshtë, dhe nga ana tjetër ulet ndotja lokale me zëvendësimin e sobave me dru. Nëse bëhet planifikim sistematik, kjo masë mund të jetë një instrument efektiv për reduktimin e ndotjes. Këtë e konfirmojnë edhe nga Iniciativa O2. Sipas kësaj organizate, nevojitet një plan gjithëpërfshirës që adreson të gjitha burimet e ndotjes së ajrit — ngrohje, trafik, industri, urbanizëm — dhe i minimizon ato, dhe më e rëndësishmja — matjen, publikimin e rezultateve dhe llogaridhënien.
Ekipi i gazetarëve: Biljana Bogdanovska, Zorana Spasovska, Sunçica Stojanovska
Kjo storje tematike është përgatitur nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, dhe në kuadër të projektit “Trajtimi i ndotjes së ajrit” i implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat e Kavadarit, Kumanovës, Gostivarit, Strugës dhe Strumicës. Ky projekt është pjesë e Kornizës së Programit të UNDP-së, financuar nga Suedia. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UNDP-së, Suedisë si donatore dhe partnerëve të tjerë në projekt.
