Здружение на новинарите на Mакедонија
Членка на Mеѓународната федерација на новинари IFJ
Основано 1946

Pushteti me para dhe dhunë kontrollon median

Capture
ZNM
Thursday, der 13. April 2017Thursday, der 13. April 2017/ Thursday, der 13. April 2017

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përgatiti raport për nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në vitin 2016. Raporti është përpunuar duke shfrytëzuar metoda kualitative dhe kuantitative të grumbullimit dhe analizimin të të dhënave.

Me keqardhje mund të konstatojmë se gjendja e lirisë së mediave gjatë vitit të kaluar është përkeqësuar në të gjithë indikatorët e hulumtimit, siç është legjislativa mediatike dhe zbatimi i saj, gjendja e përgjithshme profesionale, ekonomike dhe sociale e gazetarëve si dhe siguria e tyre.

Nga të dhënat e marra mund të konstatohet lehtë se Qeveria i përdorë të gjitha instrumentet e pushtetit të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të kontrollojë mediat. Ajo përdor politikën e “shkopit dhe karrotës” ndaj mediave. Mediat e dëgjueshme i shpërblen me para publike, ndërsa gazetarët që e kritikojnë vazhdimisht i sulmon dhe janë të ekspozuar presioneve të ndryshme.

Përkundër moratoriumit formal për reklama qeveritare nga maji i vitit 2015, institucionet publike me arsyetime të ndryshme vazhdojnë të shpenzojnë shuma serioze parash në media.

Nga të dhënat e grumbulluara shihet se ministritë dhe komunat në Maqedoni gjatë vitit të kaluar kanë shpenzuar rreth një milion e gjysmë euro në mediat e shtypura, online dhe në mediat rajonale dhe lokale. Rreth 400 mijë euro janë harxhuar në gjysmën e parë të vitit të kaluar, ndërsa mbi një milion euro janë planifikuar të shpenzohen gjatë gjysmës së dytë të vitit.

Mjetet e ministrive dhe komunave të shpenzuara në media janë më të larta për shkak se katër ministri dhe 23 komuna kanë refuzuar të japin të dhëna për mjetet e shpenzuara në media. Gjithashtu, nga 80 komuna, vetëm 42 kanë dorëzuar të dhëna për mjetet e planifikuara për shpenzim gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016.

Rreth 700 mijë euro, që është gjysma e shumës së përgjithshme, janë shpenzuar nga Ministria për shoqëri informative dhe administratë, si subvencion për televizionet kombëtare për nxitjen e programit filmik dhe dokumentar vendor. Në krahasim me vitin 2015, MShIA gjatë vitit të kaluar këtë fond e ka rritur për 200 mijë euro, edhe pse në skemat programore të televizioneve nacionale ende dominojnë serialet turke dhe programet zbavitëse serbe. Nëse këto mjete nuk ndikojnë seriozisht në pasurimin e skemës programore të televizioneve nacionale, atëherë logjikisht parashtrohet pyetja se cili është qëllimi i vërtetë i tyre. Ne jemi të bindur se pushteti nuk shqetësohet për produksionin vendor, por për blerjen e simpatisë së mediave.

Pjesa e mbetur e mjeteve të ministrive dhe komunave janë shpenzuar për reklama dhe për parapagim të gazetave. Më së shumti mjete nga komunat për këtë qëllim kanë ndarë komunat Manastir dhe Gostivar, me rreth 60 respektivisht 50 mijë euro në vit. Brengos fakti se disa komuna shpenzojnë para publike të qytetarëve për propagandë politike në favor të kryetarit të komunës ose të këshillit. Kështu komunat e Gjevgjelisë, Dellçevës dhe Kumanovës kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro në televizionet rajonale për transmetimin e seancave të këshillit, për prezantim të aktiviteteve të komunës ose për publikimin e komtesave. Nga ana tjetër, ka komuna të cilat për një vit kanë paguar rreth 20 mijë euro në tre televizione rajonale pa konkretizuar për çfarë qëllimi. Shembull i tillë është komuna e Shtipit.

Nga ministritë, më së shumti mjete për parapagim në gazeta ka shpenzuar Ministria e punëve të brendshme, e cila vjet ka paguar mbi 50 mijë euro.

Mënyra e ndarjes dhe qëllimi i shpenzimeve në media lënë dyshim se ministritë dhe komunat dëshirojnë të blejnë simpatinë e mediave dhe t’i instrumentalizojnë ata për qëllime politike. Kjo cënon pavarësinë e mediave dhe rrezikohet e drejta e qytetarit të informohet.

Aty ku nuk funksionojnë paratë për të kontrolluar median, pushteti shfrytëzon forcë për të heshtur gazetarët. Sipas të dhënave tona në katër vitet e fundit, janë sulmuar mbi 40 gazetarë, nga të cilët rreth gjysma e sulmeve kanë ndodhur në vitin 2016. Kishim gazetarë të përndjekur, një të dënuar me burg, ndërsa një tjetër më shumë se një vit është në paraburgim si i dyshuar për akuza të pabaza. Ky fakt dëshmon qartë për eskaimin dramatik të dhunës ndaj gazetarëve.

Në Maqedoni ekziston politikë e qartë e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve. Bindshëm numri më i madh i incidenteve nuk janë zbardhur, ndërsa asnjë dhunues nuk është dënuar.

Pushteti në vitin 2016 lëshoi shansin të bëjë reforma serioze në legjislacionin mediatik dhe kështu të eliminojë vërejtjet kryesore të SHGM-së dhe faktorit ndërkombëtar për të siguruar autonominë institucionale të Radio televizionit të Maqedonisë dhe pavarësinë e rregullatorit mediatik. Në vend të reformave të vërteta, partitë bënë ndryshime kozmetike të ligjeve, të cilat nuk përmirësuan ndieshëm gjendjen e mediave.  Asnjë procedurë nga Komisioni Ad Hoc ndaj mediave për raportim jo të balancuar gjatë kohës së fushatës zgjedhore, nuk është procesuar nga organet gjyqësore. Prokuroria dhe gjykatat nuk kanë arritur të ndërtonnë sistem efikas për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes në media.

Të dhënat nga raporti dëshmojnë edhe për përkeqësimin e pozicionit profesional, ekonomik dhe social të gazetarëve. Pagat e tyre po zvogëlohen, vendet e punës janë të pasigurta, ndërsa presionet nga redaktorët, menaxherët dhe pronarët e mediave po shtohen.

Aspekti i vetëm pozitiv në këtë raport është përmirësimi i praktikës gjyqësore për paditë për shpifje dhe ofendim kundër gazetarëve. Pozitiv është fakti që numri i padive po ulet, ndërsa gjykatësit, me përjashtime të vogla, kanë filluar të zbatojnë seriozisht praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut nga Strazburgu. Për dallim nga viti 2012, kur kishte mbi 320 padi për shpifje ndaj gazetarëve, vitin e kaluar ky numër ka rënë nën 50.

Shpresojmë se Qeveria e re do të tregojë vullnet të mirëfillte politik për ubatimin e reformave serioze në media, në pajtueshmëri me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë së gazetarëve.

Sfida e parë e këtij pushteti do të jetë ndalimi i sulmeve ndaj gazetarëve duke vendosur një sistem efikat të zbulimit dhe ndëshkimit të dhunuesve. Përveç asaj, Qeveria duhet patjetër të ndalojë t[ ndërhyjë në tregun mediatik me para publike, me qëllim të korruptojë dhe kontrollojë mediam. Autonomia institucionale e Radio televizionit të Maqedonisë dhe pavarësia e rregullatorit mediatik duhet patjetër të sigurohen.

13.04.2017

facebooktwittergoogle_pluslinkedin
Tags: