Здружение на новинарите на Mакедонија
Членка на Mеѓународната федерација на новинари IFJ
Основано 1946

SHGM: Një pjesë e masave në Planin e Qeverisë janë problematike

ZNM
Thursday, der 25. July 2019Thursday, der 25. July 2019/ Thursday, der 25. July 2019

SHGM i vëzhgon me kujdes hapat e Qeverisë së RMV lidhur me promovimin e Projekt-planit kundër përhapjes së dezinformatave, ndaj vlerësimi fillestar përmban pika për të cilat jemi të brengosur. Me rëndësi të jashtëzakonshme, dhe për të përjashtuar dyshimet e shpërdorimit të obligimit të Qeverisë për të garantuar lirinë e shprehjes, është që procesi i konsultimeve mbi këto tema të jetë maksimalisht përfshirës dhe transparent që nga fillimi.

Përveç kësaj, Qeveria duhet të dijë se përcaktimi i standardeve profesionale dhe vlerësimi rreth asaj nëse një gazetar apo medium është etik mund të bëhet vetëm nga komuniteti gazetaresk dhe nga publiku e jo nga institucioni qeveritar apo çfarëdo grupi pune në kuadër të Qeverisë.

Sa i përket përmbajtjes së Projekt-planit, ne e inkurajojmë gjestin e Qeverisë për të bërë përpjekje për mekanizëm mbrojtës brenda institucioneve nëpërmjet krijimit të protokolleve dhe trajnimit për nëpunësit shtetërorë. Konsiderojmë se është e rëndësishme që pushteti ekzekutiv të jetë transparent dhe i saktë në mënyrën e transmetimit të informacioneve ndaj publikut, si një mekanizëm parandalues për keqinterpretim nga mediumet.

Nga ana tjetër, me shqetësim kemi ndjekur disa nga masat proaktive, veçanërisht ato që implikojnë në fushata të paguara në mediat private, njoftimin e bashkë-rregullimit, vendosjen e kritereve të akreditimit të mediumeve që do të kenë të drejtën për të ndjekur ngjarjet qeveritare në përputhje me standardet e profesionit të gazetarisë, si dhe formimin e një grupi veprimi për luftën e dezinformatave me përbërje dhe rol problematik.

Të pathënat deri në fund të këtyre propozim-masave mund të interpretohen si përpjekje për kufizimin e lirisë së shprehjes dhe me këtë t’i shkaktohet dëm sektorit mediatik edhe ashtu të brishtë në vendin tonë.

Beteja kundër dezinformatave është një proces kompleks jo vetëm në Maqedoni, por edhe në përgjithësi në botë. Komisioni Evropian tashmë ka plan parandalimi, që është bazë e mirë për planifikimin e aktiviteteve edhe në vendin tonë, por konteksti lokal është me rëndësi të jashtëzakonshme, prandaj është e nevojshme që gazetarët dhe mediat të luajnë një rol të fuqishëm në krijimin e këtyre strategjive.

Print Friendly, PDF & Email
Facebooktwitterlinkedin
Tags: