Здружение на новинарите на Mакедонија
Членка на Mеѓународната федерација на новинари IFJ
Основано 1946

Siguria e gazetarëve është çështja kryesore për ekzistimin e mediave të pavarura dhe profesionale

ZNM
Wednesday, der 17. July 2019Wednesday, der 17. July 2019/ Wednesday, der 17. July 2019

Siguria e gazetarëve është çështja kryesore për ekzistimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si dhe për ushtrimin e së drejtës së lirisë së shprehjes. Pa lirinë e mediave dhe informacioneve cilësore për interesin publik, nuk mund të ketë funksionim të proceseve demokratike në vend. Dhuna, shqetësimi dhe frikësimi i orientuar ndaj gazetarëve paraqet sulm ndaj demokracisë. Ato kanë efekt të ngufatjes së lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes.

Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut, i publikuar më 29 maj, shkruan se “vendi është mesatarisht i përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka bërë përparim të mirë në vitin e fundit”.

Sipas Raportit, klima për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes ka vazhduar të përmirësohet. Por, me rëndësi thelbësore është që funksionarët publikë dhe elitat politike të tregojnë një nivel më të lartë të tolerancës ndaj kritikave, ku do të mbështetej liria e shprehjes.

Komisioni Evropian dërgoi mesazh se shteti duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë, sidomos monitorimit të shpejtë dhe efektiv të të gjitha rasteve të dhunës fizike dhe verbale ndaj gazetarëve nga ana e policisë dhe autoriteteve gjyqësore.

Si paragraf i posaçëm në Raport u përmendën pesë rastet e fundit të frikësimit të gazetarëve në vitin 2018 dhe 2019.

“Megjithatë, ka pasur dy incidente të deklaratave nga zyrtarë të lartë qeveritarë kundër mediave. Politikanët dhe funksionarët publikë ende duhet të manifestojnë një shkallë të lartë tolerance ndaj kritikave dhe të avancojnë lirinë e shprehjes. Duhet të përmirësohen procedurat për sjelljen e policisë ndaj gazetarëve dhe regjistrimin e sulmeve. Autoritetet e zbatimit të ligjit dhe Prokuroria Publike duhet të monitorojnë në mënyrë efektive të gjitha incidentet kundër gazetarëve. Rastet e vjetra të sulmeve më të rënda fizike ndaj gazetarëve (13) nuk janë zgjidhur për shkak të sjelljes joprofesionale në hetimet, thuhet në rekomandimet e Raportit për lirinë e mediave.

Komisioni në Raport e thekson bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shoqatës së Gazetarëve, që ka për qëllim të përcaktohet përgjegjësia për incidentet e abuzimit fizik dhe verbal ose kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Vend pjesërisht i lirë

 Situata me lirinë e mediave në vitin 2018 dhe 2019 në Republikën e Maqedonisë se Veriut është përmirësuar pak, por mungojnë reforma serioze sistemore që do të krijojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e qetë të mediave dhe zhvillimin e gazetarisë profesionale.

 Këtë vit, vendi ka një ngritje prej 14 vendeve në rang-listën e organizatës “Reporterë pa kufij” për lirinë e shtypit. Tani shteti ynë është në vendin e 95-të. Megjithatë, pavarësisht ngritjes së madhe, Maqedonia e Veriut është ndër vendet e fundit në rajon. Pas saj janë vetëm Mali i Zi (vendi i 104-të) dhe Bullgaria (vendi i 111-të). Pak vende përpara Maqedonisë së Veriut është Serbia, e cila është në vendin e 90-të, Shqipëria renditet e 82-ta, Kosova është e 75-ta, Greqia në vendin e 65-të, Kroacia në 64-të, kurse Bosnja dhe Hercegovina renditet e 63-ta.

Në vlerësimin e kësaj organizate thuhet:

“Përfaqësues të lartë të pushtetit në mënyrë të vazhdueshme i fyejnë gazetarët në Maqedoninë e Veriut. Sulmet e dhunshme ndaj punonjësve të mediave janë bërë më të rralla, por kultura shumëvjeçare e mosndëshkimit ndihet më tej: vetëm për një numër të vogël të sulmeve që kanë ndodhur vitet e fundit janë ngritur hetime dhe janë identifikuar sulmuesit”.

Nga ana tjetër, sipas Raportit të këtij viti të “Freedom House” me titull “Liria në Botë 2019”, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet edhe më tej në grupin e vendeve pjesërisht të lira. Këtë vit vendi do të mbetet me një vlerësim total prej 3.5, në shkallën ku 1 është më e lira, ndërsa 7 është shoqëria më pak e lirë.

Në rajon, Maqedonia e Veriut gjendet pas Slloveninë, Greqisë, Kroacisë dhe Bullgarisë dhe pak mbrapa Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, ndërsa ndodhet më mirë se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Memorandume bashkëpunimi me MPB dhe OSBE

Procesi i përmirësimit të bashkëpunimit midis Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme filloi me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit më 29 shtator të vitit 2017. Qëllimi i Memorandumit ishte demonstrohet vullneti politik i ministrit të Punëve të Brendshme për t’u zgjidhur problemet e gazetarëve në mënyrë institucionale dhe gatishmëria për t’i dhënë fund politikës së mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, premtoi se do të zotohet që MPB të bëjë gjithçka që punonjësit e mediave profesionin e tyre ta ushtrojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt.

Memorandumi parashikon përpilimin e një protokolli për raportim për ngjarjet me rrezik të lartë për t’u mundësuar gazetarëve që t’i ndjekin ngjarjet, pa u rrezikuar siguria e tyre.

Më 28 mars të vitit 2018 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Misionit të OSBE-së në Shkup dhe SHGM, me qëllim që të përmirësohet siguria e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, por edhe të përmirësohet cilësia e raportimit të tyre.

Si një ndër aktivitetet që doli nga Memorandumi për bashkëpunim ishte edhe organizimi i një sërë punëtorive kushtuar sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit nga ngjarja me rrezik të lartë, që e organizoi Misioni i OSBE-së në vend. Qëllimi i punëtorive ishte që punonjësit e policisë të trajnohen për rëndësinë e rolit të mediave në një shoqëri demokratike, që nuk mund të funksionojë pa media të lira dhe profesionale.

Vitin e kaluar u zhvilluan gjashtë trajnime për gazetarët dhe punonjësit e policisë në gjashtë qytete, në të cilat u debatua për rritjen e besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje që do t’u mundësonin të dyja palëve të përmbushin detyrat e tyre në mënyrë të papenguar dhe profesionale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në njërin trajnim u bëri thirrje edhe institucioneve tjera, siç është Gjyqësori dhe Prokuroria Publike që të kontribuojnë me punën e tyre në rritjen e sigurisë së gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.

Pas përfundimit të trajnimit, u përpilua “Doracaku për sigurinë e gazetarëve gjatë ngjarjeve me rrezik të lartë”, që synon të shërbejë në identifikimin e rreziqeve dhe për të shmangur sulmet dhe presionet me të cilat përballen gazetarët, sidomos gjatë raportimit nga ngjarjet me rrezikshmëri të lartë. Për më tepër, Doracaku shërben për të sqaruar procedurat dhe përgjegjësitë ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por edhe të Prokurorisë Publike në mënyrë që të sigurojë mbrojtje më të madhe të gazetarëve. Përveç kësaj, Doracaku ofron edhe praktika dhe përvoja të SHGM-së dhe të organizatave tjera ndërkombëtare civile dhe politike nga parandalimi i sulmeve dhe presioneve mbi gazetarët.

Megjithatë, sipas raportit të fundit vjetor të SHGM-së, për treguesit e shkallës së lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve, i publikuar më 25 dhjetor të vitit 2018, siguria e gazetarëve vitin e kaluar ka shënuar përmirësime të caktuara, por ende mbetet e pranishme politika e mosndëshkimit të sulmuesve të gazetarëve.

Numri i sulmeve është ulur për tre herë, ndërsa janë shqiptuar edhe aktvendimet e para gjyqësore kundër atyre që sulmuan gazetarët në të kaluarën. Por, politika e mosndëshkimit në Maqedoninë e Veriut ka rrënjë të thella. Nga 59 sulme, vetëm dy janë zgjidhur deri më tani.

Arsyeja kryesore për këtë është praktika gjyqësore gjatë dënimit të sulmeve të gazetarëve, që nuk është në përputhje me mbrojtjen e informacionit, si një çështje e interesit publik dhe një komponent kyç i një shoqërie demokratike. Gjykatat nuk i njohin sulmet ndaj gazetarëve si një rrezik i veçantë shoqëror, prandaj rastet nuk zgjidhen brenda një kohe të arsyeshme e as në mënyrë adekuate.

Trajnime për sigurinë e gazetarëve

Vitin e kaluar nëpër trajnime morën pjesë nëpunës policorë me grada të larta në sistemin hierarkik të MPB-së, respektivisht komandantë dhe shefa. Këtë vit, përsëri, u mbajtën gjashtë punëtori midis gazetarëve dhe oficerëve të policisë, por këtë herë ata ishin inspektorë, policë me kompetenca të përgjithshme, anëtarë të Sektorit për këqyrje dhe aksidente trafiku.

Në bashkëpunim midis Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Misionit të OSBE-së nga 13 maj deri më 12 qershor u organizuan një sërë punëtorish në gjashtë qytete në mbarë vendin, që kishin për qëllim përmirësimin e sigurisë së gazetarëve. Punëtoritë u mbajtën në: Strumicë (13 maj), Ohër (16 maj), Shtip (23 maj), Manastir (27 maj), Kumanovë (10 qershor) dhe Tetovë (12 qershor) me gazetarë dhe oficerë policie, ndërsa ishin të pranishëm edhe zëdhënësit e sektorëve lokalë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në secilën punëtori morën pjesë më shumë se njëzetë gazetarë dhe oficerë policie, në të cilat u shkëmbyen përvoja dhe pikëpamje se si të veprojnë në situata të ndryshme, në mënyrë që të përmirësohet bashkëpunimi dhe të mos vjen deri te konflikti i ndërsjellë. Qëllimi i punëtorisë ishte se si të përmirësohet komunikimi midis gazetarëve dhe policëve në terren.

Në këto punëtori u bisedua për gjendjen e sigurisë së gazetarëve në botë dhe në vend, ndërsa u analizuan edhe mekanizmat për mbrojtjen e tyre. Në të gjitha gjashtë qytetet, ku u mbajtën punëtoritë, u shqyrtuan skenarët konkretë në të cilat është kërcënuar siguria e gazetarëve. Dhe, gjatë kësaj, u ndërruan rolet e pjesëmarrësve në debat, respektivisht policët ishin gazetarë, ndërsa gazetarët ishin në rolin e policëve.

U analizua edhe mënyra e raportimit dhe veprimit të gazetarëve dhe policëve në rast të protestave të dhunshme, fatkeqësive në komunikacion, ndeshjeve të futbollit, raportimit gjyqësor, gjatë përpilimit të kronikave/storjeve hulumtuese, paradës së krenarisë etj.

Skenarët e ndryshëm që u analizuan kanë treguar se as gazetarët e as policët në situata të caktuara nuk i njohin sa duhet kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre. Problemet lindin sepse nuk ka dokumente apo protokolle për mënyrën e veprimit të policisë gjatë mbulimit të ngjarjeve të caktuara mediatike. Nga ana tjetër, ka situata kur gazetarët shkelin standardet etike dhe raportojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kur u analizua skenari me protesta të dhunshme para Parlamentit, disa nga oficerët e rinj të policisë thanë se policia mund të përdorë forcë ndaj një gazetari apo kameramani nëse ata nuk e respektojnë urdhrin e lëshuar nga kreu shtetëror për të ndaluar raportimin. Gjatë analizimit të aksidentit të trafikut, që dëshmitarë kanë qenë gazetarë, u diskutua nëse gazetarët kishin të drejtën të incizojnë aksidentin dhe si duhet raportojnë ata në mënyrë profesionale. Oficerët e policisë kishin vërejtje për gazetarët se ata ndonjëherë e pengojnë hetimin, ndërsa gazetarët reaguan se policia i kufizonte ata të bënin të pamundurën për të kryer punën e tyre.

  • Në Strumicë, gazetarët përmendën disa raste kur policia u ka ndaluar të raportojnë nga vendi publik dhe nga ngjarje publike, konkretisht nga një fatkeqësi trafiku, sepse ashtu u është urdhëruar nga vartësit e tyre;
  • Në Ohër, oficerët e policisë përmendën disa raste kur gazetarët nuk i kanë respektuar rregullat e protokollit të MPB-së;
  • Në Shtip kishte një rast specifik, ku organet gjyqësore nuk i kanë informuar në mënyrë adekuate gazetarët për aksidentin në komunikacion me viktimë;
  • Në Manastir, një pjesë e debatit të pjesëmarrësve ishin raste konkrete kur gazetarët gjatë kryerjes së punëve të tyre ishin nën presion dhe janë penguar nga biznesmenë, por prokuroria dhe organet gjyqësore nuk i kanë mbrojtur;
  • Në Kumanovë, oficerët e policisë përmendën konfliktin e armatosur në “Lagjen e Trimave” më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, kur gazetarët nuk kanë ditur se si të mbrohen më mirë kur raportonin nga ngjarja me rrezik të lartë dhe, nga ana tjetër, as policët nuk kanë pasur protokoll veprimi me mediat që ishin në terren;
  • Në Tetovë kishte debat ndërmjet oficerëve të policisë dhe gazetarëve, për raportim nga aksidenti në komunikacion, kur gazetari ka qenë dëshmitar i ngjarjes. U hapën dilema dhe diskutime rreth çështjes nëse gazetarët i shkelin standardet etike kur raportojnë mbi tragjeditë familjare.

Gazetarët nga të gjitha gjashtë qytetet kanë ndarë edhe përvoja të mira dhe të këqija nga komunikimi i ndërsjellë me policinë, ndërsa të njëjtën e bënë edhe oficerët e policisë. Veçanërisht ishte interesante ndërrimi i roleve, sepse edhe gazetarët edhe oficerët e policisë nga afër u njoftuan si funksionojnë në terren hierarkia policore dhe raportimi mediatik.

Nga gazetarët u potencua se, sidomos rol të rëndësishëm në komunikim ndërmjet policisë dhe mediave, kanë zëdhënësit e policisë që shërbejnë si urë-lidhëse gjatë shkëmbimit të informacioneve me publikun. Gazetarët kishin kritika pozitive për mënyrën e komunikimit me zëdhënësit.

Përfundime

  • Zyrtarët e policisë dhe përfaqësuesit e mediave ranë dakord që të dyja palët punojnë për të njëjtin qëllim – mbrojtjen e interesit publik;
  • Gazetarët duhet të respektojnë rregullat ligjore gjatë raportimit
  • Sensacionalizmi mund të dëmtojë punën e policisë
  • Gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm gjatë raportimit në mënyrë që të mos dëmtojnë hetimin policore;
  • Gazetarët duhet të mbrohet nga sulmet ose kërcënimet fizike;
  • Është e nevojshme të përmirësohet bashkëpunimi midis gazetarëve dhe Prokurorisë Publike.

Rekomandime

  • Nevojitet bashkëpunim më i madh dhe transparencë nga ana e prokurorit publik;
  • Nevojitet zbardhja e të gjitha sulmeve ndaj gazetarëve;
  • Nevojitet përmirësim i mëtejmë i komunikimit ndërmjet gazetarëve dhe policisë;
  • Zyrtarët e policisë duhet të kenë protokoll veprimi me gazetarët;
  • Policia duhet t’i evidentojë të gjitha sulmet ndaj gazetarëve;
  • Prokurorët dhe gjykatësit duhet të veprojnë shpejtë dhe në mënyrë efikase në raste kur bëhet fjalë për kërcënime apo sulme ndaj gazetarëve;
  • Zbatimi i trajnimit për përfaqësuesit e prokurorisë dhe policisë – nga pikëpamja e mbrojtjes së gazetarëve;
  • Analizë e dispozitave të Kodit penal – me qëllim ndryshimin e disa dispozitave që do të çonin në nivel më të lartë të mbrojtjes së gazetarëve;
  • Krijimi i një platforme të vetme për denoncim/raportim dhe ndjekjen e procedimit të veprave penale kundër gazetarëve.

Vëmendje e posaçme i kushtojmë nevojës që të veprohet në mënyrë sistemore për realizimin e plotë të standardeve ndërkombëtare, sa i përket lirisë së informimit. Avancimi i vetëm disa segmenteve të caktuara nuk mund të japë rezultate të mira, pa reformimin e plotë të kornizës ligjore dhe praktikës në këtë sferë.

Gazetarët nuk do të jenë të sigurt për aq kohë sa institucionet nuk e hetojnë tërësisht edhe sulmin e fundit ndaj gazetarëve dhe gjersa përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ky tekst është përgatitur si rezultat i zbatimit të trajnimeve të përbashkëta të mbështetura nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup dhe Misioni i OSBE-së në Shkup. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e SHGM-së dhe autorëve të saj dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë qëndrimet e dy organizatave ndërkombëtare partnere.

Print Friendly, PDF & Email
Facebooktwittergoogle_pluslinkedin