Здружение на новинарите на Mакедонија
Членка на Mеѓународната федерација на новинари IFJ
Основано 1946

Është mirë që reformat të lëvizin nga pika zero, paralajmërojmë se ligji ende ka paqartësi

ZNM
Friday, der 28. December 2018Friday, der 28. December 2018/ Friday, der 28. December 2018

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e përshëndet marrëveshjen midis pushtetit dhe opozitës lidhur me miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, që do të kontribuojë në krijimin e kushteve më të mira për funksionimin e radiodifuzerëve në Maqedoni.

Modeli i ri i zgjedhjes së organeve drejtuese dhe sistemit të financimit të Radiotelevizionit të Maqedonisë dhe rregullatorit të medias do të zvogëlojë ndikimin politik në këto institucione kyçe në sektorin e medieve dhe do të kontribuojë në pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre më të madh.

Heqja e subvencioneve qeveritare për produksionin vendas në televizionet nacionale private dhe reduktimi i kuotave për produksion vendas për radiodifuzerët, do të kontribuojë në ndërprerjen e lidhjeve klientaliste mes mediave dhe pushtetit dhe do të parandalohet mundësia eventuale për ndikim në politikat redaktuese të mediumeve.

Me ndryshimet e reja, ndëshkimet për mediat zvogëlohen dhe bëhen pjesërisht proporcionale dhe, gjithashtu, ulet edhe tarifa për licencën për të gjithë radiodifuzerët. Me këtë reduktohet mundësia që rregullatori, përkatësisht gjykata t’i shfrytëzojë të gjitha ndëshkimet joproporcionale si mjet për të ushtruar presion ndaj mediumeve, ndërsa ulja e tarifës do të lehtësojë gjendjen financiare të medieve.

Përpos ndryshimeve pozitive të Ligjit, të cilat në periudhën e kaluar u harmonizuan me komunitetin e gazetarëve dhe të mediumeve, jemi të shqetësuar rreth përmbajtjes së nenit 102 të ligjit, që i referohet ndalimit të reklamimit me para publike. Në vend të dispozitës së qartë, që ndalon shpenzimin e parave publike në mediume, në këtë nen thuhet se “institucionet nuk do të parashikojnë mjete në buxhetet e tyre për shpenzime në mediume”.

Paralajmërojmë se kjo dispozitë e dykuptimshme mund të keqpërdoret në të ardhmen, respektivisht institucionet të mos sigurojnë mjete për mediat në buxhetet e tyre, por mund t’i rialokojnë nga zërat tjerë, me qëllim që t’i investojnë në media të ndryshme.

Ky ligj është vetëm fillim i reformave të paralajmëruara në sektorin e medieve, por vetëm nëse zbatohet në mënyrë të adekuate dhe nëse largohen disa nene dykuptimshme. Presim që të miratohen së shpejti edhe zgjidhjet tjera ligjore të rëndësishme, për të cilat tashmë janë dhënë mendimet/sugjerimet nga komuniteti i gazetarëve dhe i mediave.

Print Friendly, PDF & Email
Facebooktwittergoogle_pluslinkedin
Tags: